OPINION

Pse e majta shqiptare nuk qeveris dot si e majtë?!

07:39 - 25.02.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria e kryeministrit Edi Rama po mbush vitin e saj të pestë në krye të Ekzekutivit shqiptar. Veçoria që e dallon nga mandati i ish-qeverisë “Berisha” është e dukshme në një drejtim, që ky Ekzekutiv ka vetëdije më të larta sa i përket administrimit të shtetit dhe krijimit të strukturave, që e mundësojnë funksionimin. Anipse në realitet qeveria e majtë e zotit Rama nuk po i gjegjet realisht nevojës së qytetarit të thjeshtë shqiptar. Për më tepër cinizmi i të gjithë administratës së tij ndaj problematikës së klasës së varfër dhe asaj të mesme është i dukshëm. Fillimisht, sa i përket përgjigjes ndaj përmbushjes së detyrimeve dhe së dyti, përshtatjes së programit me nevojat e njerëzve. Klima ekonomiko-sociale në peizazhin zhvillimor të vendit është e zymtë, kurse e vetmja shpresë për fasha të ndryshme të shoqërisë po mbetet largimi.




E majta e dy mandatave të fundit, jo shumë larg asaj të së shkuarës, mëton se po drejton brenda kanoneve të së majtës, por nga mënyra e realizimit të funksionit të saj është një forcë krejt e djathtë, jo pak herë krahasuar disi me të djathtën ekstreme. Në ditët tona, shumë segmente të funksionimit të fushave të ndryshme të ekonomisë së vendit janë dhënë me koncesion, mirëfilli politikë e djathtë, fakt që e mbart fuqinë tek privati. Referimet për pakorrektësinë e tyre po denoncohen vazhdimisht dhe koncesionet janë kthyer në simbol të pafunksionimit. Për më tepër, koncesionet, me gjithë mëtimet se do të sillnin ndryshime, duhet thënë se aty ku janë aplikuar jo vetëm nuk kanë dhënë rezultatet e duhura, por e kanë keqësuar shërbimin ndaj publikut dhe e kanë zbehur pritshmërinë e të ashtuquajturit Partneritet Publik-Privat.

Buxheti i qeverisë së majtë, në këtë mandat ashtu si dihet dhe thuhet nga propaganda e saj e justifikon marrjen e taksave me argumentin e rritjes së investimeve publike. Thelbi i tyre në një model funksional ekonomie është rritja e ekonomisë së vendit, punësimi dhe mbi të gjitha, rritja e konsumit. Në fakt, konsumi po tkurret edhe nga referencat zyrtare, punësimi lë shumë për të dëshiruar. Të gjitha këto jo vetëm nuk po funksionojnë si duhet dhe nuk referohet pse dështojnë, por përmes retorikave dhe justifikimeve po mëtohet sërish për rritje të mëtejshme taksash, për të cilat priten zgjidhjet e sloganeve programore të “Rilindjes Urbane”.

Dhe, njësoj si me të djathtën, edhe nën qeverisjen e majtë të Ramës, Partneriteti Publik-Privat po favorizon bizneset në kurriz të qytetarit, kurse nga ana e tyre parlamentarët shqiptarë thjesht aprovojnë duke ligjëruar interesa biznesi në dëm real të pasurive dhe interesave publike. Dhe keqardhja shtohet kur kujton se megjithëse në fushatat elektorale u pretendua për kontrolle të kontratave koncesionare, asgjë e re nuk ndodhi. “Për të mos thënë se situata është përkeqësuar nga ‘negocimi’ jotransparent i tyre, që më e pakta kanë ruajtur interesat, përndryshe fitimet, e kompanive që i kanë ‘fituar; në tavolinat e restoranteve ku bëhen bisedime të tilla dhe pak ose aspak në jetën ekonomike të vendit apo në ‘tregun e lirë’, siç thuhet ndryshe”, shprehet analisti ekonomik Zef Preçi në një koment të tijin. Një listë e gjatë koncesionesh, e cila fillon me nxjerrjen e përpunimin e naftës, aeroportin ndërkombëtar të vendit, ngjyrosjen e karburanteve, sterilizimin e përqendruar të instrumenteve, vendim-parkimet, djegien me incinerator, mbikëqyrjen e lojërave të fatit, e deri te aeroporti i Vlorës kanë një të përbashkët: u mungon elementi bazë që quhet transparencë, por edhe dëmi që po krijojnë në kurriz të ekonomisë. Pikërisht këtë dëm, që shkon kinse i pavërejtur, qeveria e majtë e neutralizon në dukje duke shtuar lakun e taksave te klasat e varfra dhe të mesme për të shprehur politikat e veta.

E majta shqiptare, e përsërisim, është gjithnjë e më shumë cinike, sepse nuk është më transparente. Ndërkohë që një e majtë efektive dhe në artikulim duhet të jetë shumë më e afruar me njerëzit. Por të mjafton të shikosh ligjërimet e kryeministrit dhe e vartësve të tij, bindesh se e majta ka probleme të mëdha në konceptimin e vetvetes. Dhe, më shumë akoma, të mjafton të shikosh luksin e përfaqësuesve të saj, ata që e përfaqësojnë dhe retorikat e saj, që të bëjnë të trishtohesh. Përveç opozitës, ajo nuk kursen në fyerje me median dhe këdo komunitet interesi, që i preken atributet bazë. Ka një të vërtetë në atë që thotë kryeministri sa i përket nënvleftësimit të punës, porse shqiptari po e humb pak nga pak dhe atë pak nerv pune prej vetë politikës kaotike të majtë. Që gjithsesi nuk mund të justifikohet me cinizmin e pafre që po bëhet ndaj njerëzve. Kësaj i shtohet kaosi i pensioneve, kontributet që mezi verifikohen (në rastin më të mirë), shërbimet e dobëta, mungesa e investimeve të huaja, mungesa e punës dhe mbi të gjitha, vrasja e shpresës që nuk mund të përbëjë asesi një politikë të majtë.

Partitë e majta mbështeten zakonisht fort nga punëtorët si dhe nga shtresa e mesme, kurse partitë e djathta, nga të ashtuquajturit kapitalistë dhe punëdhënësit, e paçka relativitetit të këtij konstatimi, e majta shqiptare është më afër interesave të të fortëve sesa përfaqësuesve të klasave të varfra, që përballen çdo ditë me mbijetesën. Këtë e shikon nga përbërja e saj, por edhe politika në ndihmë të vazhdueshme e të pakushtëzuar ndaj të kamurve të dyshimtë. E nuk mbaron këtu. E majta shqiptare, përfaqësuar më së shumti dhe pothuaj vetëm nga PS-ja në fuqi (LSI nuk po e llogarisim, sepse nuk mundi asnjëherë të përçojë si duhet ideologjinë e saj) e ka harruar elektoratin e saj, ashtu si harroi simbolikat klasike, sepse fatkeqësisht ka humbur dhe po humb çdo ditë identitetin e saj si parti e majtë.

“Gazeta Shqiptare”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.