OPINION

Disa rreshta për aktin fisnik të Agur Vrenozit

07:40 - 13.03.18 Elis Kuçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë ne (shqiptarët) nuk e meritojmë aktin heroik (shembulli amerikan, qytetari i thjeshtë hero) të Agur Vrenozit, as gjestin që e pagoi me jetën e tij. Fatkeqësisht edhe kjo ngjarje për t’u marrë shembull na iku si rutinë (nëse Aguri nuk do jepte shembullin me aktin e tij, ndoshta tre grabitësit nuk do kapeshin, dhe për pasojë kushdo nga ne, mund të ishte preja e radhës për ta). Ne (shoqëria shqiptare) nuk e meritojmë aktin e tij në mbrojtje të vlerave të një bashkëjetese qytetare pa hile, pasi mesazhin që transmetoi media (sugjerim dashamirës për kolegët për të qenë më të vëmendshëm) në trurin e shqiptarëve (të lodhur nga problemet e shumta) u perceptua si një gjest ndihme, jo si akt frymëzues. Nën “kritikën” e një mendimtari të heshtur (aspak të njohur për publikun) të tezave pro lirisë se tregut, por edhe për mungesën e vëmendjes sime në dy apo tri ditë pas kësaj tragjedie, “harrova” të ngrija zërin për shembullin që dha qytetari i ndjerë Agur Vrenozi. Himni popullor “O sa mirë me qenë shqiptar” krenarinë për këto akte ushqen brenda ndërgjegjes sonë, jo histerinë gati ksenofobe për të sharë në stadium kombëtaret që ndeshen me përfaqësuesen tonë.




Megjithëse nuk e kam njohur, ndjej t’i kërkoj falje, që shembullin frymëzues (që ai dha në këtë vend ,që i ka me pikatore akte të tilla) nuk gjeta kohë as ta falënderoja me anë të disa rrashtave në gazetë (pavarësisht se nuk do i lexojë). Në fakt, ka disa ditë që e kam menduar si shkrim, por kam pritur që si unë edhe “penaxhinjtë” e tjerë të shkruanin për këtë akt frymëzues, aq të nevojshëm për shoqërinë tonë. Nuk them që ta përcillnim për në banesën e fundit, për të mbështetur vlerat që tregoi me aktin e tij (edhe se e pagoi me jetë) pasi kushdo që bën pjesë në lëmin e opinionbërjes nuk e meritonte të ishte atje, pasi nuk ndan të njëjtat vlera, madje janë xhelozë për atë që përfaqëson akti i të ndjerit Vrenozi. Por prisja që disa emisione të ndjekura, në televizione të ndryshme t’i kushtoheshin jo Agurit si njeri, por aktit tij frymëzues. Habi e madhe, edhe për ata që s’kanë lënë  dantellë të brendshmesh apo mbajtëse gjinjsh pa komentuar, atlete apo këpuce politikanësh, pa përgojuar, politikën dhe drejtësinë pa kritikuar, ekonominë dhe mjedisin pa debatuar, sportin dhe artin pa thumbuar, nuk gjetën kohë për ta përçuar si shembull për t’u ndjekur aktin kuptimplotë të Agurit.

Nuk e ekzagjeroj, jam i sigurt që duke parë rrethanat, po të ndodhte kjo ngjarje në një vend të zhvilluar do ishte frymëzim për kinematografinë dhe shkrimtarët (filma të tillë me hero njeriun e thjeshtë, Holliwood ka prodhuar pa fund). Sa shkrime, emisione apo kronika televizive janë bërë për mbjelljen e pemëve, edhe shume mirë kanë bërë, por ama Aguri me aktin e tij ka dhënë një mesazh (më shumë se mbjellja e pemëve) për një shoqëri të vërtetë dhe të drejtë. Titulli “Qytetar Nderi”, apo medalja e mirënjohjes, janë vendime që duhen vlerësuar, por ne duhet ta përkrahnim dhe përhapnim mesazhin që ai la së bashku me jetën e tij. Akti i tij nuk kalohet me keqardhje se la fëmijët jetimë, Aguri nga lart i përbuz mendjeshkurtrit që mendojnë kështu, akti i tij nuk kalohet me: nuk ia priste mendja që do gjente vdekjen prandaj ndërhyri, sërish përbuzje nga Aguri edhe për ata që e kaluan me këtë mendim. Vendosmëria për të ndërhyrë në mbrojtje të një bashkëqytetari që po vidhej dhe vritej, në një situatë ku shumë qytetarë përdorën në kuptimin fizik shprehjen “këmbët e shpejta, faqja e bardhë”, minimalisht i çon mesazh të qartë frike çdo individi që sheh si shpresë grabitjen e pronës private. Ndërsa ata qytetarë që përdorën këmbët e shpejta, (përveçse një ditë mund t’i ndodhë edhe atyre të jenë pre e grabitjes si pronari i pikës së këmbimit valutor) edhe pse jetuan, faqen e bardhë nuk mund ta kenë. Imagjino si do ishim ne nëse do të ishim të gjithë si Aguri dhe do reagonim si ai në çdo situatë grabitjeje. A do kishte më pak ngjarje të kësaj natyre (pyetje retorike)? Po, pasi veç atyre që kanë për detyrë që të mbajnë rendin dhe qetësinë, duhet që qytetarët t’i dalin ballë çdo padrejtësie shoqërore. Jam i sigurt, (edhe pse ka parë t’i rrezikohej jeta), që pronari i pikës së grabitur valutore, do ndërhynte në një rast të ngjashëm ndaj një qytetari tjetër.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.