AKTUALITET

La 6 vajza të mitura mes skamjes, i vëllai i gruas shtatzënë që vdiq në Kukës: Çfarë do bëhet me mbesat?

10:54 - 14.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

KUKES – Motra la 6 vajza të moshës 6-14 vjeçe, të cilat jetojnë në kushte ekstreme varfërie. Nuk e dimë ende se çfarë do bëhet me fatin e tyre”. Kështu është shprehur ditën e djeshme vëllai i 39-vjeçares, e cila humbi jetën së bashku me foshnjën në muajin e 9 të shtatzënisë. Teksa familja ka hapur dyert e mortit, mes lotësh dhe dhimbjes se madhe Rexhep Oka, vëllai i Nurije Poçi, tha se është i shqetësuar për fatin e 6 mbesave të tij, të cilat përveçse mbeten pa asnjë prej prindërve jetojnë në mes të mjerimit. Oka shprehet se ishte varfëria e tejskajshme që detyroi të motrën që në kushtet e depresionit të tentonte të ndërpriste shtatzëninë e saj e me pas të ndërronte jetë në spitalin e Kukësit.




“Në gjendje më të dobët nuk ka ku shkon më, me qira. Varrimin e kanë bërë të bashkisë”,- u shpreh vëllai i viktimës, Rexhep Oka. Ndërkohë mjekët e maternitetit të Kukësit, bënë me dije se pacientja Nurije Poçi, u paraqit në urgjencën e maternitetit më datë 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupturë të shprehur të uterusit. Sipas mjekëve mësohet se pacientja ka tentuar disa herë në shtëpi të dëmtojë barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital të gjendje të rënduar me hemorragji të shprehur. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rëndë e pacientes dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor e sëmura ndërroi jetë në ora 01 e 30 të natës.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, psikologja e Shërbimit Social pranë Bashkisë Kukës thotë se kjo familje ka qenë në vëmendjen e shërbimit social, ndërsa është hartuar një plan konkret për të ndërhyrë dhe pasi familjarët të vendosin për kujdestarin, do të ndjekim të gjitha hapat në bazë të ligjit. “Ndihem pak keq në këtë situatë por realisht kjo familje s’ka qenë jashtë vëmendjes së Shërbimeve Sociale. Kemi vite që jemi marrë me këtë familje duke i ofruar të gjitha shërbimet e mundshme që kemi në dispozicion si bashki. Që dje jemi vënë në lëvizje për të marrë në kontroll situatën e 6 vajzave jetime. Po merremi me procedurat për të parë situatën hap pas hapi, edhe për ta ndjekur në vazhdimësi”, thotë psikologja.

Nurije Poçi prej disa vitesh jetonte së bashku me fëmijët në lagjen nr.3 të Kukësit (tek ish-Barakat). Fqinjë të 39-vjeçares pohuan se ajo jetonte në varfëri ekstreme, pasi nuk kishte asnjë të ardhur, ishte e papunë. Banorë të tjerë të këtij qyteti u shprehën se Nurija nuk arrinte të siguronte as bukën thatë për 6 vajzat e saj, ndaj është detyruar që të bëjë vetë abort në banesën e saj me mjete rrethanore. Burimet e mësipërme thanë se 39-vjeçarja me origjinë nga fshati Surroj, nuk kishte mbështetje as nga familjarët e saj, të cilët e kishin braktisur duke e lënë në pikë të hallit.

Fëmijët humbën vetëm para disa vitesh babain nga një vdekje natyrale, E mbetur e ve dhe me 6 vajza, Nurija edhe më parë kishte bërë apel shtetit për ndihmë, pasi nuk kishte se si t’i ushqente të voglat e saj. Tashmë 6 vajzat e mitura kanë humbur edhe mamanë, duke mbetur në mëshirë të fatit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.