Fol me Psikologen

Nëse shkoj tek psikologia kam frikë se njerëzit do mendojnë se jam e çmendur

11:12 - 19.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përshëndetje! Jam një vajzë 33-vjeçare. Jam shumë kurioze të di se pse duhet të konsultohem me psikologen kur në fakt problemet e mia mund t’i ndaj me njerëz të besuar si shoqet e ngushta apo njerëzit e shtëpisë. Nëse shkoj tek psikologia njerëzit do mendojnë se jam çmendur dhe do më shohin me një sy të keq, edhe pse kam menduar disa herë të shkoj për këtë arsye kam hezituar. Të lutem më jep një përgjigje.




-Përshëndetje e dashur dhe të falënderoj që më ke shkruar për një çështje e cila në fakt është tepër e diskutuar. Të gjithë ne në të përditshmen tonë përballemi me stresorë të shumtë dhe me situata të vështira siç janë sëmundjet, konfliktet, divorci, humbja e punës, vdekja etj dhe të gjitha këto sjellin në jetën tonë një stres të jashtëzakonshëm. Jo vetëm këto, por edhe situata të tjera më të lehta të cilat mendojmë së mund t’i kalojmë fare thjeshtë ndodh që sjellin një çekuilibrim të jetës sonë.

Të gjitha këto sjellin pasoja fizike dhe psikologjike madje ndodh të sjellin sëmundje dhe çrregullime serioze. Kur arrini në një moment të tillë në jetë e keni të domosdoshme që të flisni me dikë dhe të ndani me të momentet e vështira. Nëse flisni me një mik apo mikeshë tuajën, apo me një të afërm ai apo jo mund t’ju dëgjojë, por ai nuk mund t’ju ndihmojë se si të menaxhoni stresin, emocionet apo ankthin që po përjetoni. Psikologu është një person që përveçse i besuar, ka përgatitjen profesionale për t’ju ndihmuar që të arrini ta bëni këtë.

Psikologu është ekspert dhe merret me sjelljen njerëzore andaj duke përdorur teknika dhe instrumente të ndryshme në bazë të hulumtimeve të bëra në këtë fushë ai ju ndihmon të identifikoni problemet dhe të kuptoni se si mund të përballeni më mirë me to. Psikologu në kulturën shqiptare ka hyrë tepër vonë dhe do duhet akoma kohë për të kuptuar rolin dhe rëndësinë që ai ka. Për sa i përket paragjykimit dhe etiketimit se nëse shkon tek psikologu je “i çmendur” më duhet të them se kjo vjen si pasojë e mungesës së informacionit. Në fakt vetë fjala “e çmendur” kërkon një shpjegim më vete.

Këshilla ime e drejtpërdrejtë lidhur me hezitimin tuaj është kjo. Ti je personi që duhet të vendosësh nëse do duash më shumë veten dhe do kujdesesh shumë për të, apo do zgjedhësh të shkosh pas turmës e cila ne rastin konkret ti po e lejon të vendosë për fatin tënd. Pavarësisht kësaj, nëse individi që shkon tek psikologu dëshiron që ky informacion të mbetet konfidencial ka të gjitha mundësitë për ta bërë këtë, në bazë të kodit etik psikologu është i pari që e respekton këtë parim. Gjithçka thuhet në terapi mbetet po aty.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.