Intervista

Elson Jaçaj: Portali për infermierët, dështim i hapur

12:25 - 19.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata që kanë përfunduar studimet e larta për infermieri, kanë mundësinë të aplikojnë nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”. Disa ditë më parë u bë me dije se në datën 15 mars të këtij viti do të shpalleshin e emrat e kandidatëve fitues që kalojnë fazën e parë, por deri më tani ende nuk ka një njoftim.




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare“, kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj thotë se ky portal për punësimin e infermierëve është një dështim i hapur. Më tej ai bën me dije se infermierët shprehen skeptikë mbi transparencën e këtij sistemi dhe sqaron se ana praktike, që është baza e Infermierisë nuk është cilësuar në asnjë nga pikat apo kriteret e përzgjedhjes. Gjithashtu Jaçaj thekson se deri më tani punësimet e infermierëve janë bërë përmes ngjyrimit politik, me mik apo dhe me lekë e shprehet se 2-3 javë nuk mjaftojnë për të shqyrtuar rreth 3500 dosje të aplikantëve të interesuar.

Cili është mendimi juaj si drejtues i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë mbi punësimin e infermierëve nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”?

Portali, në këtë kohë që po kalon shëndetësia në vend dhe sidomos infermierët, nuk është zgjidhja e duhur për punësim. Një portal që në lançimin e tij fton të gjithë administratën e punësuar dhe jo profesionistët që janë në kërkim të punës është turp. Një portal që hapet pa pasur një bazë drejtuesi si ekipin e përzgjedhjes së dosjeve të fituesve apo dhe të testimit se kuptoj si mund te lançohet. Dhe një portal që nuk është informues dhe sqarues për ata që janë në kërkim të një pune vështirë të funksionojë.

Sa e besueshme është kjo mënyrë për ju si infermierë?

Është e vështirë të thuhet që do të jetë i besueshëm! E para se ishte i nxituar dhe ata që e lançuan janë akoma të papërgatitur për vazhdimësinë e tij. E dyta, ne e kemi theksuar që më tepër do të jetë si një orientim për ata që kërkojnë punë se ku ka vende pune të lira dhe sa vende pune ka, sesa do t’u krijojë mundësi punësimi profesionistëve që janë në kërkim të punës. Kur u hap portali “Infermierë për Shqipërinë”, do donim të mësonim me kë grup interesi janë konsultuar ministria dhe të tjerët për efikasitetin e këtij portali? Pra, a janë takuar me përfaqësues të shoqatave, me Urdhrin e Infermierit, me Fakultetet e Infermierisë; pasi në ngritjen e pyetjeve apo dhe në testimin teorik apo praktik të infermierëve duhen profesionistë. Dhe nuk dihet kush do të bëjë përzgjedhjen dhe sa transparentë do të jenë në dhënien e rezultateve të drejta.

A mendoni se është një proces transparent, ku fitojnë më të mirët bazuar në meritokraci dhe aftësi?

Nëse doni të vërtetën, jo vetëm unë, por të gjithë infermierët si ata që kanë aplikuar dhe ata që janë tashmë në punë janë shumë skeptikë që ky portal do jetë transparent, e kjo jo vetëm në përzgjedhjen e personave që e meritojnë, por edhe në vazhdimësinë e tij. Kjo sepse si mund të bësh përzgjedhjen e një personi mbi dosjen që dorëzon kur sot të gjithë po i blejnë si licencën e ushtrimit të profesionit, si kualifikimet, ashtu dhe certifikatat e mbrojtjes së gjuhës. Dhe për më tepër, dihet që infermieria është një profesion më tepër praktik se teorik dhe në testim dhe përzgjedhje, ana praktike që është baza e infermierisë nuk është cilësuar në asnjë nga pikat apo kriteret e përzgjedhjes.

Sipas informacioneve tuaja, sa vetë kanë aplikuar dhe sa prej tyre do të përzgjidhen nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”?

Çuditërisht prej kohësh infermierët kanë qenë në kërkim të një vendi pune dhe gjithmonë u thuhej: “s’ka vende të lira, lini dokumentet pasi kur të ketë do ju njoftojmë”. Dhe në momentin kur bëhet lançimi i portalit dalin që janë 420 vende të lira pune? Edhe pse ministria deklaroi 3434 aplikantë, në të vërtetë ka pasur mbi 3500 aplikime. Gjithashtu, një numër i madh të interesuarish nuk ishin të informuar se si të aplikonin dhe sa kohë kishin në dispozicion.

Pra, numri i vendeve të lira të shpallura në portal nuk është i mjaftueshëm, krahasuar me numrin e infermierëve të papunë?
Janë mbi 3500 aplikime për 420 vende të lira dhe kuptohet sa është akoma numri i të papunëve në vend, pa llogaritur faktin që çdo vit mbarojnë infermierinë dhe licencohen me qindra infermierë të tjerë.

A është e mjaftueshme koha për të shqyrtuar dosjet e aplikantëve?
Sigurisht që nuk është kohë e mjaftueshme për asnjë aplikant. Nuk mjaftojnë 2-3 javë për të përzgjedhur dosjet, sidomos kur janë rreth 3500 të tilla. Vetëm për t’i lexuar duhet më tepër kohë, e jo më t’i përzgjedhësh drejt sipas meritokracisë dhe jo sipas mënyrave të tjera, siç ka funksionuar deri më sot (përmes ngjyrimit politik, me mik apo dhe me lekë). Ky është realiteti në vendin tonë!

Në diskutimet që keni organizuar me infermierët, a ka pasur ankesa në lidhje me ndonjë problem teknik të portalit, çka mund të ketë penalizuar kandidatin?

Portali është një dështim i hapur që pa filluar edhe pse nuk pranohet nga ata që e hapën. Një portal që u mbingarkua dhe u bllokua disa herë gjatë aplikimit të infermierëve. E më pas rezultoi që për shkak të kësaj avarie, u kërkua që dokumentet të mos ngarkohen në portal, por të dërgohen dorazi në ministri. Theksoj faktin që këtë informacion nuk e dinin të gjithë aplikantët dhe për më keq u la një afat kohor prej 3 ditësh për këtë gjë. Infermierët me vendbanim në Tiranë mund t’i sillnin dokumentet, por një nga Kukësi apo Saranda, nuk kishte kohë të mjaftueshme për të ardhur deri në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në portal u njoftua se në datën 15 mars do të shpalleshin fituesit e fazës së parë, por deri më tani nuk janë publikuar ende emrat. A keni kërkuar informacion se pse ndodhi kjo shtyrje?

U nxorën disa emra fitues të përzgjedhjes në bazë të dosjeve dhe u tha që një pjesë ka probleme me dosjen dhe u la prapë një afat kohor për të çuar dokumentacionin që iu mungon dhe sërish asgjë. Në datën 15 mars do shpalleshin fituesit e fazës së parë, në bazë të përzgjedhjes së dosjeve dhe do caktohej dita dhe vendi për testimin, që do ishte faza e dytë. Por edhe pse ka kaluar data 15, nuk ka asnjë listë fituesish dhe asnjë njoftim pse po vonon dhe çfarë po ndodh. Nuk i jepet informacion asnjë personi që interesohet në ministri.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Une jam regjistruar dhe kam aplikuar ne portal dhe nuk kam arritur te dorezoj dokumentat ne ministrine e shendetesise dhe nuk mora dot pjese ne provim . Po cfare duhet te bej une qe sorollatem prej dy vjetesh per nje vend pune si Infermiere ku kam konkuruar dy here ne konkurset fallse dhe me jane ulur piket me te pa drejte duke ia dhene vendin e punes te pasurit dhe jo mua qe jam e varfer . kam paraqitur ankimimin tim prane ndermarrjes DSHP ku me eshte bere padejtesia dhe deri ne Ministrine e Shendetesise por nuk kam marre asnje pergjigje.Une jam me shkolle te larte me Master Shkencor me 7 vite pune si infermiere me licience me dy ghuhe te huaja te mbrojtura ne nivelin A2 ku shkaku im i largimit nga puna ka qene gjendja shendetesore.DHe nuk me moren me ne pune .Pse valle nuk behen te gjitha online qofte dokumentacioni qofte provimi nese ka drejtesi, ku vendi i punes qe kerkoj une eshte bosh prej nje viti ne qendren shendetesore Kukes dhe kush e din se per ke po e ruajne ate nder kohe qe une jam pa buke , vete pa pune burrin pa pun femijet ne shkolle.Ku mund ta gjej une drejtesine ne kete vend ku po vdesim nga stresi.Prandaj nuk me duket aspak e besueshme kjo procedure e portalit ku dua te konkuroj dhe nuk me jepet dot mundesia e konkurimit se duhet 6 muaj te hapet portali,ku une dua ta ha buk sot.

    Përgjigju ↓