BOTA

Çfarë ndodhi? Ushtria turke i tregon “armët” forcave të Asadit

19:08 - 22.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Situata në Afrin të Sirisë, përgjatë kufirit të shtetit turk me atë sirian ka vite që nuk është e qetë, por tani gjendja ka filluar të përshkallëzohet.




Para më shumë se një muaj, ushtria turke kishte filluar sulmet mbi enklavën kurde në Afrin të Sirisë, forcë kjo që mendohej se ishte duke u mbështetur nga SHBA-të, por kjo nuk e kishte ndalur ushtrinë turke të ndërhynte, pasi një forcë të tillë e konsideronte të rrezikshme për kufirin dhe sigurinë e brendshme të shtetit.

Pas sulmeve të njëpasnjëshme, ushtria turke ka arritur të neutralizojë forcën kurde dhe ta dobësojë atë dukshëm, gjë që ka ngjallur edhe reagimin e të parit të shtetit francez, Emanuel Macron, ku i kishte tërhequr vërejtjen Turqisë që të mos e shfrytëzonte situatën për ta pushtuar zonën.

SHBA-të, gjatë gjithë kohës kanë lëshuar deklarata të matura duke thirrur në ndaljen e sulmeve dhe luftimeve jo vetëm në atë zonë për në gjithë Sirinë, madje ditën e djeshme departamenti i shtetit të SHBA-ve tha se është koha e duhur që të fillojë fundi i dhunës në Siri.

Mirëpo, së fundmi, ushtria siriane që mbështet regjimin e Asadit ka tentuar të hyjë në zonën e Afrinit për të ndihmuar enklavën kurde kundër ushtrisë turke që me gjasë janë duke i parë si një kërcënim për gjithë shtetin sirian. Ndërsa ushtria turke iu është kundërpërgjigjur me disa raketa gjë që ka bërë që ushtria siriane të largohen përsëri nga territori.

Turqia është e vetëdijshme për faktin që lufta kundër enklavës kurde dhe sulmi i forcave ushtarake të Asadit mund të rrezikojë miqësinë e shtetit turk me Rusinë, por siç duket kjo nuk është duke i bërë më përshtypje presidentit turk, Reccep Taayip Erdogan.

Në anën tjetër, sulmi mbi forcën kurde që supozohej se ishte e mbështetur nga SHBA-të, nuk e ka zemëruar shtetin amerikan. Madje deklaratat e tyre për gjendjen në atë rajon ishin jashtëzakonisht të moderuara, por nuk dihet se cilat janë hapat e rradhës që mund të marrin SHBA-të.

Një konfrontim i mundshëm ushtarak midis ushtrisë turke dhe asaj siriane në Siri, do të shkatërronte me gjasë miqësinë e Turqisë me Rusinë dhe në anën tjetër Amerika mund ta shfrytëzojë pikërisht këtë moment që të kritikojë Turqinë për sulmet ndaj enklavës kurde, me ç’rast mendohet se janë vrarë edhe shumë civilë.

Kështu, Turqia do të mbetej e vetme në Siri pa ndihmën e Rusisë dhe SHBA-ve gjë që do ta bënte shtetin turk të tërhiqej mbrapa brenda kufirit të saj dhe zona e Afrinit të mbetej në kontrollin e shtetit amerikan, sigurisht nëse Rusia nuk do të reagonte për këtë gjë, sepse pastaj gjërat do të komplikoheshin.

Në anën tjetër, Turqia mund të tregohet e menqur dhe të kërkojë nga Rusia që ta sigurojë se forcat e Asadit nuk do ta sulmojnë ushtrinë e shtetit turk përgjatë zonës Afrin dhe në këtë mënyrë do të mund të mbante të patrazuara raportet me shtetin rus dhe nuk do të detyrohej të luftonte me ushtrinë siriane.

Mbetet të shihet ditët në vazhdim për hapat që do të ndërmarrë shteti turk për ta menagjuar situatën e krijuar në zonën “e çliruar” të qytetit sirian. Duhet të kemi parasysh gjithashtu deklaratën e lartcekur të presidentit francez Macron, i cili tha se nuk do të ishte i pranueshëm një veprim i tillë i shtetit turk.

Turqia duhet të tregojë maturi dhe të veprojë në përputhje me ligjet ndërkombëtare, përndryshe rrezikon t’i prishë raportet me të gjithë partnerët e fuqishëm politik, ekonomik dhe strategjik dhe rrezikon të sanksionohet nga shtetet e Kombeve të Bashkuara.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.