MILOSAO

Libri për profesor Stanisllav Zuber i autorit Arqile Teta botohet polonisht

14:00 - 25.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Leonard Zissi* – Në muajin dhjetor të vitit 2017, në Varshavë doli botimi i librit monografik të autorit Arqile Teta me titull “Profesor Stanisllav Zuber – Jeta dhe vepra”. Ky libër u përkthye në polonisht nga përkthyesja e njohur polake Dorota Horodyska dhe u botua nga Shtëpia Botuese “Poza Krajem”, nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë.
Nafta në sasi jo industriale për herë të parë u zbulua 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës, nga gjeologët italianë dhe rezultoi që nëntoka shqiptare, në gjirin e saj, fshihte rezerva hidrokarburesh. Filluan kështu kërkimet e ethshme dhe për 10 vjet u shpuan disa qindra puse kërkimi, por naftë për shfrytëzim industrial nuk po zbulohej.
Kur shoqëritë italiane të hidrokarbureve pikasën talentin e madh në kërkimin e naftës , gjeologun polak Stanisllav Zuber dhe i krijuan të gjitha kushtet për kërkimin e saj në Shqipëri, në vitin 1928, në Kuçovë, ai shpoi pusin e parë që dha naftë dhe kështu filloi periudha e nxjerrjes industriale të naftës nga nëntoka shqiptare. Për këtë, me të drejtë Zuberi është quajtur themeluesi i kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të naftës në Shqipëri. Ai hodhi bazat e krijimit të sektorit të industrisë së naftës në vendin tonë, një degë kjo nga më të rëndësishmet e ekonomisë shqiptare edhe në ditët e sotme. Pas Kuçovës u zbulua dhe u fuqizua kantjeri tjetër i naftës, ai i Patosit, i cili u zgjerua dhe u shtri nga Lushnja e deri në Finiq të Sarandës.
Me zbulimet e vendburimeve të naftës në vendin tonë, Zuber-i tërhoqi vëmëndjen e gjithë Europës. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Shqipëria u quajt “Mesopotamia e Re” nga Shoqata e Gjeologëve Italianë dhe e profesorëve gjeologë të huaj që u mblodhën në Kuçovë në Kongresin “Convegno”, ku i thurrën kurora lavdie Zuber-it, ndërmjet tyre edhe edhe gjeologu italian L.Maddalena që kishte shpuar pusin në Drashovicë në vitin 1918.





Profesor Stanisllav Zuber la një trashëgimi të gjërë e të larishme hartash gjeologjike, ku spikat kryevepra e tij, Harta Tektonike e Shqipërisë në shkallën 1:400 000, si dhe shumë studime, vrojtime, relacione për mineralet e kromit, bakrit, hekur-nikelit, etj., të cilët pasqyrohen në botimin polonisht të librit për Profesor Stanisllav Zuber-in.
Botimi në polonisht i këtij libri, është i rëndësishëm dhe shumë dimensional për qarqet shkencore polake dhe në përgjithësi për opinion publik polak.
Profesor Stanisllav Zuber i përket një plejade të tërë gjeologësh të shquar polakë që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në fushën e gjeologjisë dhe minierave në shumë vende të ndryshme të Botës. Ai është pjestar i familjes së shquar Zuber, mjaft e njohur në mjedisin polak. I jati i tij, Rudolf Zuber (1858-1920), ka qënë një gjeolog i nivelit botëror, që ka zbuluar vendburime të naftës në Rusi, Trinidad, Venezuelë, Meksikë, Guine, Argjentinë, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Indinë Lindore. Edhe vëllai më i vogël i Stanisllavit, Kazimierz Zuber, ka qënë inxhinier shpim pusesh i zoti që ka punuar në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Shqipërinë, i dërguar nga firmat italiane që bënin kërkime të vendburimeve të naftës në vendin tonë. Në Poloni, familja Zuber gëzon një poullaritet të madh edhe për shkak të zbulimit prej saj të vendburimit të ujit mineral në qendrën kurative Krynica Zdrój, nga ku, që nga viti 1935 e deri sot prodhohet uji mineral i amballazhuar në shishe me etiketën “Zuber”.
