KULTURË

Qeveritari i lartë italian, një pasardhës fals i Skënderbeut

13:55 - 21.02.18 Ylli Polovina
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Polovina është autor i një trilogjie për Gjergj Kastriotin (“Gjysma e harruar e Skënderbeut”, 2008; “Princi Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, 2012 dhe “Pasardhësit e Skënderbeut si i mbajtën fshehur”, 2014).




Në këto tri vëllime që përbëjnë afro nëntëqind faqe janë dokumentuar, pasqyruar dhe interpretuar pasardhësit realë të heroit tonë kombëtar të vendosur në Itali, po ashtu trashëgimtarët falsë të tij, debatet më kryesore vitet e fundit rreth figurës dhe rolit të Skënderbeut, kryesisht sulme dhe provokacione të nisura prej pozitash radikal-islamiste apo interesash ultrasllaviste, etj. Prej triologjisë, tri fragmente të ndryshme.

****

RUSËT: “SKËNDERBEU, LUFTËTAR I MADH I SHQIPËRISË!”
“Më 28 nëntor 1953 në një nga sallat më të mira kinematografike të Moskës, në “Dom-Kinon”, e cila ndodhet në Bulevardin e Leningradit, u shfaq për herë të parë filmi sovjetiko-shqiptar “Skënderbeu”.
Në afishet e kohës ai u titullua “Skënderbeu-luftëtar i madh i Shqipërisë”.
E gjithë kjo do të na kujtohej e pastaj do të këshilloheshim me dokumente, kur papritur një studente tiranase në verë të vitit 2007, e cila kryente temën e masterit në Moskë, do të na tregonte një kasetë me këtë film. Ishte prodhim rus i muajve të fundit. Kjo gjë nuk kishte se si të mos të entuziazmonte. Filmi i Skënderbeut ende pas 54 viteve kërkohej nga tregu i një vendi shumë të madh e madje larg prej nesh dhe jo vetëm gjeografikisht!
Një nga diplomatët tanë, i cili udhëton e punon shpesh në ato anë na thoshte se “rusët e vjetër në moshë kurrë nuk harrojnë, sapo takojnë një shqiptar, të shprehen me gëzim me fjalët “Ah, Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë!”. Ky opinion ende i gjallë në mendjen e shpirtin rus është qartas efekt i filmit, sepse me këtë titull, siç shkruam pak më lart, ai u bë i njohur në të gjithë hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Duke mos qenë aq fort meritë e drejtpërdrejtë e angazhimit të posaçëm të shqiptarëve të kohës së sotme, ai film vazhdon e jeton në hapësirat ruse që prej 54 viteve edhe për meritë të dy faktorëve. Së pari, ai po mbijeton me sukses, sepse është një vepër artistikisht mjaft cilësore. Patjetër Gjergj Kastrioti dhe qëndresa e tij mbeten një nga garancitë për të realizuar një vepër të spikatur për vëmendje të lartë publike, por në rast se jeta dhe vepra e tij historike do të trajtoheshin në mënyrë të rëndomtë, fatin do ta kishte të trishtë. Filmi “Skënderbeu” në kohën e vet fitoi një çmim perëndimor. Kjo ndodhi jo në një konkurrim periferik, por drejtpërsëdrejti në Festivalin e Kanës. Vlerësimi i lartë iu dha për ngjyrat.

Ndërkohë regjisor i filmit “Skënderbeu” është Sergej Jutkjeviç, një hebre rus me mjaft talent dhe me pikëpamje shumë liberale. Ai e shpëtoi veprën kinematografike nga kallkanimi ideologjik stalinist. Filmi është tërësisht i pastër, është vepër e të gjitha kohëve, ngrihet mbi të gjitha ideologjitë.
Ndërkohë në rolin e Gjergj Kastriotit luante më i famshmi dhe më i adhuruari aktor në ish-Bashkimin Sovjetik, Akaki Horava. Në një masë jo të vogël, ndërsa videokasetat me filmin për Skënderbeun ende jetojnë, jetëgjatësia i kushtohet edhe Horavës. Rusët akoma i kërkojnë në treg filmat ku ka luajtur ai. Për popullin e vet, Akaki Horava ishte një gjigant i skenës.

