OPINION

Pse Greqia hapi “shampanjën” e festës?

07:30 - 24.02.18 Habjon Hasani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej ditësh opinioni publik është sy e veshë nga media dhe politika duke ndjekur me kërshëri dhe interes të madh çështjet delikate të negociateve tona me Greqinë, ku më pikantja është ajo e rinegocimit të marrëveshjes së detit, e rrëzuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010.




Nuk do të ishte bërë një zhurmë e madhe në Shqipëri, po mos të jehonte “tapa” e shishes së shampanjës që Kotzias dhe Cipras hapën në vendin fqinj, duke lënë të kuptohej se formalitetet e marrëveshjes do të mbylleshin në prill për Pashkët Ortodokse gjatë një turi festiv të Kryeministrit grek në Korçë.

Deri tani kjo histori i përngjante një “dasme greke” të ngjizur në Kretë dhe me gjasë e “celebruar” në Korçë. Fatkeqësisht, përtej folklorizmave ballkanike, e vërteta e hidhur është se për një marrëveshje kaq kardinale për interesat kombëtare qeveria shqiptare nuk kishte ndërmend të fliste as edhe një fjalë për detajet e rëndësishme të negociatave.

Shpesh, ishte trumbetuar nga kryeministri Rama se me një “shkop magjik” të gjitha problemet e trashëguara në 70 vite së bashku do të “zeroheshin”.  Madje makineria propagandistike mediatike e qeverisë ishte gati të rishkruante historinë e njohur të “Kalit të Trojës”, ku kësaj radhe “kalin e vdekur” e paskërkeshim kurdisur në shqiptarët, ndërkohë që grekërit flinin në “dafina”.

Në fakt, e gjithë çështja e Delimitimit dhe përcaktimit  të Shelfit Kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk është thjeshtë një çështje “kortezie” e së Drejtës Ndërkombëtare që mund të zgjidhet me dy fundjava relaksuese të qeverive respektive. Mbi të gjitha, duhet të jetë e qartë se janë “interesat gjeostrategjike” dhe të “Zonës Ekskluzive Ekonomike” që përcaktojnë sesa i “kripur” është deti në Jonin tonë dhe sa është në pjesën greke.

Kjo maxhorancë ka meritën e saj kur ishte në opozitë që denoncoi Marrëveshjen e 2009-s si të padrejtë dhe në kurriz të interesave kombëtare të Shqipërisë. Sikurse, edhe në maj të 2015 Ministria e Punëve të Jashtme reagoi me maturi dhe përgjegjësi kur i dorëzoi ambasadorit grek në Tiranë një notë proteste në lidhje me planet e Greqisë për të eksploruar rezerva nafte dhe gazi në detin Jon, pikërisht në zonën e “Joni 5”, për të cilën Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kishte lidhur marrëveshje me ndarje prodhimi me kompaninë “Capricorn” qysh në shtator të vitit 2007.

Konkretisht, “thembra e Akilit” është zona “Joni 5” (sipas koordinatave të Shqipërisë), koordinatat e të cilit përputhen me një pjesë të “Jonit 2” (kuadrati në veri të Korfuzit sipas koordinatave të Greqisë), të cilën Athina ia ka dhënë me koncesion qysh në majin e vitit 2017 konsorciumit të kompanive “Total”, “Elpe” dhe “Edisonit”, të cilët sipas marrëveshjes me qeverinë greke shpimin e parë në det (off-shore) e kanë planifikuar gjatë 2018. Prandaj dhe ky nxitim nga pala greke për ta mbyllur sa më shpejt marrëveshjen me Shqipërinë justifikohet nga interesi i tyre, por jo nga interesi ynë.

Si për çudi dhe ironi të fatit ditët e fundit, kur kjo çështje mori dhenë, qeveria shqiptare po hesht frikshëm për turpin e saj. Madje po përpiqet t’i hedhë “hi syve” të publikut duke thënë se “Joni 5” (në pjesën shqiptare) nuk ka të bëjë me “Joni 2” (me pjesën greke). Këtë “mashtrim të trashë” nuk e kapërdin as një nxënës i klasës së 5-të që mezi ka kaluar në gjeografi, por që nuk është qorr për të lexuar një hartë.

Ajo çfarë opinioni publik duhet të dijë është fakti se interesi i Greqisë për këtë zonë rizgjohet në dhjetor të 2012, kur gjigandët e naftës dhe gazit “Total”, “Statoil”  dhe “Exxon” kërkuan të fillojnë eksplorime në trekëndëshin detar midis ishujve të Korfuzit, Kefalonisë dhe Italisë deri në gjirin e Libisë (rreth 220, 000 km2)

Pikërisht, eksplorimet në këtë zonë janë de facto ushtrim i së drejtës së sovranitetit në funksion të “Zonës Ekskluzive Ekonomike”, të cilën Greqia kërkon ta zgjidhë me “valle” me fqinjin e saj Shqipërinë, ndërkohë që është me “zemër në dorë” me fqinjin tjetër, Turqinë.

Nuk kërkon një mendje të hollë apo “konspirative” për të kuptuar se zgjidhja e preferuar e Athinës për këtë çështje me Tiranën do të  krijonte një “casus belli” ndërkombëtar për të favorizuar pozitat e saj negociuese me Ankaranë, për të cilën interesi ekonomik i Greqisë është shumë herë më i madh për shkak të rezervave të jashtëzakonshme të naftës dhe gazit në Egje, më së shumti në afërsi të ishullit të Qipros.

Kurse në rastin tonë në funksion të Zonës Ekskluzive Ekonomike mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, sipas disa hulumtimeve të specializuara dhe konfidenciale bëhet fjalë për rezerva potenciale nafte dhe gazi natyror, të cilat me përllogaritjen e çmimeve aktuale në bursat ndërkombëtare kapërcejnë një vlerë marramendëse tregu prej 1 triliard USD. Mesa duket Karamanlis, Samaras dhe Cipras janë në dijeni të këtij raporti konfidencial, ndërsa për kryeministrin tonë Rama thonë së nuk është i interesuar ta lexojë.

Prandaj, në këtë lojë të paskrupullt interesash “gjeostrategjike” dhe “gjeo-ekonomike” me shumë të panjohura, qeveria jonë më së paku duhet të ishte transparente, e qartë dhe e përgjegjshme për atë çfarë negocion me fqinjin tonë jo vetëm në raport me institucionet kushtetuese, siç ishte rasti me institucionin e Presidencës, por mbi të gjitha, me qytetarët e këtij vendi, sepse në finale “plotfuqishmëria” e këtyre negociatave duhet të burojë vetëm nga interesi madhor kombëtar. / Hashtag.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.