MILOSAO

Aktivizmi kulturor

13:35 - 18.03.18 Gazeta Shqiptare

Prof. Albert Doja – Një çështje që haset rëndom në etnografinë ballkanike, sidomos në etnografinë shqiptare, është pikëpamja që lidh tiparet kulturore patriarkale me nivele të larta të lindshmërisë, me struktura komplekse të familjes së zgjeruar, me modele të ngurta martesore, apo me mitet dhe ideologjitë kulturore të nderit e të gjakut. Veçanërisht ndërtimi ideologjik i mitit të fëmijëve të shumtë brenda të ashtuquajturave struktura klanore të familjes shqiptare të supozuar patriarkale përcillet rëndom në shkrimet studimore apo në mediat dhe opinionet e stereotipizuara. Pa u ndalur këtu për të vënë në dyshim nëse sistemi familjar shqiptar është patriarkal apo jo, duket se mitet kulturore dhe ideologjitë e lidhura me marrëdhëniet patrilineare u vishen praktikave patriarkale. Shumë komentatorë supozojnë me shumë mendjelehtësi se gjuha dhe ligjërimet patriarkale që mbështesin simbolikisht marrëdhëniet patrilineare rezultojnë në mënyrë të njëtrajtshme në pasoja dhe praktika që thjesht sendërtohen si patriarkale.



Në kundërshtim me pikëpamjet e deritanishme, një lexim më i kujdesshëm dhe një analizë kritike më sistematike e të dhënave demografike, burimeve historike dhe dëshmive etnografike tregon qartë se familja shqiptare është përballur për një kohë të gjatë me nivele veçanërisht të ulëta të lindshmërisë dhe me një moshë mesatare relativisht të lartë në martesë për gratë. Një qasje më analitike e modelit organizativ segmentar të grupimeve agnatike paralele në shoqëritë e Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, mund të zbulojë gjithashtu se struktura segmentare e organizimit shoqëror është e papërshtatshme për të mbështetur supozimin e një familjeje të zgjeruar patriarkale.
Gjithashtu, mbi bazën e një kuptimi më experiencial të dëshmive etnografike, sjellja shoqërore në lidhje me përzgjedhjen e seksit në lindje, si dhe mënyrat e shprehjes së dhimbjes nga ana e grave gjatë lindjes, mund të jetë një tjetër tregues i tërthortë i agjencisë së grave për të rivendosur rolin e tyre në riprodhimin e brezave dhe për të kapërcyer kornizat tradicionale të ideologjisë patriarkale. Në të vërtetë, si gratë edhe burrat shqiptarë ka më shumë gjasa të preferojnë djem, por të dy ka gjasa të provojnë edhe për një vajzë, sidomos pas një djali, madje edhe mund të thonë ndonjëherë se preferojnë që fëmija e tyre të jetë vajzë. Kjo është e vërtetë pavarësisht nga preferencat e tyre të dukshme për djalë, pavarësisht nga mungesa relative e autonomisë së grave në vendim-marrjet riprodhuese, pavarësisht faktit që gratë tregojnë rrallë se sfidojnë vendimet e bashkëshortit të tyre, apo pavarësisht faktit që ato rrallë tregojnë se pajtohen me gjendjen e tyre në familje dhe në shoqëri.

