OPINION

Teatër i ri: Një zgjidhje që i kënaq të gjithë…

07:40 - 16.03.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Teatër i ri? Pse jo? Madje shumë teatro të rinj. Tiranës së një milion banorëve i duhen së paku 20 teatro të rinj, në qoftë se ne e duam seriozisht artin dhe mendojmë për të ardhmen e artit dhe kulturës shqiptare. Ka 28 vjet që vëmendja është spostuar nga teatrot, ndërkohë që dikur, hyrja në teatro konsiderohej nga të gjithë ne si një ditë e gëzueshme, si një festë…Për të gjithë ata që nuk e dinë vlerën e teatrit, unë do t’u kujtoja tani se ne me teatro jemi rritur.




Teatrot na kanë dhënë dije dhe kulturë, teatrot janë qendra të dijes, por edhe të argëtimit. Për të gjithë ata që kanë pak njohuri për rëndësinë e teatrove unë do t’u kujtoj se vetëm në Shqipëri ka ndodhur katrahura kulturore, jo vetëm në mbylljen e teatrove, të dramës dhe të humorit, jo vetëm në mbylljen e 12 Estradave që luanin një funksion të madh në argëtim dhe në edukimin shoqëror, por edhe në mbylljen e shtëpive të kulturës, shtëpive të rinisë, shtëpive të pionierit, në mbylljen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të gjithë aktiviteteve të tjera kulturore vjetore.

Le të kthehemi te çështja aq e diskutueshme: prishja e teatrit të vjetër dhe ndërtimi i një teatri të ri. Në këtë diskutim ka pasur mendime pro dhe kundër. Pro ka qenë kryeministri, artist, i cili, jo se nuk është kundër teatrit, por mendoi krijimin e një teatri të ri, në kompleksin e ndërtimeve moderne që mendohet të qëndrojë dhe ky teatër. Mendimi tjetër është restaurimi i këtij teatri. Edhe kjo ide qëndron. Madje është shumë e justifikueshme, kur mendon se në qendrën e Tiranës po i vihet kazma të gjitha ndërtesave që mund të qëndronin gati dhe si dëshmi muzeale. Midis këtyre dy versioneve, qeveria me forcën që i jep pushteti vendosi prishjen e teatrit të vjetër dhe në vend të tij krijimin e një teatri të ri, modern. Personalisht nuk jam kundër, megjithëse ende nuk e kam parë projektin. Madje edhe sikur projekti të përmirësohet, sërish nuk jam kundër ndërtimit të një teatri të ri në qendër të Tiranës, pasi, historikisht, por edhe lehtësisht, spektatori e ka më për mbarë ta ketë teatrin e vet, aty ku ka qenë, në qendër të Tiranës. Mirëpo, për t’i kënaqur të dy palët dhe artistë që kanë dhënë jetën në atë teatër, dhe të tjerët që në kushtet e kohës kërkojnë krijimin e një teatri të ri, unë do të mendoja se ekziston mundësia dhe e një version të tretë.

Të lihet teatri i vjetër atje ku ka qenë, të restaurohet patjetër, por të mos preket struktura e tij, madje të funksionojë edhe në të ardhmen si i tillë, ndërkohë që teatri i ri mund të ndërtohet përkrah tij, atje ku u mendua të ekzistojë teatri i ri eksperimental, “Kujtim Spahivogli”. Unë mendoj se ka arsye të mendojmë që  vetëm njeri nga teatrot të ndërtohet i ri. Mund të ekzistojnë së bashku dy teatër në të njëjtin vend, ashtu siç ekzistojnë edhe tani. Duhet kuptuar se vetë shteti, pasi ndërtoi dy teatro funksionalë, në të njëjtin vend, tani vendos të prishi jo vetëm një, por dy teatro. Të gjithë e dinë që territori i teatrit është rreth 6 mijë metro katrorë, Le t’i mbeten 2 mijë metro katrorë dy teatrove, atij aktual dhe atij tjetrit, eksperimental. Kush mund ta kundërshtojë këtë ide? Përse duhet të prishen dy teatro për të krijuar një teatër, të ashtuquajtur modern? Pse të mos kemi dy teatro, pranë e pranë ashtu siç dhe i kemi? Pse teatri historik të mos mbetet dhe si një ndërtesë muzeale, duke pasqyruar në një nga sallat e tij të gjithë figurat e aktorëve tanë të shquar, të gjithë shfaqjet, historikun e saj, me rekuizitën dhe çdo gjë tjetër që i përket historisë së lavdishme të teatrit tonë popullor? Në qoftë se këtu ka synime të tjera, për ta shndërruar këtë qendër në qendër biznesi, atëherë,  të gjithë ne duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se këtu nuk bëhet fjalë për krijimin e një teatri, por për rrëzimin historik të kulturës sonë kombëtare, me gjithë  objektin e saj.

E përmenda dhe pak më lart, ne sot nuk na duhet një e tre teatro. Ne na duhen shumë teatro në Tiranë dhe në rrethe. Kushdo që mendon se ka ikur koha e teatrit dhe ka ardhur koha e gratacieleve  gabon. Kurrë nuk ka ikur dhe kurrë nuk do të iki koha e kulturës së një populli. Progresi i ekonomisë dhe i kulturës kanë ecur në kohëra paralelisht. Po e përsëris sërish thënien e nobelistit Ezra Paund: ”Në qoftë se  letërsia e një vendi pëson rënie kombi atrofizohet dhe kalbet” Nobelisti  e ka fjalën vetëm dhe për gjininë e komedisë dhe dramës kombëtare, e cila sot thuajse ka vdekur, dhe brezat që vijnë nuk do të kenë më drama dhe komedi bashkëkohore, të cilat pasqyrojnë problemet kombëtare dhe ato bashkëkohore. Qytetari i Tiranës  nuk jeton vetëm me bukë, atij i duhet dhe kultura dhe arti, dhe kinemaja e teatri, dhe libri e filmi, dhe estrada dhe komedia, dhe opera dhe baleti, dhe muzika e lehtë dhe ajo instrumentale, dhe piktura dhe skulptura si ato  të Odise Paskalit dhe Kristaq Ramës. Nuk e di, nëse dhe Edi Rama, si i ardhur nga komuniteti i artistëve, si artist dhe bir artisti, do ta ketë këtë dëshirë, në mos për idetë e tij futuriste, së paku në shenjë homazhi për brezin e humbur të artistëve, ku bëjmë pjesë të gjithë dhe ku bën pjesë dhe i ati i tij, skulptori i nderuar dhe i shquar, miku im Kristaq Rama?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.