Intervista

Si të përllogarisni pensionet e pleqërisë

14:20 - 16.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pensionistët shpeshherë nuk janë të qartë në lidhje me përllogaritjen e masës së pensionit të pleqërisë që iu takon e ankesat e tyre adresohen drejt Institutit të Sigurimeve Shoqërore apo dhe ekspertëve të fushës.




Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare“, Sabah Goci, me një eksperiencë mbi 21 vjeçare pranë ISSH-së, tregon formën e saktë për llogaritjen e masës së pensionit, në mënyrë që qytetarët të mos gabojnë. Eksperti thotë se mosha dhe vitet e punës me kontribute janë dy kriteret bazë për të përfituar pension pleqërie e më tej shprehet se prej 1 janarit të 2015-ës, janë futur elementë të rinj brenda formulës, duke përfshirë edhe pensionin social.

Më tej, Goci shpjegon për të gjithë të interesuarit pagën referuese dhe koeficientët e indeksimit të pagës si dhe formulën e llogaritjes së masës, e cila është: Pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Gjithashtu, eksperti i pensioneve tregon për lexuesit të gjithë dokumentacionin që duhet të paraqesin të interesuarit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe mënyrën si duhet vepruar në rastet kur humb libreza e punës.

Çfarë është pensioni i pleqërisë dhe cilat janë kriteret për ta përfituar atë?
Pensioni i pleqërisë nënkupton marrjen e një të ardhure kur individi e humbet aftësinë për punë, jo për shkak të gjendjes shëndetësore, por për efekt të moshës. Mbi moshën dhe gjendjen e një personi janë përcaktuar e vlerësuar dhe kriteret e marrjes së pensionit të pleqërisë, bazuar në ligjin 7703. Ky i fundit nënkupton trajtimin me përfitime afatgjata të grupeve të interesit (individët kandidatë për të dalë në pension), të cilët është mirë që të kenë sa më shumë vite pune me kontribute. Për të përfituar pension duhet që kandidati të ketë jo më pak se 15 vite punë si për gratë dhe për burrat. Ndërkaq, ky pension merret kur burri kalon moshën 65 vjeç, e kur gruaja mbush moshën 60 vjeç e 8 muaj për vitin 2018-të. Por mosha e daljes në pension për gratë është fleksibël, pasi në 2019-ën, mosha e daljes në pension për gratë do të jetë 60 vjeç e 10 muaj.

Cilat janë disa nga ndryshimet që janë bërë në formulën e përllogaritjes së pensionit pas reformës së 2014-ës?
Vetë formula e përllogaritjes së pensionit, e cila është ndryshuar duke filluar nga 1 janari i 2015-ës, ka futur elemente të reja brenda saj duke futur edhe atë që quhet pension social. Ky i fundit është stabël, fiks, niveli i të cilit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Pensioni social i jepet çdo personi që del në pension pleqërie kur mbush moshën.

Si bëhet llogaritja e pensionit të pleqërisë?
Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: Pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Një qytetar që ka filluar punën në vitin 1975 deri në 2018-ën, pa ndërprerje, pra ka 43 vite pune me kontribute. Pensioni do të llogaritet nga viti 75′ kur individi ka filluar punë për herë të parë, deri në 2018-ën me pagat që ai ka gëzuar. Por meqenëse gjatë viteve të tranzicionit, u dëmtua dokumentacioni dhe nuk mund të gjendeshin dokumentet e pagave për pensionistët, në 2007-ën, u mor një vendim i Këshillit të Ministrave që quhet “Vendimi i Këshillit të Ministrave për pagën mesatare për bazën e vlerësuar për efekt llogaritje të pensioneve” ose siç quhet ndryshe paga referuese. Ky është një vendim unik që ka të pacaktuar në disa tabela të veçanta llojin e punës që ka bërë individi nga dita që ka filluar punën deri në ditën që e ka lënë atë.

Çfarë është paga referuese?
Në rastin kur një individ ka qenë mësues për 40 vite dhe ka pasur një pagë mësuesi, duhet që patjetër këtë funksion që ka pasur ta ketë të shprehur qartë në librezën e punës. Pra, nuk i kërkohen vërtetime pagash nga viti që ka filluar punën por i kërkohet vetëm një librezë pune e pastër, e plotësuar sipas dispozitave të kohës dhe e pakorrigjuar, e pa ndërhyrë brenda saj. Ky është një dokument themeltar mbi të cilin llogaritet pensioni para vitit 93′. Këto paga referuese i shërbejnë individit nga dita që ka filluar punë deri në 31 dhjetor të 1993-it e këto paga kanë koeficentët e vet të indeksimit.

