KULTURË

Teatri Kombëtar, Artistët kundër projektit të Ramës, nxjerrin projektin e tyre

14:00 - 20.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Aktorët kanë dalë sërish së bashku, këtë herë për të kundërshtuar hapur projektin e Teatrit Kombëtar prezantuar një javë më parë në kryeministri. Meqë gjatë prezantimit shumë prej zërave kritikë nuk ishin thirrur, ata janë mbledhur dje në mbrëmje për të thënë njëzëri që janë kundër bashkëpunimit Publik- Privat për ndërtimin e Teatrit. Që prej muajit shkurt aktorët janë në një debat të hapur me qeverinë kundër: disa kundër shembjes së godinës ekzistuese, e disa për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar. Në takimin e djeshëm morën pjesë emra të njohur të artit nga Bujar Kapexhiu, te Ben Derhemi, Genc Fuga, Genti Zenelaj etj. Fjalën e hapjes e mbajti Derhemi si kryetar i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, duke thënë se kjo është një çështje që nuk fillon me fjalën shembje. Të pranishëm ishin edhe Gjergj Bojaxhi, që kërkoi transparencë e Sazan Guri që po ashtu mbajtën qëndrim kundra projektit.




Dje mes të tjerash, artistët kanë prezantuar një projekt tjetër për teatrin. Më shumë se sa projekt i detajuar, ai është një propozim që mes godinës së Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental, të ndërtohet një godinë që do të shërbejë si teatër pa i shembur godinat që janë. “Ideja ime është që ruajmë dy godina e fitojmë një të tretë”, tha Bujar Kapexhiu.

DEBATI
“Do të shembet, sepse ai nuk bën as për teatër komune dhe jo për një teatër kombëtar. Ky debat ka 20 vite. Ata që kundërshtojnë sot nuk kanë emrin e atyre që kundërshtonin 20 vite më parë. Të punojnë për emrin e tyre”, ka thënë kryeministri Edi Rama të hënën e shkuar.

Pas prezantimit të projektit të Teatrit të ri Kombëtar, kryeministri Rama theksoi se do të vijohet puna që projekti të realizohet brenda vitit të ardhshëm me Partneritet Publik Privat. Po atë ditë, Ndrenikës iu pre fjala dhe nuk u transmetua në profilin e kryeministrit në “Facebook”, por “Gazeta Shqiptare” zbardhi fjalën e tij, ku Ndrenika kërkoi një teatër nga shteti pa PPP.

Dje, plot një javë nga prezantimi i projektit, artistët treguan se nuk ndryshojnë qëndrim dhe dolën sërish kundër. Në takim mori pjesë edhe “Nderi i kombit”, aktori i madh Robert Ndrenika, i cili theksoi sërish se është kundër ndërtimit të teatrit nëpërmjet Partneritetit Publik-Privat. “Mua nuk ma heq njeri nga mendja. Maqedonia u bën teatër shqiptarëve. Pra, nuk jam fare dakord për formulën PPP. Më paraqiti zoti Kapexhiu një variant, më pëlqeu. Ka disa variante. Le të bëjnë ato 6-7 kulla që duan të bëjnë. Ne le të na japin sheshin përpara të vëllezërve Frashëri. Pra ka variante. Unë jam kundër variantit PPP, sepse në të gjitha këndvështrimet ky variant është për të përfituar privati dhe jo teatri”, deklaroi Ndrenika. Pas tij, fjalën e mori aktori Bujar Asqeriu, i cili ka paralajmëruar se Teatri Kombëtar ekzistues përbën rrezik jo vetëm për aktorët, por edhe për spektatorët. Në një takim konsultues mes artistëve për projektin Teatrit të ri Kombëtar, aktori Asqeriu bëri të ditur se aktualisht, veç kushteve skandaloze, rrezik janë është viruset dhe sëmundjet e shumta që ndodhen për shkak të kushteve aspak higjienike. Sipas aktorit, në tërë këto vite, nuk është bërë asnjë investim në funksion të teatrit. Ndërsa sa i përket projektit të prezantuar nga kryeministri Rama, Bujar Asqeriu theksoi se në atë takim artistët u fyen, pasi iu prezantua një projekt pa u konsultuar më parë.

“Shpejtësia me të cilën u paraqit ai projekt, pa asnjë konkurs, më duket se ishte i gabuar. Dhe i gjykuar në këtë sens, është jo vetëm i gabuar, por me shumë gabime brenda. Dhe pa u konsultuar dhe pa marrë mendimin e atyre që ishin të ftuar aty të paktën, është një fyerje shumë e madhe. As i pyeti, as asgjë, punë e tij si e mendon. Teatri ekzistues është i kalbur në të gjitha drejtimet, sepse prej vitesh nuk është hedhur asnjë gjë. Por cila është më e rrezikshmja? Më e rrezikshmja për mua, në tërë prapavijën e Teatrit, gëlojnë viruse shumë të rrezikshme jo vetëm për aktorët, por edhe për spektatorët. Prandaj rikonstruksioni i atij teatri duhet të jetë me themel”, tha Asqeriu.


Shfaq Komentet (2)

Leave a Reply to ARMANDO LULAJ Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pershendes qendresen e aktoreve! Aktoret kane te drejte! Duhet ndertuar Teatri i ri Kombetar me parametrat e kohes ne territorin perkates te Teatrit dhe nuk duhet te kufizohet me kulla. Artistet dhe populli kulturdashes shqiptar duhet ta mbroje Tetrin Kombetar me trupat e tyre! Teuta

    Përgjigju ↓
    1. … Duhet te ripikturohet mbi kanavacen, paqartesisht te cmueshme, “Mbjellja e Pemeve” te Edi Hiles! Pasi ta kemi kruar e zhdukur teresisht, tja japim ne perdorim Forger-it te Maria Lassnig, i cili do tja dhuroje me pas Muzeut te Ri te Arteve te Shqiperise. Jam i bindur qe te gjithe do ta pranonin kete propozim – edhe vete autori…Une nuk mund te pajtohem me qendrimin e aktoreve te Teatrit. Ata kujtojne se jane akoma ne skene dhe riperserisin te vetmin Akt qe njohin. Tashme Akti nuk mund te jete i njejti dhe mbi te gjitha nuk mund te luhet me ne Teater. Aktore dilni nga skena e Teatrit, luani rolin tuaj historik dhe mbroni Godinen e pazevendesueshme te Teatrit Kombetar.

      Përgjigju ↓