Botimi i këtij libri në polonisht i jep mundësinë lexuesit polak të njihet me jetën dhe veprimtarinë e Zuberit në Shqipëri në fushën e gjeologjisë, me arrestimin e tij nga rregjimi komunist i asaj kohe, me vdekjen tragjike të tij në burgun e Titanës, si edhe me rehabilitimin e figurës së Zuberit pas rrëzimit të regjimit komunist në vendin tonë.
Interesim të veçantë për këtë libër kanë treguar qarqet shkencore të Universitetit Jagiellon i Krakovit (UJ) dhe Akademisë së Minierave dhe Metalurgjisë (AGH) po të Krakovit. Zuberi është i njohur në këto qarqe për veprimtarinë në përgjithësi të tij në Shqipëri në fushën e gjeologjisë së naftës, por jo për veprimtarinë konkrete të tij në zbulimin dhe shfrytëzimin e burimeve naftëmbajtëse, si dhe për kontributin në zbulimin e mineraleve të ndryshëm që mban nëntoka shqiptare. Eksponate të këtyre mineraleve Zuber-i i pat ekspozuar në Muzeun Gjeologjik që ngriti në Kuçovë në vitiin 1946, i cili ishte nga Muzetë më të mirët në Ballka, por që fatkeqësisht u shkatërua nga rregjimi komunist pas arrestimit të tij. Nëpërmjet këtij libri, lexuesi polak mund të njihet edhe me korespondencën e Zuberit jo vetëm me familjen e tij, por edhe me qarqet akademike të Universitetit Jagiellon të Krakovit dhe të Akademisë së Minerave dhe Metalurgjisë, me kërkesat dhe propozimet që iu ka paraqitur atyre.
Një kapitull i veçantë që paraqet interes për lexuesin polak, është edhe periudha e arrestimit dhe vdekjes tragjike të Zuber-it në burgun e Tiranës në vitin 1947. Dëshmitar i kësaj ngajrjeje ka qënë shkrimtari i njohur Petro Marko, i cili në çastin e vdekjes së Zuber-it ka vuajtur në të njëjtën qeli me të. Më vonë, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, mbresat dhe kujtimet nga kjo ngjarje tragjike, ai i botoi në gazetën “Bashkimi” të datës 14 prill 1991, në një artikull me ndjenja revoltuese, me titull “Krim kundër kulturës Universale”.
Ky artikull sensibilizoi Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, e cila që nga ky çast u bë iniciatoria dhe promotorja e një sërë veprimtarive që çuan në rehabilitimin e plotë të figurës dhe kontributit të shquar të Profesor Stanisllav Zuber-it në fushën e gjeologjisë në përgjithësi në Shqipëri. Për Profesor Stanisllav Zuber-in u organizuan dy konferenca shkencore, në vitin 1992 dhe 1993, në të cilat u realizua rehabilitimi zyrtar i plotë i figurës dhe veprës së tij. Ai është dekoruar me Medaljen “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha më 17.10.1992 dhe me Urdhërin “Nënë Tereza’ nga Presidenti Bamir Topi më 13.10.2011. Këshilli Bashkiak i Kuçovës i ka dhënë Profesor Stanisllav Zuber-it titullin “Qytetar Nderi” më 14.10.1993 dhe një nga rrugët kryesore të qytetit mban emrin e tij. E rëndësishme është edhe monografia e Profesor Arqile Tetës për Jetën dhe Veprën e Profesor Stanisllav Zuber-it, që është objekt i këtij materiali. Momenti më kryesor i rehabilitimit të Profesor Stanisllav Zuber-it padyshim që është vendosja në qendër të qytetit të Kuçovës i bustit të tij që u inagurua më 13.10. 2011 nga Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare i Polonisë Bogdan Zdrojewski. Së fundi, me iniciativën e Ambasadës së Polonisë në Tiranë dhe me mbështetjen e saj, në vitin 2017, në fasadën e burgut të Tiranës pranë basorelievit kushtuar të burgosurve politikë që u torturuan në atë burg nga diktatura komuniste, u vendos edhe basorelievi i Profesor Zuber-it.
