OPINION

Nëse nuk ndalni dot maskaradën, ndalni futbollin!

11:05 - 19.03.18 Jeton Selimi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E kam thënë dhe e përsëris: këtu duhet një shut down për 10 vite që të gjithë të kuptojnë se çfarë dëmi i bëhet futbollit, pasionit të tifozëve dhe ëndrrave të fëmijëve!




Dje në emisionin Fair Play në News24 u trondita kur dëgjova deklaratën e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziut. “Ndeshjen Teuta-Laçi luajeni në baste, fiton Teuta!”.

Në çdo vend normal të botës do ishte tronditur shteti, prokuroria dhe federata. Në çdo vend normal të botës do bënin çmos të shpëtonin nderin e lojës. Por jo këtu, jo te ne. Këtu kjo është një deklaratë normale. Deklarata të tilla i dëgjojmë përditë, veçse jo në tv. Ky është sistemi i kalbur që ka ngritur një federatë e zhytur në llum dhe allishverishe. Një tufe delexhinjsh që interesohen vetëm që të mbyllin garën sipas rregullave të tyre dhe jo sipas rregullave të lojës. Sot shoh që askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Minimalisht FSHF duhej të kishte reaguar që një ditë më parë, por nuk mundet. Ky është normaliteti i tyre, normalja e asaj që servir çdo javë!

Dje, në përfundim të masakrës së gjyqtarit Sino në dëm të Luftëtarit dhe në favor të Skënderbeut, hasa një tjetër deklaratë tronditëse të trajnerit të bardhekuqve. Ilir Daja pas ndeshjes ndër të tjera tha: “Miku im Lika ka ngatërruar vendin ku jetojmë ne, sepse fair play këtu është paksa i ekzagjeruar”!

Pra kur ndershmëria, gara fair, ka vdekur tek ata që janë +18 në tabelë çfarë duhet të themi për ata poshtë! Kur Ilir Daja, që sa ishte te Tirana nuk linte rast pa u ankuar për gjykimin fillon e bën karshillek atëherë situata është vërtet e  nderë. Nëse Daja do të ishte trajneri kundërshtar në një maskarade tëe tillë, nëse do t’i kishte ndodhur dy vite më parë te Tirana, do kërkonte ndjekje penale për Emirjon Sinon… por, siç fatkeqësisht e pranoi edhe vetë, në Shqipëri nuk ka fair-play, duke filluar nga ai vetë in primis!

Hidhni sytë nga Greqia. Federata është e paaftë të ndalë dhunën që kulmoi me skandalin e presidentit të PAOK-ut, Ivan Savvidis, i cili hyri në fushë i armatosur! Sot në Greqi futbolli është ndalur përkohësisht, por nëse gjerat nuk ndryshojnë do të ndalet për shumë kohë derisa situata të ndryshojë. Kostot janë të larta vërtet, por barra e turpit, e mashtrimit, vjedhjes, fiksimit të ndeshjeve është shumë më e rëndë sesa të mos luhet futboll… të paktën derisa Armand Duka me shpurën e tij, presidentët e klubeve me oborrtarët e tyre, t’i vënë gishtin kokës!

Një futboll të tillë askush nuk e do!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.