Si duhet ta kuptojnë qytetarët termin “koeficient indeksimi” dhe për çfarë shërben ky koeficient?
Koeficientët e indeksimit janë ata koeficentë që kërkojnë që pagën mbi të cilën janë paguar kontributet, ta aktualizojnë e ta sjellin në nivelin e vlerës së pagës sot, pra t’i heqin efektin “gërryes” të inflacionit. Paga e një mësuesi që ka filluar punën me kontribute në 1975-ën, deri në janar në 94-ën, me gjithë indekset e ndryshimet që kanë ndodhur, është e tillë që shkon 4110 lekë. Kjo pagë, indeksohet sot me një koeficient 8.59. Pra ajo pagë mësuesi që ka qenë 7 mijë lekë të vjetra, po ta aktualizojmë sot del 360 mijë lekë të vjetra. Edhe ky indeks sot është i përshkallëzuar, e fillojnë nga 94′ deri në momentin që del në pension. Viti 2018 nuk ka indeks, kurse viti 2014, 2015 kanë koeficientët respektivë.

Po në rastet kur individi ka punuar me paga të ndryshme, si bëhet përllogaritja?
Pasi bëhet indeksimi, formula sesi llogaritet baza e vlerësuar mesatare është formula e bazës mesatare të vlerësuar të ponderuar, pra merren pagat për periudhën deri në vitin 1994, llogaritet një pagë e kjo ponderohet me vitet e punës. Individi edhe mund të ketë ndryshuar pozicion pune që ka pasur rrogë më të lartë, por edhe kjo indeksohet e del vlerë më e lartë. Në këto kushte gjithë periudha ponderohet, e individit i del një pagë mesatare bazë e vlerësueshme, e cila shumëzohet me 40%, në rastet kur ka punuar 40 vite (1% për çdo vit pune). Pas kësaj del një vlerë së cilës i shtojmë edhe pensionin social dhe marrim vlerën përfundimtare të pensionit të pleqërisë. Nëse baza mesatare e vlerësuar del në vlerë më të madhe, po ashtu do të rezultojë edhe pensioni. Kjo është mënyra më e thjeshtë për llogaritjen e pensionit.

Cili është dokumentacioni që nevojitet për të përfituar pension pleqërie?
Individi që mendon se mund të përfitojë pension pleqërie duhet të bazohet te kriteret, mosha dhe vitet me kontribute. Domosdoshmërish duhet të ketë dokumentin që vërteton moshën, e cila duhet të jetë mbi 60 vjeç e 8 muaj për gratë e mbi 65 për burrat. Tashmë është më e thjeshtë për ta verifikuar vërtetësinë e moshës, pasi vetë ISSH ka akese mbi regjistrin themeltar të shtetasve. Megjithatë, qytetari duhet të dorëzojë një fotokopje të kartës së identitetit, e në rastet kur pretendon të marrë kompensime të tjera që i bashkëngjiten pensionit, duhet të dorëzojë edhe dokumente të tjera si certifikata familjare për të verifikuar pjesëtarët e familjes. Kur individi mendon se ka 40 vite punë, duhet të paraqesë librezën e punës dhe dokumentin që vërteton pagat që ka marrë nga 1 janari i 1994 e deri më sot.

A mund ta shpjegoni më specifikisht ku qëndron ndryshimi mes periudhës nga vitet para 1 janarit të 94′-ës dhe pas kësaj date?
Për të gjithë ata që kanë punuar pas 1 janarit të vitit 1994 e deri më sot, listpagesat janë grumbulluar në arkivin e sistemit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore që funksionon edhe sot. Ndërsa për periudhat kur individi ka punuar para vitit 1994, shërben libreza e punës dhe nuk është e nevojshme të sjellë vërtetime page.

Si veprohet në rastet kur libreza e punës humbet?
Kur individi humb librezën e punës, ai duhet të paraqitet pranë ISSH-së, madje edhe në rastet që ende vazhdon të punojë me kontribute. Në këtë rast, personi bën një kërkesë deklarative në të cilën jepen të dhënat individuale të personit, paraqitet historiku i të gjitha punëve që ka bërë i siguruar. Dhe pas kësaj duhet të shpjegojë që vetë personi të fjalë kërkon të pajiset me një dokument të ri ku të konfirmohen të gjitha vitet e punës që individi ka kryer. Organet e sigurimeve shoqërore, janë të detyruara ta marrin kërkesën deklarative dhe të vënë në dijeni qytetarin që duhet të presë jo më shumë se 60 ditë, derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi të gjitha punët që ka bërë personi.

