MILOSAO

“Akuarel (…’d.m.th me fal?!)”, filmi më i mirë në “Filmmaker International Film Festival London”

14:00 - 25.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Staff Milosao – Dokumentari shqiptar “Akuarel (…’d.m.th me fal?!)” është shpallur filmi më i mirë në Filmmaker International Film Festival London. Ai është prodhim i ARTFILM P&D në bashkëpunim me RTSH dhe ka sjellë një histori të jashtëzakonshme të realitetit shqiptar ndriçuar përmes fatit të trishtë të një personazhi. Regjisori dhe skenaristi Pluton Vasi ka ditur ta kapë në mënyrë filozofike të gjithë historinë dhe ta shtjellojë atë qartë për publikun. Fati i tij të kujton disi personazhin e Kafkës, tek “Porta e Ligjit”, ku personazhi troket dhe përherë pas shumë mundimeve i hapet një portë, ku sërish i duhet të presë. Si dy pika uji, kjo ngjan me historinë e Rrok Vuksanit, që nuk di të gjejë dot kufizimet prej ligjit, të drejtat, detyrimet, por edhe pse duhet të thotë: Më fal. Autori e ka ndërthurur me shumë elementë të tjerë, ku flasin specialistë të fushës dhe ku narracioni është i dyfishtë sepse është nga vetë personazhi dhe autori, në vetën e tretë.
“Rrok Vuksani ka 25 vjet që kërkon eshtrat e të atit dhe nuk ia tregojnë. I ati është pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1953. Askush nga njerëzit që e dinë këtë fakt, nuk ia hapin derën Rrokut. Kurse Rroku nuk ka në mendje e as në zemrën e tij, hakmarrje. Rroku madje nuk pret nga askush që t’i kërkojë falje. Ai kërkon vetëm të ketë një varr ku të shkojë e të qajë babanë e tij…”, ka sqaruar skenaristi Vasi.





E tek e fundit, çfarë do të thotë më fal ndër bashkatdhetarët e tij? Autori këtë e trajton si problem sepse në hulumtimin e tij përmes artit kinematografik, shoqëria shqiptare është një e tillë që e konsideron fajin, fenomen jashtë vetes! Fajin e kanë gjithmonë të tjerët. Kjo është arsyeja që në këtë qerthull ku mungon respekti dhe cinizmi politik gjendet kudo, ai vendos të ikë… nga Shqipëria!

Për të gjithë aspektin e trajtimit dhe parametrat teknikë, Filmi ka merituar Çmimin kryesor në Filmmaker International Film Festival London, për dokumentarin në gjuhë të huaj. Sqarojmë se Festivali është i organizuar në 3 kategori të mëdha: dokumentari, filmi i animuar dhe filmi artistik të cilët kanë edhe nënkategoritë e tyre. Duhet sqaruar se në festival ka pasur pjesëmarrje të madhe ndërkombëtare nga rreth 50 vende të botës, ndërsa filmi është distribuuar edhe në vende të tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.