Homo Albanicus

Si na nxjerr protokolli shtetëror të pazotë ashtu si edhe jemi!

17:10 - 21.02.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Ballkan sot bëjnë jetën e tyre dy shtete shqiptare, Shqipëria dhe Kosova. Të pavarura. Me plot shpresë të anëtarësohen në BE. Ato kanë protokollet respektive, institucionet dhe simbolikat e tyre. Vetëm se mjafton një aktivitet madhor dhe t’i kupton se protokolli ose Arti i shtetit nxjerr zbuluar funksionimin e vërtetë të dobët të institucioneve të tyre. Këtë rast e pati Kosova me rastin e shpalljes së 10 vjetorit të Pavarësisë. Janë dhjetëra gabimet që u përmendën në atë ditë, porse do të rreshtonim vetëm pak syresh. Vendet e planifikuara përballë foltores ishin shumë më pak se të ftuarit VIP. Flamuri shqiptar apo kosovar, si simbol, ishte në mëdyshje deri orët e fundit se i kujt duhet të ishte në hyrje të qytetit. Asnjë të ftuari të huaj nuk iu dha fjala. Në këtë kremtim pritej të vinte, të paktën, një prej personaliteteve që kontribuoi direkt për pavarësinë si: ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministri i Britanisë Tony Blair apo ndërmjetësuesi Marty Ahtisaari, por askush prej tyre nuk u pa. Dekoratat, që po përgatiten nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, ende pa u rakorduar (!) janë kthyer pas nga personalitete kosovare. Anipse, këta të fundit kanë marrë një qesëndi gati si ofendim nga Presidenti i vendit, që u ka thënë se shumë prej tyre s’janë të planifikuar për t’u nderuar me këtë dekoratë, ndaj nuk kanë se çfarë të kthejnë pas! “Të nderuarit” përpos arsyeve që nuk pranonin dekoratën e pavarësisë, kanë rreshtuar CV kilometrike për kontributin…Paçka tyre,




Kosovës mund t’i falet e gjitha kjo për kohën e pakët që ka pasur deri më tani në dispozicion për të formuar strukturën e vet shtetërore.

Po Shqipëria? Përballja e Shqipërisë me një protokoll serioz u tregua në 100 vjetorin e pavarësisë. Megjithë zhurmën dhe nderin, që u përpoq t’i jepej asaj dite, Shqipëria pa se elementi i saj politik e kishte shumë të vështirë që në të vetmin moment mirëkuptimi, të merrej vesh. Ish-kryeministri Berisha me ish-kreun e Opozitës Edi Rama u takuan ftohtë, sikur po fillonin negociata pas lufte, ndërsa festimet e Vlorës u zhvendosën ngutazi në Tiranë. Një nga arsyet, që u artikulua aty, ishte se kreu i Bashkisë ishte socialist. Në atë pak kohë që u zhvillua protokolli festiv, Opozita dhe Pozita ishin të ndara, kurse dukshëm pati rreshtim të gabuar të personaliteteve, shmangia e pakuptimtë e presidentit të vendit përpos asaj skene të turpshme, ku publiku nuk iu përmbajt dot ndjelljes makute ndaj një torte gjigande në Tiranë. Qytetet e Shqipërisë ishin në një kaos të paparë. E gjitha kjo la imazhin e festimeve shumë të hallakatura dhe pa asnjë sens mirëkuptimi.

Termi protokoll e ka burimin nga termi grek (protokollen : proto që nënkupton i pari dhe kollo, që do të thotë ngjitës). Në një farë kuptimi bëhet fjalë për letrën ngjitëse në faqen e parë të dokumenteve noteriale, që i japin autenticitet dokumentit. Protokolli dëshmohet që në kohërat e lashta dhe ka kuptimin e  zhvillimit të disa normave të mirësjelljes prej nga ku kanë vazhduar në ditët tona idetë e protokollit shtetëror. Ky i fundit përbën një lloj drejtimi që përçon mënyrat e mira të sjelljes në jetën zyrtare dhe në ceremonitë zyrtare shtetërore.

Nga mënyra e përballjes së protokollit nënkuptohet edhe imazhi i një shteti dhe funksionimi si duhet i institucioneve të tij.

Pikërisht, kjo nuk ka funksionuar në dy shembujt e sipër dhe shteti shqiptar vazhdimisht është prezantuar si një shtet me problematika të mëdha dhe me mangësi të mëdha. Mjafton një detaj që nuk shkon mirë i protokollit dhe një sy i kujdesshëm i ftuar merr referencat e para të funksionimit të institucioneve mes tyre dhe gjykon për staturat e individëve që i drejtojnë institucionet.

Kjo është arsyeja që sot e kësaj dite ka aq pak respekt për personalitetet shtetërore shqiptare. Njerëzit që nuk dinë të respektojnë shtetin e tyre, nuk mund të presin respekt për veten e tyre. Dhe, politikanët tanë, veç dhjetëra-qindrave të zeza i kanë lënë edhe këtë barrë imazhi vendit, që na tregon sesa të pazotë jemi ta shpërfaqim si duhet vendin tonë. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.