Intervista

E vërteta e lobimit rus dhe “partia e re e Patozit”, Boçi flet për situatën brenda PD

20:14 - 13.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lobimi i PD nga kompania ruse në SHBA ka qenë ”molla e re e sherrit” për politikën shqiptare ditët e fundit. Investigimi i bërë nga gazeta amerikane “Mother Jones”, hedh akuza për transparencën e PD në paratë e paguara për lobuesin e tyre Nikolas David Muzin. Marrë shkas nga ky investigim qeveria ka kënbëngulur që basha të bëjë transparent çdo detaj të lobimit të PD në SHBA, madje kryeministri Edi Rama i ka bërë disa herë thirrje kreut të PD që të paraqitet në Prokurori dhe të qartësojë situatën.




Lidhur me këtë çështje në një intervist për Gazeta Shqiptare, ka folur deputeti i PD Luçiano Boçi.

Deputeti demokrat, shprehet se PD ka bërë gjithçka transparente dhe nuk ka asgjë të dyshimtë në lobimin e saj. Sipas tij, këto akuza ngjahësojnë me një skenar filmash dhe  janë përdoret politikisht duke u “fryrë” nga mediat. Boçi shprehet i gatshëm nëse Prokuroria kërkon fakte të reja lidhur me lobimin në SHBA, pasi ai thekson se gjithçka është e bërë publike dhe mund të vërtetohen lehtësisht.

I pyetur për deklaratën e ish-deputetit demokrat Astrit Patozi, ku nuk përjashtoi krijimin e një partie të re, Boçi shprehet se gjithëkush është i lirë të ndjek ambicjete veta politike, por bashkëpunimi dhe mbështetja ndaj PD nuk mund të bëhet duke krijuar forca të tjera politike dhe duke bërë kritikun të përzier me zemërim, ai ka thumbuar dhe të larguarit nga PD, duke thënë se kush largohet nga partia barazohet me zero.

Ndërsa, përsa i përketë bashkëpunimit mes dy forca kryesore opozitare, PD-LSI, deputeti demokrat thekson se dhe pse kemi protestuar dhe marrë vendime të opozitës së bashku, kjo gjë nuk nënkupton një koalicion të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme, teksa thekson se opozita ka grumbulluar forcat për të dal kundër kësaj qeverie.

Intervistoi Enkel Xhangoli:

Zoti Boçi duke u nisur nga investigimi “Mother Jones” dhe akuzat e vazhdueshme të qeverisë për përfshirjen dhe pagesën kompanis së lobistit rus Nikolas David Muzin për PD në SHBA. Si qendron e vërteta? Mund të shpjegoni se si ka funksionuar skema e pagesës së lobuesit?

E vërteta e madhe është se ka një investim shumë të madh politik, por dhe mediatik për të mbajtur gjallë në opinion një çështje të krijuar nga hipoteza dhe trillime të denja për romanet e verdhë të tipit Truman Capote. Sigurisht me prapavijë të qartë. Largim vëmendje dhe luftë politike me mënyra të pista, brenda të cilave lëvizin miliona para të pista të investuara për këtë qëllim. Rama përgjatë këtyre viteve ka perfeksionuar mënyrën e të bërit propagandë si celësin e suksesit të tij politik. Tani ka kaluar tek mveshja e të tjerëve me ato cilësi e veprime që i kryen vetë. Rama u paraqit si gruaja e Bilalit për të hyrë tek pritja e Obamës. Është ai që takon e lobon për kompani ruse. Po ai që klientët e tij i ka nën influenca të tilla. Rama është ai që cfarë nuk ka deklaruar, deri dhe në devijimin e kursit të vendit drejt të tretëve jashtë BE, për të bërë medemek presion për anëtarësim, etj, etj dhe tani drejton gishtin.

Përkundër tij Basha ka qenë personi kyç në negociatat për heqjen e vizave dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me një format thellësisht perëndimor. Ndërkohë fakti që akuzën e bën Rama, vetëm e vetëm të kalojë në heshtje kokainën e Maminasit, plot 615 kg, tonelatat e kanabisit drejt Europës, revoltën e biznesit të vogël, revoltën e artistëve, varfërinë e mjerimin ekonomik të shqiptarëve, koncesionet korruptive, është realisht për të vënë duart në kokë. Rama po pastron para, duke mbjellë beton dhe kjo dihet, por nuk mund të pastrojë dot hijet e së kaluarës dhe së sotmes së tij, duke akuzuar kaq trashë e kaq shëmtuar.

E para fare, personi i përmendur, nuk është rus, sikurse sforcohet për t’u paraqitur e për t’u shitur, me qëllimin e mbrapshtë për të bërë atë lidhjen e shkurtër që ndërpret cdo arsyetim. Është kanadez. Mund të ishte dhe kinez dhe përsëri Rama do thoshte që është rus.

Deklaratat e Ramës më pas të ngritura e të mbajtura në këtë hu, për komplot botëror kundër “arritjeve të tij” e për skenarë destabilizues, më sjellin ndërmend fantazitë e fëmijërisë që na i ushqenin me armiq të supozuar, diversantë, e turlilloj historish dhe njëkohësisht me ngrejnë shumë dyshime për shëndetin mendor të kryeministrit në raportin që ai ka më ligësinë.