Cila është zgjidhja kur verifikimi nuk mund të kryhet pasi ndërmarrjet ku ka punuar personi mund të kenë humbur dokumentet?
Qytetarët përgjithësisht nuk duhet të shqetësohen! Rastet që përbëjnë pak problem janë kur individi ka punuar në ndërmarrje ku dokumentet janë djegur si Kombinati “Josif Pashko”, miniera e Valiasit etj. që nuk kanë regjistra themeltarë. Në këtë moment, kur nuk ka mundësi për t’u zgjidhur problemi në mënyrë administrative, qytetari duhet të drejtohet në gjykatë. Merr një vërtetim negativ pranë ISSH-së që mungojnë dokumentet dhe mbledh gjithë provat, përfshirë këtu edhe dëshmitarët. Gjykata është i vetmi organ që konfirmon dhe vërteton kohën dhe të qenit apo jo në marrëdhënie pune.

Në cilat raste dokumentacioni mund të vlerësohet si i pasaktë?
Dokumenti, pra libreza e punës mund të vlerësohet si e pasaktë në ato raste kur ka ndërhyrje, falsifikim datash, korrigjime vulash apo dublikatë libreze. Në momentin kur ka dublikatë të librezës së punës me siguri ka një “ngërç” e menjëherë duhet të verifikojnë regjistrat themeltarë, borderotë, apo listpagesat që të vërtetojnë faktin që individi ka qenë realisht në marrëdhënie pune.
Cilat janë disa nga problemet që shqetësojnë më së shumti pensionistët? A janë ata të kënaqur me masën e pagesës që marrin?
Natyrisht që ankesa ka! Dhe këto ankesa ndahen në disa kategori si ankesa për mungesën e dokumentacionit si dhe ankesa për mënyrën teknike të llogaritjes së pensionit. Mendoj që inspektorët janë specialistë, por mund të ketë edhe ndonjë gabim në hedhjen e pagave. Ka dhe një grup tjetër qytetarësh që ankohen për masën e vogël të pensionit, e ka shumë kërkesa të tilla. Duhet shpjeguar individit në mënyrë të detajuar dhe sa më saktë mënyrën e llogaritjes. Masa e pensionit sot në Shqipëri, është e vogël dhe politika e di këtë. Por dhe kontributet që janë derdhur janë në nivel minimal, në paga minimale. Një pension minimal shkon rreth 9 mijë lekë të reja në muaj.

Përllogaritja/ Pensioni social, në varësi të viteve të punës (shembull)
Një grua që ka mbushur moshën 60 vjeç e 8 muaj, merr një pension pleqërie, por mund ta marrë të plotë ose të pjesshëm, në raport me vitet e punës që ka kryer. Nëse kjo grua ka 36 vjet e 4 muaj punë, e merr pensionin e plotë, e nëse ka më pak, (minimumi duhet të jetë 15 vjet) e merr pensionin për sa vite punë që ka. Nëse ka 15 vite punë, atëherë 15 do të pjesëtohet me 36.4 e ky koeficient që del, rreth 40-42% është koeficienti i atij pensioni që do të gëzojë individi. Në rastet kur një njeri ka 40 vite pune, ne pjesëtojmë 40-ën me 36.4 e si rezultat del një koeficient 1.1 i cili fillimisht korrigjon pensionin social, pra ky individ që ka 4 vite pune më shumë merr 10% më shumë nga masa e pensionit social, falë viteve të punës. Pra nga 7 mijë lekë, ky individ do të marrë 7700 lekë pension social. Shuma e viteve të punës ka influenca edhe në masën e pensionit të pleqërisë së përllogaritur sipas formulës.

Sigurimi vullnetar/ Goci: Mekanizëm për të ndihmuar qytetarin
Qytetarët mund të bëjnë edhe sigurim vullnetar. Nëse individi ka mundësi financiare nuk paguan kontribute për pagën 24 mijë lekë, që është edhe paga minimale sot, por paguan për një pagë dy apo tre herë më të madhe, në mënyrë që të influencohet mbi llogaritjen e bazës së vlerësuar mesatare. Kjo skemë vullnetare është e lejueshme dhe për të gjitha ato vite që nuk janë plotësuar për arsye të ndryshme. Individi para se të mbushë moshën për pension, duhet të shohë edhe këto anë, e të plotësojë gjithë periudhat që nuk ka kontribute të derdhura. Këto vite mund të paguhen vullnetarisht me pagë minimale, apo dhe shumëfishat e saj. Ky është një mekanizëm për t’i ardhur në ndihmë qytetarit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.