***
Në 20 prill 2007 ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Prishepov, një diplomat me karrierë të gjatë, studiuar posaçërisht për marrëdhënie ndërkombëtare e në Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit të vet që nga viti 1971, botoi në të përditshmen tonë të asaj kohe, “Metropol”, një intervistë. Ajo zuri dy faqe speciale. Titullin e saj redaksia e formuloi: “Dikur në Moskë luanim ‘Skënderbeu'”.
Ndër të tjera, pasi shpjegonte marrëdhëniet mes dy vendeve, çështjen e pavarësimit të Kosovës, çfarë mendonin rusët dhe shqiptarët për njeri-tjetrin pyetjes së gazetarit “Çfarë kujtoni për Shqipërinë më parë se të mbërrinit këtu?” Aleksandër Prishepov i përgjigjej: “Para se të vija këtu, kam lexuar shumë për vendin tuaj. Kam lexuar mjaft libra, kam kërkuar në internet dhe jam informuar për gjithçka mundesha lidhur me Shqipërinë. Por kam edhe kujtimet e mia gjatë kohës së rinisë. Në atë kohë prodhimi më interesant dhe më popullor kinematografik ishte filmi ruso-shqiptar ‘Ushtari i madh, Skënderbej’. Mund të konstatoj se ky film ka qenë vërtet madhështor. Në xhirimin e këtij filmi morën pjesë aktorët dhe kineastët më të mirë rusë. Regjisori Sergej Jutkjeviç është klasiku i filmit rus. Operatori është një nga më të mirët. Artistët ishin nga më të mirët dhe nga më të shquarit nga të dyja palët, edhe shqiptarë, edhe rusë. Ne fëmijët 5,6,7 vjeç luanim asokohe një lojë që quhej Skënderbej. Domethënë ndjenjat e ngrohta për shqiptarët dhe Shqipërinë janë krijuar tek unë që nga fëmijëria”.
JANI LUFI dhe SALVADOR KASEM
Për një rastësi të bukur atë pranverë të vitit 2007 do të ishte Jani Lufi, shqiptar, por prej afro pesë dekadash qytetar rus, i cili do të botonte në Krasnodar librin “Skënderbeu”. Nga shtëpia botuese iu dha lexuesit në pesë mijë kopje.
Deri në fund të vitit ai ishte shitur i gjithë. Jani Lufi ka qenë një oficer i Ushtrisë Shqiptare, i cili pas prishjes për arsye ideologjike të marrëdhënieve mes dy vendeve, në rrethana që nuk lidhen aspak me ndonjë braktisje të vendit të vet, zgjodhi vijimin e studimeve ushtarake në Moskë dhe më pas, për 48 vite deri sa doli në pension, shërbeu në rajonin e Krasnodarit.
Në karrierën e tij të rregullt ai u bë gjeneral. Kur na ra në dorë në fund të marsit 2008, “Skënderbeu” ishte libri i tij i dytë. I pari sipas shtëpisë botuese “Sovjetskaja Kuban” kishte pasur sukses të plotë. Titullohej “Nga partizan shqiptar e një gjeneral sovjetik”.
“Skënderbeun” Jani Lufi e kishte shkruar i frymëzuar nga një entuziazëm i përhershëm për heroin e vendit të vet, gjendje që jeta në BRSS dhe më pas në Rusi nuk ia kishte fikur, por ndezur. Në Shqipëri e pati nisur karrierën e tij si nxënës në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ishte një nga ata që akoma edhe sot thirren “Skënderbegas”.
Në kopertinë, botimi ka pamjen evropiane të Gjergj Kastriotit, atë princërore. Duke treguar në dy kapitujt e parë jetën në fëmijëri, pastaj në shkollën e Ic-ogllanëve, Jani Lufi nuk përqendron volum të madh faqesh për aftësinë ushtarake të padiskutueshme të Skënderbeut. Gjenerali ish-partizan ia rrëfen lexuesit rus heroin e tij kombëtar si themelues i shtetit shqiptar dhe si diplomat i talentuar.
Në krijimin e tij, Jani Lufi shkruan se ka qenë mbështetur në të dhënat e dymbëdhjetë autorëve rusë e të vendeve të tjera.
Dy janë shqiptarë. Një është Kristo Frashëri dhe tjetri Ismail Kadare.
Ky i fundit me romanin “Kështjella”.


Salvador J. Kasem, skulptori argjentinas me origjinë shqiptare “Në 26 prill 2005 skulptori argjentinas me origjinë shqiptare, Salvador J. Kasem, i dërgonte ambasadorit tonë në Buenos Aires, Edmond Trako, një letër me të cilën i shpjegonte se ‘Kjo që do të riprodhoj me fjalë do të jetë e vështirë për mua, mbasi profesionalisht unë nuk jam shkrimtar por skulptor. Kur babai im Shefkiu më merrte në fëmijëri në Shoqatën Patriotike ‘Skënderbeu’ dhe në hyrjen e saj, si për ta na pritur ne, ndodhej një bust i tij. “Kush është?”, pyesja unë. “Është babai i Atdheut tonë, Shqipërisë”, më përgjigjej im at, “Ashtu është gjeneral San Martini për argjentinasit”. Kaluan vitet dhe unë u bëra skulptor.
Salvador Kasem në vitin 1986, fare pak kohë pasi ishte diplomuar, me një krijim të tij fitoi Çmimin e Madh Kombëtar të Skulpturës.
Ndërkohë nisi realizimin e ëndrrës së vet të fëmijërisë, bustin e Gjergj Kastriotit.
Pasi e përfundoi, e paraqiti tek ambasadori bashkë me letrën e tij të mësipërme. Busti ishte 70 cm i lartë dhe ai ia dhuroi menjëherë ambasadës. Kjo e lartoi në vendin më të dukshëm të mjediseve të saj.
Më pas nisën procedurat që një realizim në bronz të vendosej në një shesh të qytetit të Buones Airesit. Mes dy qeverive u bë një marrëveshje dhe ndërsa Bashkia e Buones Airesit në shkurt 2002 dha lejen që një sheshi në lagjen ‘Ciudad’ t’i vihej emri i Skënderbeut si edhe atje të vendosej statuja e skulptorit Salvador Kasem, një muaj më vonë, më 11 mars, edhe Bashkia e Tiranës i vuri emrin e gjeneralit San Martin një sheshi në ndërtim e sipër në lagjen “Komuna e Parisit”.
Kur ky libër hyri në shtyp emri i sheshit ekzistonte, por busti akoma nuk ishte vënë. Kasem gjithë punën artistike e kishte dhuratë për kombin e tij të origjinës, por natyrshëm kërkonte që pala shqiptare të mbulonte shpenzimet e materialit të bronzit.
Të mësuar me histori zvarritjesh burokratike ta lëmë rrokopujën e kësaj historie për një çast larg vëmendjes tonë, për të spikatur disa radhë të tjera që Salvador Kasem pati shkruar në letrën drejtuar ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Argjentinë. Ato saktësisht ishin: “Interpretimi im vjen prej qytetërimit, njeriut që përshkron rrugët e lirisë i zhveshur nga çdo lloj interesi personal për ta çuar popullin e tij në identitetin e vet kultural nëpërmjet rrugëve të diturisë dhe jo të luftërave. Për këtë arsye, unë i hoqa veprës rrobat e tij ushtarake.
Gjaku im, që gjithashtu është gjak shqiptari më pezmaton para padrejtësisë dhe më bën të refleksionoj përpara kohëve që na pushtojnë, shikimi i Skënderbeut është ai i një mendimtari dhe jo i një luftëtari (prodhon dituri); Shqipëria është duke rilindur e shoqëruar nga ky shikim udhëheqës”.