Siç është rehabilituar figura e Profesor Stanisllav Zuber-it, nuk është rehabilituar asnjë figurë tjetër e shquar e huaj që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit tonë. Kjo është shprehje edhe e ndjesës morale të popullit shqiptar për popullin polak, për vdekjen tragjike të këtij shkencëtari të madh nga diktatura komuniste në Shqipëri.
Organizimi i këtyre veprimtarive për rehabilitimin e figurës së Profesor Stanisllav Zuber-it me iniciativën e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, u bë i mundur me angazhimin e plotë të institucioneve më të rëndësishme shqiptare, duke filluar nga Presindenca e Republikës, Këshillat Bashkiake të Tiranës dhe Kuçovës, të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave të këtij Universiteti. Një ndihmesë të çmuar dhanë profesorët më të shquar të fushës së gjeologjisë shqiptare, të cilët, me
referatet dhe kumtesat e tyre me një nivel të lartë shkencor, mbajtur në Konferencat shkencore në vitet 1992 dhe 1993, zbuluan fytyrën e ndritur prej shkencëtari të Profesor Stanisllav Zuber-it. Nga ana polake duhen falenderuar me pëzëmërsi angazhimi dhe kontributi i veçantë në organizimin e këtyre veprimtarive i Ambasadës së Polonisë në Tiranë, i Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë dhe i Senatit Polak.


Libri në versionin polonisht për Zuber-in është botuar me cilësi të lartë dhe në fund të tij është shtuar edhe një “Pasthënie” që tregon ceremoninë e inagurimit të bustit të Zuberit në Kuçovë më 13.10.2011. Po ashtu ai është pasuruar me fotografi me peisazhe të bukura nga malet shqiptare, duke bërë në këtë mënyrë edhe një promovim të turizmit në Shqipëri.
Literatura artistike shqiptare është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por ndoshta libri për Profesor Stanisllav Zuber-in është i vetmi që një botim shqiptar, jo vetëm me karakter letrar artistik, por që i kushtohet figurës së një shkencëtari të shquar të huaj, përkthehet dhe botohet në vendin e këtij personaliteti.
Botimi në polonisht i librit për Profesor Stanisllav Zuber-in, është edhe një sukses për autorin e tij, Profesor Arqile Tetën. Ndonëse është i diplomuar për gjeologji dhe miniera, Profesor Teta ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të veçantë në fushën e përhapjes së kulturës polake në Shqipëri. Ai ka lëvruar fushat e përkthimit të literaturës polake në gjuhën shqipe dhe në atë të krijimtarisë letrare për problematikën e marrëdhënieve shqiptaro-polake dhe për figura të shquara të dala nga gjiri i popullit polak, siç është në këtë rast figura e Profesor Stanisllav Zuber-it. Profesor Teta është autor i shumë artikujve botuar në shtypin tonë për këto tematika që janë pika takimi në historinë e të dy popujve tanë. Ka përkthyer literaturën polake në gjuhën shqipe dhe së shpejti, në kuadrin e 550 vjetorit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kasatriot Skënderbeut, del nga shtypi vepra e historianit dhe iluministit polak Marcin Bielski, shkruar për Skënderbeun në shekullin XVI.
Përveç librit për Profesor Stanisllav Zuber-in, vepra më e rëndësishme në fushën e krijimtarisë, e Profesor Tetës, është Fjalori Polonisht-Shqip, botuar në vitin 2007 dhe së shpejti do të dalë nga botimi edhe Fjalori Shqip-Polonisht.
Për këtë veprimtari në përhapjen e kulturës polake në vendin tonë, Profesor Arqile Teta është dekoruar nga Presidenti i Polonisë me dekoratën e lartë “Kryqi i Kavalerit të Urdhërit për Merita ndaj Republiukës së Polonisë”.
Polonia është një nga shtetet ku është shkruar gjërësisht për historinë dhe kulturën e popullit tonë. Duke filluar nga shekulli XVI e deri sot, numurohen rreth 3500 botime të ndryshme, si libra, monografi, studime dhe artikuj të ndryshëm kushtuar popullit shqiptar. Sot në Shqipëri përkthehet ndjeshëm literatura polake, në sajë të dashamirësve dhe njohësve të gjuhës dhe kulturës polake. Një prej tyre është edhe Profesor Arqile Teta.
*Kryetar Nderi i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni
Tiranë, 26.01.2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.