Byroja e Sigurimit do të shpërndajë një fond prej 230 mijë eurosh për të dëmtuarit në aksidente automobilistike. Janë në total 206 persona, të cilët janë palë e dëmtuar në aksidente rrugore dhe që prej 16 vitesh prisnin të merrnin dëmshpërblimin.
Pagesat
Janë të paktën 206 përfitues nga Fondi i Kompensimit, të cilët kanë praktika të miratuara, por të papaguara që i takojnë periudhës 2002-2013 dhe kapin një vlerë 230 mijë euro, por përfituesit nuk ka qenë e mundur të kontaktohen deri më tani. Publikimi i listës u bë nga ana e Byrosë së Sigurimit pas kërkesës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. “Byroja i kërkon përfituesve të listës emërore që të paraqiten pranë zyrave të saj, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, për të përfunduar me procedurat e pagesave.
Autoriteti i fton qytetarët që janë pjesë e listës së përfituesve të paraqiten pranë Byrosë. Për çdo problematikë apo për më shumë sqarime në lidhje me procesin, çdo qytetar mund të paraqitet pranë zyrave të AMF-së.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbetet shumë i angazhuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e besimit të tyre në treg. AMF, ashtu siç ka vepruar përmes shumë vendimeve të marra gjatë vitit 2017, do të vazhdojë të fokusohet te mbrojtja e interesave të qytetarëve.
Për këtë arsye, Autoriteti e konsideron shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që nga viti 2002, objekt i Fondit të Kompensimit ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së tij gjatë këtij viti” thuhet në njoftimin e AMF.