QEVERITARI I LARTË ITALIAN, NJË KASTRIOT FALS
“Në internet, në një nga publikimet e enciklopedisë online ‘Wikipedia’, kur flitet për dinastinë Kastrioti, veçohen si më të shquar vetëm pesë prej tyre. I pari është Gjoni, i ati i Skënderbeut. I dyti vetë ai, Gjergji i famshëm. I treti vlerësohet peshkopi i Izernias, Kostandini. I katërti vihet në rresht “Giovani Castriota Granai, fisnik dhe ushtarak i natyralizuar italian”. Sigurisht ky është një Vranakont dhe aspak një pasardhës i Skënderbeut.
Personi i pestë dhe i fundit i më të shquarve në gjashtë shekuj të kësaj familjeje, siç ‘Wikipedia’ e paraqit para publikut qindra milionësh të vitit dymijë, quhet “Carlo Malinconico Castriota Scanderbeg, jurist dhe funksionar italian”.
Gjithkund kur citohet emri i tij me katër fjalë, Karlo Malinkonico Kastrioti Skënderbe, pason i shoqëruar më e pakta teksti shpjegues se “vjen prej një familjeve të vjetër mbretërore shqiptare”. Në shumë të lexuarën “Corriere della Sera” të 10 janarit 2012, shkruhet se “Rrjedh prej familjes fisnike shumë të vjetër shqiptare të Gjergj Kastriotit, hero kombëtar në luftën kundër turqve”.
Edhe pse gjithkund ai bën çmos të identifikohet me status të një pasardhësi të Skënderbeut, në të vërtetë quhet thjesht Karlo Malinkoniko. Historia e dy pjesëve të tjera të emrit është plot mjegull dhe nuk gjen asnjë mbështetje si edhe kurrfarë shpjegimi në të gjitha burimet dokumentare.
Në asnjë degë peme të gjenealogjisë së Kastriotëve ai nuk gjendet.


Ra nën projektorët e fortë të opinionit publik italian kur në 9 janar 2012 një gazetë vendëse e akuzoi për korrupsion, veçanërisht se bashkë me një klikë personash të tjerë kishte bërë pushime gratis në një hotel luksoz.
Të nesërmen, me emrin e tij të gjatë “Carlo Malinconico Castriota Scanderbeg” u morën të gjitha gazetat, televizionet dhe agjencitë e lajmeve, duke shënuar në të paktën njëqindvjeçarin e fundit, në historinë e pas pavarësimit të Shqipërisë, formën më skandaloze të shpërdorimit në kontinent të figurës së Gjergj Kastriotit.
Ndërsa në 10 janar 2012 dha dorëheqjen nga kabineti qeveritar i Mario Montit, ku qe nënministër për botimet, media u kujtoi italianëve se ky person kishte mëkate edhe më të shumta nga sa nxori në shesh një ditë më parë e përditshmja e tyre. Karlo Malinkoniko qe “njeriu i njëmijë posteve”, pra edhe i po kaq pagave dhe i përfitimeve financiare. Jeta e tij u ndriçua aq shumë sa u bë e ditur se në selinë e Kryeministrisë, në Pallatin Kixhi (Chigi), ai thirrej “shqiptari”.
Nofka i qe vënë prej shtesës Castriota Scanderbeg që i vinte emrit të vet.
Pesëdhjetë e dyvjeçari pati lindur në Romë dhe qe avokat me profesion, madje profesor i të Drejtës së Bashkimit Evropian. Në periudhën 1985-2002 pati punuar si Këshilltar Shteti, në vitet 1996-2001 si shef i Departamentit të Çështjeve Juridike dhe Legjislative të Këshillit të Ministrave. Nga 2006 deri në 2008 qe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ishte Kalorës i Kryqit të Madh, president i Federatës së Botuesve, këshilltar i Agjencisë së Lajmeve ANSA, i shoqërisë së Autostradave si edhe i holdingut ‘Atlantia’, që kontrollonte po këto autostrada, administrator i një superndërmarrjeje të tij…
Në 17 prill 2013 u arrestua, bashkë me 21 të tjerë, nga hetuesit e Napolit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.