OPINION

Partia Socialiste që na duhet demokratike!

07:30 - 21.02.18 Dr. Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Akuza, shqetësime, mbrojtje të kauzave të dyshimta, shtrembërim të fakteve dhe të vërtetave, shpërndarje e qëllimshme e injorancës, devijim i vëmendjes së publikut drejt çështjeve të parëndësishme – këto janë pak a shumë fjalët me të cilat mund të përshkruhet veprimtaria e qeverisë këta pesë muajt e fundit në të gjitha hallkat. Dhe po aq edhe thelbi i fjalimeve që ka mbajtur kryeministri Edi Rama.




Por si është e mundur që Partia Socialiste lejoi të dalë në sipërfaqe e lulëzojë kandidatura e një demagogu ekstremist? Pse Partia Socialiste e përkrahu dhe i dha mundësinë të flasë në emër të së majtës, kur nuk është i majtë, pse e bëri palë me një ideologji që promovon mirëqenie, kur politikat e tij mbrojnë mirëqenien e vetëm një grupi të vogël social dhe pse na e serviri si udhëheqësin që i kishte munguar Shqipërisë, kur kishte shumë figura të tjera, të konsoliduara dhe me kontribute, demokrate dhe me vizion për ekonominë e begatinë e vendit, në radhët e saj, ose edhe jashtë?

A është Partia Socialiste demokratike? Vështirë të pranohet! Ndërsa norma që Partia Socialiste të luajë rolin e “watchdogut” të demokracisë është edhe më absurde, kur të gjitha institucionet e agjencitë udhëhiqen po nga anëtarë a militantë të Partisë Socialiste. Normat demokratike, të shkruara dhe të pashkruara, nuk kanë asnjë vlerë.

Së pari, Partia Socialiste nuk është demokratike, sepse nuk i ka rezistuar dot tundimit të pushtetit, në të gjitha format dhe në të gjitha nivelet, materializuar perfekt në idenë dhe praktikën e “Tepsisë”, që i dha shqelmin e fundit çdo norme kontrolli e baraspeshe në ushtrimin e pushteteve. Që ndikoi jashtëzakonisht në polarizimin partizan të politikës. Me një start dukshëm në favor të saj. Një fillim i mbarë në rrugën drejt shkatërrimit përfundimtar edhe të asaj pak demokracie që kemi pasur!

Së dyti, Partia Socialiste nuk është demokratike, sepse kryeministri i zgjedhur prej saj nuk është tolerant. Sepse kryeministri është bullist! Sepse kryeministri ushtron bullizëm mbi stafin pedagogjik të universiteteve publike duke i etiketuar “jeni bishti i kavallit” dhe mbi median duke e etiketuar “kazan”; sepse kryeministri me forcën e pushtetit krenohet se do prishë një simbol, Teatrin Kombëtar, pasi hodhi në erë një simbol tjetër, stadiumin “Qemal Stafa”; sepse kryeministri me avantazhin që të jep paraja, kërcënon se do mbyllë Akademinë e Shkencave, pasi shkatërroi arsimin e lartë publik; sepse të shkruash në media për diferenca në parime dhe perspektivat politike, të pushojnë nga puna dhe vështirë se të mundësohet një punësim të ri, pa ardhur një kohë e dytë, “më e përshtatshme”; sepse kryeministri delegjitimon çdo aksion të opozitës, duke e shndërruar nga konkurrenti legjitim në rivalin armik. Sepse kryeministri më shumë se të dëgjojë, flet vetë!

Së treti, Partia Socialiste nuk është demokratike, sepse asnjë nga të emëruarit e saj në poste drejtuese të administratës publike nuk mund të quhet se ka qenë a është “i matur” në ushtrimin e pushtetit – një nga normat themelore, të pashkruara, të funksionimit të demokracisë. Gjithçka në funksion të rritjes së përparësive për militantët e partisë! Çfarë po ndodh këtu, këto ditë, të kujtojnë Europën e viteve 1930! Pushime drastike nga puna dhe emërime në kufijtë e shndërrimit në anekdota që tregohen në rrjete sociale, mungesa në politika afatgjata dhe në vizion, një turravrap për të dhënë koncesione dhe shitur çdo pasuri të mundshme publike, pa asnjë studim paraprak. Probleme me plehrat, me korrupsionin, me kanabizimin, me radarët që nuk punojnë (dhe që pse duhet të punojnë!), me policë që shkarkohen dhe emërohen sipas oreksit të funksionarit, me fermerë që nuk kanë treg të shesin prodhimet, sepse vendi është shndërruar në konsumatorin e të gjithë llojeve të prodhimeve të fqinjëve, me palma miliona euro që thahen, me rrugë që janë ndërtuar përgjysmë, por mungesa e fondeve dhe e mirëmbajtjes i rrënon edhe më shumë, me “të ashtuquajtura gjoba” që u vihen bizneseve dhe që shpesh kalojnë disa herë të ardhurat vjetore të tyre, me të varfër që shtohen dhe mjekë e infermierë që punësohen në spitalet e Gjermanisë dhe Anglisë, me shpresëhumbur që kërkojnë të largohen…

Bëhen shumë!

Por kryeministri nuk harron të mbyllë çdo fjalim, me të njëjtin togfjalësh: “Sistemi funksionon”! Poshtë sistemi!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.