Një qasje morfodinamike dhe analizë transformuese tregon se ndërtimi ideologjik i këtyre miteve, veçanërisht dëshmia e supozuar e fëmijëve të shumtë brenda të ashtuquajturave struktura klanore të familjes shqiptare të supozuar patriarkale mund të hidhet poshtë si një mit apo ideologji familjare. Një mënyrë për ta konceptuar këtë mit është nëpërmjet formalizimit kanonik, në të cilin funksioni empirik i fëmijëve të shumtë qëndron ndaj funksionit patriarkal të familjes së madhe ashtu si funksioni patriarkal i fëmijëve të shumtë qëndron ndaj funksionit të ideologjisë familjare për të krijuar një dëshmi faktike-1, që është një fakt i kthyer së prapthi, një fakt i paqënë apo anti-fakt.
fëmijë të shumtë(dëshmi faktike) : familje e madhe(patriarkal) :: fëmijë të shumtë(patriarkal) : dëshmi faktike-1(familje e madhe)
Në këto kushte, gjithçka që në opinionet studimore dhe mediatike përcillet rëndom si dëshmi empirike nuk është veçse shprehje e një trysnie kulturore që nënshtron si gratë edhe burrat në riprodhimin e normave dhe vlerave shoqërore, duke synuar të kufizojë gratë shqiptare në funksionin e tyre të lindjes dhe burrat shqiptarë në funksionin e tyre të mbrojtjes. Kemi të bëjmë kështu me një aktivizëm të fortë kulturor, i cili vepron si një lloj i asaj që kam quajtur “Viagra kulturore” për mbijetesë shoqërore. Por më shumë se çdo gjë tjetër kjo na lejon të marrim parasysh kushtet strukturore, historike dhe politike në të cilat zhvillohet sjellja shoqërore. Përfundimisht, aktivizmi kulturor nuk shërben veçse për të anashkaluar dhe mbajtur të fshehur një fakt të rëndësishëm të një dimensioni të pastër ideologjik, që mund të zbulohet me anë të formalizimit kanonik të mbarë të dhënave brenda qasjes morfodinamike dhe analizës transformuese.

Politika e përdhunimeve seksuale
Vitin e kaluar në prill 2016, në një Konferencë mbi luftën dhe dhunën seksuale të mbajtur në Qendrën e Studimeve Doktorale të Universitetit të Qytetit New Jork, kam paraqitur një rast tjetër shumë aktual dhe më shumë të qartë. Shpjegimet feministe të përdhunimeve seksuale gjatë konflikteve etnike në ish Jugosllavi dhe vende të tjera kanë vënë gjerësisht në dukje rëndësinë e maskulinizmit misogjinist, duke përgatitur terrenin për një qasje ahistorike, e cila gjithashtu ka sendërtuar një konceptualizim të të ashtuquajturave struktura, norma dhe vlera shoqërore ballkanike të prapambetura. Një mënyrë e zakonshme për t’iu qasur dimensioneve të përdhunimit masiv dhe dhunës seksuale gjatë konflikteve etnike famëkeqe në ish-Jugosllavi ka qenë t’i shpjegojë ato posaçërisht mbi bazën e një sfondi kulturor që mbështetet nga ekzistenca e një shoqërie fisnore, me struktura komplekse të përbashkëta familjare të njohura si zadruga në zonat sllavo-jugore, ligje zakonore të njohura si kanuni në zonën veriore shqiptare, praktika patriarkale apo zakone të tjera të egrish. Kjo nuk është vetëm e turbullt, por edhe e paskrupullt.
Nëse shqyrtojmë nga afër strukturat familjare, vlerat shoqërore dhe praktikat kulturore, si martesa edhe hakmarrja mbështeten mbi simbolin e gjakut dhe të dyja janë institucione që u japin formë si aleancave edhe konflikteve. Nëse martesa ka krijuar një rrjet aleancash shoqërore dhe ka ndarë shoqërinë në grupe ekzogame, edhe hakmarrja ka krijuar një skenar vazhdimisht të lëvizshëm, ku anëtarësitë dhe aleancat strategjike mpiksin vazhdimisht qëndrueshmërinë e grupeve agnatike. Në përgjithësi, lidhja martesore apo mikpritja përjetohej si një marrëdhënie miqësie dhe solidariteti, ashtu si hakmarrja përjetohej si një marrëdhënie armiqësie dhe urrejtjeje. Por nëse lidhja martesore dhe hakmarrja i kundërvihen njëra-tjetrës si modalitete strukturore të asociimimit apo disocimit mes grupeve të ndryshme agnatike, edhe miqësia dhe armiqësia janë pjesë e së njëjtës kundërvënie. Lidhja martesore dhe hakmarrja, miqësia dhe armiqësia ishin vetëm shprehje të ndryshme të një marrëdhënieje të vetme dhe unike strukturore.
Përfundimisht, të gjitha marrëdhëniet dhe vlerat shoqërore mbeten të vendosura nën shenjën e ambivalencës. Në këtë kuptim, në një nivel më empirik, ndjenjat emocionale si dhe marrëdhëniet shoqërore dhe vlerat e martesës, miqësisë dhe mikpritjes duhet të kenë diçka të përbashkët me marrëdhënien e dashurisë dhe solidaritetit ndaj urrejtjes dhe shpërbërjes shoqërore. Pikërisht kjo lloj ambivalence strukturore mund të lejojë një qasje të re teorike dhe metodologjike për të shpjeguar efektivitetin e përdhunimeve seksuale masive si një strategji ushtarake e spastrimit etnik në ish-Jugosllavi.

