Homo Albanicus

Zotin e përqeshin dhe në lutje politikanët shqiptarë

13:08 - 04.03.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fjalimet mesianike të politikanëve shqiptarë kanë një të përbashkët. Ato bëhen në momentin kur njerëzit e mbledhur në mitingje ose në aktivitete presin shpalosjen e gjërave të reja dhe ndryshimin. Publiku i thjeshtë para oratorëve të politikës shqiptare konsiderohet si turmë pa identitet kurse ata njerëzit, e caktuar nga një fuqi ommipotente, të vetmit që do i ndryshojnë. Kryeministri aktual e ka bërë jo rrallë në kohën kur pritej të vinte në krye të Ekzekutivit, kur shqiptarët e shikonin ikjen e Berishës si të vetmin shpëtim. “Mesia” e asokohe, lexo Rama dëshmonte se vetëm përmes tij gjërat do ndryshonin. Paradoksalisht, kreu i të Majtës që fliste si Mesia ka një çudi të madhe në thelb. Më e madhja nga të gjitha është se e Majta, sidomos ajo shqiptare, konsiderohet si një forcë ideologjike që i përvishet fesë. Sali Berisha, paçka të kaluarës së tij komuniste, e artikuloi më së tepërti, por duke e futur Shqipërinë dhe shqiptarët kudo si një njësi të tërë. Zoti e mbron dhe e do Shqipërinë, e përsëriste shpesh në fund të fjalimeve, sikur ne të ishim i vetmi popull i zgjedhur në botë. Në rastin e tij, punën më të madhe e kanë antropologët socialë, për mënyrën e konvertimit të elitave komuniste në të kundërtën e tyre. Pasuesi i tij, në fakt i pompuari prej tij në partinë kryesore opozitare, Lulëzim Basha shkoi gati në përsëritje të fjalëve të Jezuit. Në një miting të fundit tha as më shumë e as më pak: “….Shikojeni njëri-tjetrin në sy teksa Zoti na sheh… Dita e parë e Shqipërisë po afron. Unë e dija se kjo ditë po vinte, ishte thjeshtë dhe vetëm çështje kohe. Çështje kohe sa shqiptarët të rizbulonin kreshnikun e kreshniken brenda vetes së tyre, fisnikërinë e moçme, qytetarinë europiane….Dhe ja tek ka ardhur kjo ditë e bekuar… Nuk ju kërkoj asnjë sakrificë tjetër. Ju lus që gëzimin dhe paqen ta merrni me vete në fund të këtij referendumi popullor e të shpërndajmë lajmin e mirë në çdo fshat e çdo qytet, por pyetja ime është kjo. T’i lutemi Zotit t’i hapë veshët kundërshtarëve të pakët të Republikës së Re, përballë këtij bashkimi kombëtar. T’i thërrasin mendjes e t’i hapin rrugë përmes dialogut”!!!!




Pavarësisht thirrjeve dhe keqpërdorimit të të Plotfuqishmit, Zoti jo vetëm nuk i ka hapur veshët në konceptin Basha, por vazhdon të jetë ‘i shurdhët’ njësoj ndaj kinse kontributeve të tyre për vendin. Po nëse Zoti e dëgjoi Ramën, çfarë përfitimi pati vallë populli shqiptar në këto pesë vite, që u lumnua si popull që e mbron vetë I Madhi nga Berisha?  Asgjë, përveç varfërisë që është shtuar frikshëm.

Të tre këta, nuk do të përmendim oratorët e tjerë, që nuk kanë asnjë forcë për skakierën politike shqiptare dhe që e përmendin me pathos Zotin, kanë një të përbashkët: Ata nuk e besojnë aspak Zotin. Të mjafton të shikosh ligjërimin e tyre politik dhe fyerjen që shkëmbejnë në parlament, që të kuptosh se roli mesianik që i japin vetes është krejtësisht fallco. Edhe Juda do dukej më i besueshëm sesa një politikan shqiptar, që e përqesh Zotin, duke i kërkuar kinse ndihmë.

Dhe, më keq akoma, ascili nuk e di sepse nuk mund të ndryshojë kjo situatë dhe me çfarë force politikanët shqiptarë dhe lloj-lloj biçimësh i drejtohen direkt Zotit. Hagjiografia nuk na ndih në këtë rast, kurse përveç Nënë Terezës, që deri më 1989 e tallnim zyrtarisht dhe në Shqipëri e njihnin fare pak veta, ne nuk kemi qenë aq të lidhur me fenë. E më tepër nga të gjitha, do jemi në historinë e njerëzimit si një vend që e ndaluam me Kushtetutë aktivitetin fetar. Dhe, jo thjesht për faj të komunizmit, por edhe mjedisit që ai gjeti te një popull, që në masë tallej me fenë. Të quhet largpamësi në një kohë kur pesha e fesë ka rënë dukshëm?! Në një shoqëri të emancipuar mbushur me filozofë, kjo mund të pranohej, por në një vend që deri para 80 vjetësh ishte gati 80% analfabete, kjo lë shumë për të dëshiruar.

***

Pavarësisht se sa udhëheqës i virtytshëm, kompetent dhe frymëzues mund të dukesh para njerëzve, asnjë person i vetëm, sidomos në kohën tonë, ku sundon kibernetika, nuk mund të jetë garantues dhe ekzekutues i ndryshimit dhe stabilitetit, siç mëtojnë shqiptarët. Ata që mund të bëjnë ndryshimin janë realisht njerëzit që arrijnë të kapin shpirtin e popujve të tyre dhe i japin shtysë ndryshimit të duhur. Kjo mund të quhet mesianike.

Retorika e Winston Churchill ka ende ndikim kur e dëgjon sesi arriti të ngjallte forcën e madhe për të lëvizur njerëzit. Paçka kontekstit, kur janë thënë ato fjalë, gjuha mbetet e fuqishme. Dhe, ajo i drejtohet një populli të iluminuar

Krejt ndryshe ndodh në shoqëri si e jona, kur politikanët që përcjellin premtimet mesianike janë thjesht më së shumti të popullarizuar në mesin e atyre segmenteve të shoqërisë ku njerëzit ndjehen ’të nënvleftësuar’, ‘të pafuqishëm’, ‘të pamundur’ dhe ‘të harruar’.

Ashtu si ndodh rëndom, këta popuj shpresojnë për një udhëheqës, zgjedha e re e të cilit do të jetë shumë më e lehtë sesa paraardhësit, dikush që do të marrë nga vuajtja e tyre, dhe dikush që ka vizionin në një të ardhme të mirë të premtuar. Këtë moment e kapin sot politikanët, sidomos në vendet e botës së tretë, për shpëtimin e komunitetit të tyre politik pas një periudhe sakrifice dhe vështirësish, që premtohet se vetëm ata e ndryshojnë. Përfundimi, shkohet në adhurimin e kinse heronjve, që shpesh tregojnë fytyrën e tyre menjëherë ose fare pak kohë pas marrjes së mandateve.

Të tre personazhet tona nuk kanë zhgënjyer, kurse imazhi që na kanë përcjellë përmes përdorimit të emrit të Zotit, është figura reale sesa shqiptarët e politikës e nderojnë Providencën. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.