EKONOMI

Gazsjellësi TAP, shpërndarja e gazit do të kushtojë 440 mln euro

15:00 - 11.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërtimi i infrastrukturës për shpërndarjen e gazit në Shqipëri parashikohet të kushtojë rreth 440 mln euro. Sipas masterplanit të miratuar tashmë edhe në qeveri, parashikohet që familjarët do të jenë të fundit që do të përfitojnë, ndërsa gazifikimi parashikohet të ndodhë për një periudhë 20-vjeçare.




Stavri Dhima, ekspert në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se përparësi në vitet e para do të ketë përdorimi i gazit për prodhim energjie. “Investimi dhe shpërndarja është edhe më e madhe akoma. Pra, nëse do të ndërtohet i gjithë ky rrjet në të gjithë ultësirën, përfshirë Tiranën, Durrësin, Lezhën, Shkodrën, Elbasanin, Lushnjën, Fierin dhe Vlorën, përfshirë edhe zonën e Korçës kryesisht, do të shkojë diku tek rreth 440 milionë euro”, – thotë Stavri Dhima

Sipas ekspertit të ministrisë, zgjidhja është parë dhënia me koncesion, pavarësisht rekomandimeve të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për të bërë kujdes me koncesionet. “Sistemi i shpërndarjes së gazit nëpër qytete është i hapur që të jetë edhe objekt koncesioni. Pra, një shoqëri e caktuar merr me koncesion shpërndarjen e gazit në Tiranë dhe ajo bën të gjithë infrastrukturën”, – thotë Dhima. Gazsjellësi TAP parashikohet që të vihet në funksion në vitin 2020. Përdorimi i parë i tij është parashikuar që të jetë për vënien në punë të TEC-it të Vlorës dhe më pas të Korçës. Faza e dytë parashikohet të jetë lidhja në rrjet gazi për bizneset e mëdha si metalurgjia apo fabrikat e çimentos.

Ndërsa në fazën e tretë parashikohet që të bëhet gazifikimi për familjet. Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Faza e parë, e cila nisi ditën e sotme parashikon ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave. Në zonat malore do të ndërtohen 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen 3 të reja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.