Është për t’u shkrirë gazit ta mendosh që rusët na paskan dash me heq këtë proamerikanin e thekur, duke financuar tangencialisht 500.000 euro, nëpërmjet shumë kapërcimeve të tërthorta, kur të gjithë e dinë që Rama direkt për 300.000 euro e më pak ul pantallonat. Me këtë rast dhe rusët nuk na ishin lodh kaq shumë me i rënë nga Amerika për të dalë në Shqipëri, se si rrugë e gjatë shumë duket. Ramën këtu e kanë e nën sqetull e kanë. Me Ramën thonë “tregëtarët” mbaron punë kollaj. Ves që e ka pasur që nga koha e lejeve të ndërtimit në bashki ku inkasonte 20% e famshëm.

E dyta kontrata e PD është sic cdo kontratë tjetër ligjore e cdo partie me një kompani lobimi në cështje të menaxhimit të fushatave elektorale. Gjithcka është pasqyruar me nënshkrime e pagesa. Këtu nuk ka as skema e as skenarë. Kushdo që dëshiron i ka parë, sepse janë qartësisht të pasqyruara.

Nëse partisë suaj do t’i kërkohet fakte nga Prokuroria në lidhje më lobimin që është bërë në SHBA, a do të bashkëpunojë PD?

PD ka qenë transparente dhe në përputhje të plotë ligjore ne veprimet e saj. Nuk ka një çështje të tillë të ngritur nga Prokuroria. Në qoftë se ka një verifikim çdo gjë është aty, e shpallur dhe tërësisht e ndershme e ligjore.

Kritikët e PD, ose të kreut të partisë Lulzim Bashës, pas publikimit të investigimit ku akuzonte PD për bashkëpunimim rus në lobim, kanë shprehur njëzëri që Basha duhet të bëj transparente çdo detajë të kontratës së lobimit dhe të mbajë përgjegjësi për gjithçka. Kritikët e PD kanë shfaqur këto kohë sens të fortë kritik, aq sa shpesh tejkalon dhe kuptimin e vetë kritikës.  E përsëris që është tejkalim i kritikës i përzier me zemërim.

Vetëm pak ditë më parë, Astrit Patozi shprehu pakënqasin për situatën ku ndodhet PD, ku gjithashtu nuk përjashtoi dhe mundësinë e një partie te re me ish-deputetët që nuk u vunë në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Nëse krijohet, çfarë ndikimi do të ketë një parti re brenda të djathtës, ku mund të përfshihen figura të rendësishme të PD?

Është e drejtë e gjithsecilit të projeksionojë dhe të ndjekë ambicjet e veta politike. Kjo gjithmonë duhet bërë në përputhje me një kauzë politike por dhe morale. Nuk mund të ketë kundërkauzë në këtë rast. Në qoftë se përpjekjet shkojnë, siç dhe deklarohet, drejt qëllimit për të mirën e PD, unë mendoj se midis, ka dhe rrugë të tjera alternative bashkëpunuese më shumë efikase se sa thjesht shpallja e një force politike. Basha ka qenë gjithmonë ofertues ndaj çdo bashkëpunimi që i shërben qëllimit të përbashkët. PD është parti e madhe ku secili, nisur që nga anëtari më i thjeshtë ka aksionet e veta në formë kontributesh, përkushtimesh e vlerësimesh. Këto nuk janë aksione tregëtare por shpirtërore e idealesh. PD nuk është pronë. Por askush nuk mund t’i marrë këto aksione nominalisht jashtë emrit të PD, pasi çdo largim i zeron vlerën aksioneve, para opinionit publik dhe tregut politik.

Gjatë historisë sa saj PD, për natyrën e saj demokratike dhe për shkak të lirisë e pasurisë së opinioneve ka gjeneruar disa forca politike, por që në analizë të fundit i janë atashuar asaj në vite më pas.

A mendoni se PD mund të ndahet në dy kampe të ndryshme?

Në PD nuk ka kampe dhe nuk është parti përjashtuese. Në cdo rast ka dhe do të ketë kritikë të saj, kritikues të drejtimit, apo të mbarëvajtjes së punëve e çështjeve politike. Tek e fundit një nga vlerat e demokracisë së brendshme të një force politike është ekzistenca e pajtimi i pikpamjeve të kundërta.

PD-së i janë kthyer kundër ish-deputetë që kanë kontribuar për ngritjen e saj, a është PD drejt një përçarjeje dhe sa e penalizon kjo në zgjedhjet e ardhshme?

Politika lëviz në shumë korridore dhe të qenit apo jo deputet është një nga korridoret e mundshme, sikurse një cikël me kohëzgjatje relative. Politika ofron shumë angazhime të tjera, brenda së cilave çdokush mund të jetë performant.  Çdo njeri brenda PD ka vlerën e vet as të mbirritur e as të nënvlerësuar pasi është diçka që nuk zhbëhet apo të artificializohet. Përkundrejt kësaj çdo kontributor do ketë gjithmonë vendin që i takon, pavarësisht këndvështrimeve emocionale të momentit. Politika është kontribut në lëvizje vektoriale që ka brenda saj shumë komponentë. Të gjithë këta komponentë duhet të jenë në harmonizim midis tyre, pa prevaluar asnjëri mbi tjetrin.

Në bindjen time në fund, pavarësisht diferencave do jemi të gjithë në të njëjtën llogore.

Duke parë që LSI i është bashkuar PD në protestat e fundit, a është ky një koalicion paraprak para zgjedhjeve të ardhshme?

Jemi në një bashkëpunim dinamik opozitar për t’u përkushtuar në një betejë të paprecedentë politike, me një mazhorancë që nuk njeh as skrupuj moralë e as politikë, e cila është gati të sakrifikojë çdo gjë kombëtare, morale  dhe njerëzore, vetëm e vetëm të mbajë pushtetin. Ky bashkëpunim nuk parakupton dhe parakushtëzon koalicione të cilat më shumë se partitë politike i vendosin vullnetet sipërore të sovranit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.