Martesa është një transaksion i grave që shkëmbehen midis grupeve agnatike të burrave, një transaksion zakonor që synon të vulosë aleancat politike dhe të shlyejë borxhet e gjakut, nderit, apo parave. Në këtë kuptim, martesa nuk është vetëm një institucion shoqëror i marrëdhënieve seksuale, por edhe një rregullim seksual i dhunës shoqërore dhe një institucion seksual i stabilitetit shoqëror. Gjithashtu, edhe përdhunimi si një marrëdhënie seksuale e detyruar nuk është një shprehje e thjeshtë agresive e seksualitetit, por një shprehje seksuale e dhunës shoqërore. Nga pozicioni i logjikës strukturore, martesa bëhet e mundur me anë të aleancës martesore që supozohet të sjellë dashuri, miqësi dhe solidaritet. Në të njëjtën mënyrë, përdhunimi mund të përkufizohet si një anti-aleancë kundërvënëse që bëhet e mundur nga mjetet e luftës dhe që synon domosdoshmërisht të shkaktojë urrejtje, armiqësi dhe shpërbërje shoqërore.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ngjarjet e përdhunimit dhe martesës duhen kuptuar në një marrëdhënie strukturore binare të ngurtë, sepse ka domosdoshmërisht një problem me këtë argument që frymëzohet nga logjika analogjike e Aristotelit, e cila në këtë rast nuk mund të jetë e vlefshme. Marrëdhënia permutacionale midis termave indeksale dhe vlerave funksionale, si të përdhunimit dhe të martesës, mund të kartografohen në mënyrë produktive mbi bazën e një modeli katastrofik sipas teorisë morfodinamike të Lévi-Strauss. Në të vërtetë, jo vetëm lufta është një katastrofë, por përdhunimi seksual në luftë është një katastrofë më vete. Prandaj, mund të paraqitet një model katastrofik për të konceptuar përdhunimin me anë të një formalizimi kanonik, në të cilin roli i solidaritetit të martesës do të qëndrojë ndaj armiqësisë së përdhunimit, ashtu si ambivalenca e martesës qëndron ndaj politikës së përdhunimit të një solidariteti1, i papërshkrueshëm dhe i paimagjinueshëm, që është një solidaritet me kokë poshtë ose një kundër-solidaritet:

martesë(solidaritet) : përdhunim(armiqësi) :: martesë(armiqësi) : solidaritet1(përdhunim)
Këtu përdhunimi zëvendësohet me dhunë nga martesa, e kundërta e vet, ndërsa një inversion korrelativ kryhet midis ambivalencës funksionale të martesës dhe ontologjisë së panjohur e të papërshkrueshme të një funksioni përdhunues të detyruar. Megjithatë, për të kryer një operacion katastrofik të këtij lloji, kërkohet operimi logjik i një kushti kufizues. Një interesim kryesor i studimeve bashkëkohore antropologjike në lidhje me dhunën gjinore gjatë luftës, në ish-Jugosllavi apo në vende të tjera, është roli i ligjërimeve tradicionaliste dhe nacionaliste, që identifikohet këtu në mënyrë matematikore si një domosdoshmëri logjike nga kërkesa e një kushti kufizues për formalizimin kanonik. Në të vërtetë, në një kontekst ku përdhunimi në masë është përdorur qëllimisht si një instrument i mundshëm i spastrimit etnik, gjithçka ka ndodhur sikur aktivizimi i një agjencie të veçantë politike dhe instrumentale të ishte i nevojshëm për të realizuar efektivitetin famëkeq të përdhunimit masiv. Kjo lloj agjencie ideologjike mund të tregohet se ka vënë në plan të parë dhe ka promovuar supozimet kulturore specifike të një grupi të caktuar. Gjatë luftës së Bosnjës dhe luftës së Kosovës në ish-Jugosllavi, kjo ka siguruar në radhë të parë që roli në rritje i ligjërimeve të qëllimshme të shpërthejë rendin moral dhe morfologjinë shoqërore, pikërisht duke nxjerrë në pah përdorimin shkatërrues të nderit të familjes dhe ideologjisë së gjakut. Në të vërtetë, përdhunimet masive të grave kanë patur për qëllim të futin me dhunë një lloj turpi dhe turpërimi si një ndotje shoqërore që duhej të sjellë domosdoshmërisht çrregullimin dhe shkatërrimin e sistemit shoqëror të çdo grupi në tërësinë e vet. Në mënyrë tipike, gjatë luftës, një ndotje e tillë shoqërore dhe çrregullim katastrofik quhet në shqip shfarosje, i cili është një term gjenerik për asgjësim total, por që fjalë për fjalë do të thotë “çrrënjosje farefisnore”.
Duke u kthyer në një terminologji të parafrazuar nga Lévi-Strauss në librin e tij mbi të Pagatuarat dhe të Pjekurat (1964), efektiviteti politik i papërshkrueshëm i përdhunimeve masive paraqitet jo thjesht si një marrëzi e “papjekur” e normave dhe vlerave kulturore, por është kryesisht përdredhja e një dëmi të keq të “gatuar” prej agjencisë ideologjike që ka vepruar si një politikë instrumentale e spastrimit etnik gjatë konflikteve etnike në ish Jugosllavi. Aktivizmi kulturor i nderit të familjes dhe ideologjisë së gjakut bën të mundur më pas që normat dhe vlerat familjare të konvertohen në ideologji etno-fetare, që përkatësia etnike të shndërrohet në vetëdije nacionaliste, që kjo vetëdije të organizohet në konflikt dhe që nacionalizmi i organizuar të bëhet militarist, maskulinist, racist, mizor dhe i dhunshëm.


Politika identitare
Kërkesa e një kushti operativ që në studimin e miteve shprehet si një kusht kufizues në kuptim matematikor mund të jetë me interes të veçantë për studimin e transformimeve identitare, në analizën krahasuese të transformimeve që rezultojnë nga dinamika ndërkulturore, veçanërisht në proceset e ndërtimit identitar dhe të politikës identitare. Kjo më sjell në rastin e fundit, domethënë propozimin kërkimor mbi morfodinamikën e transformimeve identitare europiane që kam ndërmend të zhvilloj gjatë qëndrimit tim në Harvard si studiues vizitues dhe që synon të fuqizojë konstruktivizmin neo-struktural duke kthyer vëmendjen drejt implikimeve thellësisht politike.
Marrëdhëniet shoqërore janë shpesh të çuditshme dhe kundërthënëse. Veçanërisht në fushën e identitetit, praktikat ligjërimore nuk kanë gjithmonë veçori të përcaktuara ontologjike. Shpesh ato duket sikur janë të ngatërruara në kombinime të çuditshme gjendjesh në dukje të papërputhshme të karakteristikave të tyre shoqërore, që mund të jenë etnike-fetare dhe kombëtare-populiste apo qytetare dhe normative. Në këtë kuptim, ontologjitë e identitetit mund të krahasohen me gjendjen në dukje misterioze të grimcave që në mekanikën kuantike quhet mbivendosje. Grupe fizikanësh nga Massachusetts Institute of Technology dhe disa universitete franceze po kryejnë prova në kushte reale për të parë nëse grimcat kuantike ekzistojnë vërtet në gjendje të mbivendosjes. Më duket se një lidhje e krahasueshme kuantike për t’u provuar mund të ekzistojë edhe në fushën identitare midis ideve, vlerave dhe motiveve në dukje të kundërta dhe të papërputhshme. Supozimi kryesor është se transformimet identitare preken nga ideologji kulturore në dukje të kundërta, por që janë në marrëdhënie të ndërsjellë ndaj njëra-tjetrës duke vepruar si instrumente politike të pushtetit dhe hegjemonisë.
(vijon)
*Fjalë e dhënë në
Universitetin Harvard, 20
shtator 2017.
Përktheu nga anglishtja
Enika Abazi.
Marrë nga “Social Morphodynamics: Mapping Identity Transformations, Cultural Encounters, and the Evolution of Core Values.” Social Epistemology Review and Reply Collective, vol. 7, no. 1 (2018), pp. 14-25. https://wp.me/p1Bfg0-3Sz.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *