KULTURË

Akademia e Shkencave si organ këshillimor, pa institute

14:00 - 22.02.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projektligji i ri për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë duket se do të krijojë një akademi ndryshe nga kjo që njohim deri më tani.




Pas gjashtë muajsh debate mes qeverisë dhe akademikëve, ndërsa muaji mars po afron- si afat i dhënë nga kryeministri- është arritur tanimë një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Marrëveshja ‘sanksionohet’ me një draftligj që do të formësojë përfundimisht Akademinë e reformuar. Të vënë nën një presion të vazhdueshëm, akademikët kanë rënë dakord për një sërë pikash që e kthejnë Akademinë në një institucion të ri. Ajo çka vihet re dhe, në fakt, edhe theksohet nga kryetari i grupit të punës së draftligjit, Skënder Gjinushi, është se Akademia do të jetë një organ këshillimor për qeverinë (kryeministrinë) dhe Ministrinë e Arsimit.

A nënkupton kjo që Akademia nuk do të bëjë me shkencë? “Gjithë ideja është se je një organ këshillimor, një organ nga i cili qeveria pret opinionin që të ndihmosh për vizionin për të ardhmen, shkencën, kërkimin, arsimin. Akademia do të jetë sa më komunikative. Pranë akademisë, do të ngrihen komisione në përbërje të të cilëve ka edhe anëtarë të jashtëm- edhe të qeverisë, krahas akademikëve, përfaqësues të instituteve dhe shkollave të larta”. Akademia në letër, nuk ngjan e pavarur, por për pavarësinë e saj, Gjinushi bëhet garant. “S’ka si të jetë e varur, sepse ka rol këshillimor e rekomandues. Nuk ka si të ketë varësi. Problemi është te koordinimi dhe besueshmëria që ka qeveria te Akademia dhe anasjelltas, për të bashkëpunuar e për të besuar”.
Sipas Gjinushit, çdo këshill kombëtar që do të ngrihet pranë ministrit të Arsimit e Kryeministrit sipas projektligjit do ketë edhe një përfaqësues nga Akademia e Shkencave. Deklarata, u bënë dje në godinën e ASH, në mbledhjen e grupit të punës për hartimin e projektligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.

PROJEKTLIGJI
Akademia e Shkencave do të vijojë të ketë 30 akademikë ndërsa kryetari nuk merr më shumë se dy mandate, sikundër sekretari shkencor. Tashmë është e vulosur, si duket për të mos mbërritur te përsëritja e rastit: Beqiraj-Korkuti-Beqiraj.
Pas debatit disamujor, është parë me vend që komunikimi të përcaktohet me ligj. Bëhet fjalë për komunikimin qeveri-akademi, për çka në nenin 21 pika 4 thuhet “4.Një herë në vit organizohet dialogu Akademi – qeveri, sipas një marrëveshjeje dypalëshe”.
Në vijim, ligji parasheh hapje të Akademisë veçanërisht përmes pjesëmarrjes në komisione, pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve të kërkimit shkencor në mbledhjet e asamblesë kur miratohet buxheti, përmes anëtarësimeve të reja, si edhe përmes përfaqësimit të vetë akademisë në institucionet këshillimore qoftë pranë kryeministrit apo Ministrisë së Shkencës për Kërkimin Shkencor.
“Kjo ndihmon që akademia të luajë rolin e këshilluesit, emetuesit, promovuesit dhe të përmirësuesit të kërkimit e drejtimit të studimeve në nivel kombëtar”-tha Gjinushi.

AKADEMI PA INSTITUTE
Akademia do të mbetet pa institute. Ligji për të cilin po bihet dakord e vulos këtë.
Gjinushi tha se “debati u përqendrua te kjo çuditërisht edhe pse ka 10 vjet pa to. Nuk ka qenë ndonjë përvojë, pozitive, por ka një konsensus që të vazhdojë e tillë. Institutet tani janë pozicionuar kryesisht pranë shkollave të larta, por kudo kjo çështje nuk quhet e mbyllur. Nuk ka zgjidhje homogjene”. E megjithëkëtë, ai shtoi siç e parasheh ligji që “askush nuk pengon që pranë akademisë të ketë një njësi kërkimi e studimi afatshkurtër, që mund të ngrihet edhe me kërkesë të qeverisë për studime të caktuara a drejtime të caktuara”.
Pra, tha Gjinushi, ligji e njeh këtë e zgjidhja është e thjeshtë- Akademia do vazhdojë të funksionojë e tillë, pa institute por rrugës, nëse ka nevojë e vullnet, ose ka interesa për qendër kërkimi pranë saj, mund ta ngrejë.

Mbi sa më lart qartësimet i bën Neni 19:
Neni 19
Njësitë ndihmëse të kërkimit
1. Sipas nevojave, detyrave e problemeve në fushën e kërkimit, në përmbushje të rolit të saj, pranë Akademisë mund të ngrihen njësi studimore e të kërkimit me aktivitet afatshkurtër e afatgjatë.
2. Këto njësi janë autonome në realizimin e detyrave të tyre, mbajnë marrëdhënie me Kryesinë e Kryetarin dhe raportojnë pranë tyre.
3. Sipas rëndësisë, problemeve e kohëgjatësisë, këto njësi ngrihen me akte të Këshillit të Ministrave, të Asamblesë apo të Kryesisë e të Kryetarit.
4. Objekti i tyre, financimi, shtrirja, veprimtaria e përbërja përcaktohen në aktet përkatëse që dalin për ngritjen e tyre.
Neni 21, pika 5 thotë se “Kërkesat e propozimet e Këshillit të Ministrave kanë përparësi për t’u përfshirë në programin e Akademisë e ndërkohë projektet e mbështetura nga strukturat e Akademisë të udhëhequra nga akademikë kanë përparësi për t’u përfshirë në programet e qeverisë”, ndërsa në pikën 2 të të njëjtit nen, thuhet se “2. Në mbledhjen e saj vjetore për miratimin e programit marrin pjesë me të drejta aktive përfaqësues të institucioneve kryesore të kërkimit, të ministrisë, e të Këshillit të Ministrave”.

ANËTARËSIMET
Për Gjinushin janë pikë e nxehtë, sepse mesazhi i parë që jep një Akademi është cilësia e anëtarësimeve.
“Rrjedhimisht s’do jetë proces i mbyllur. Krahas akteve nënligjore, e reja është që krahas akteve nënligjore do jenë në mënyrë eksplicite të qarta edhe kriteret e procedurat e pranimit. Ne fusim normat në ligj dhe do jenë të tilla, që ne të marrim propozime nga të tëra institutet e kërkimit dhe shkollat e larta për anëtarët e Akademisë. Këta më pas shkojnë në Asamblenë e Akademisë dhe Asambleja ka rol selektiv. Asambleja sanksionon kush do bëhet anëtar, por propozimet vijnë nga të tjerë”.
Nga ana tjetër, edhe në komisionet që do të ngrihen pranë akademisë, do të ketë përfaqësues ose anëtarë të jashtëm. “Edhe të qeverisë janë, edhe të instituteve e shkollave të larta. Kjo, nuk është futje hundësh, është për të bashkëpunuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.