OPINION

“Titaniku” i Austrisë në brigjet shqiptare

07:45 - 20.03.18 Florian Doschek
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Për Titanikun foli gjithë bota…” thoshte dikur një i mbijetuar nga fatkeqësia e natës së 18-19 marsit 1918, ndërsa anija austriake “Linz” u harrua. Kjo tragjedi u la në harresë dhe nuk u xhirua asnjë Hollywood-Blockbuster. Shumë pak nga vizitorët e sotëm, që vizitojnë Kepin piktoresk të Rodonit, e dinë se atje, në det të hapur ka ndodhur një nga tragjeditë detare më të mëdha të historisë. 100 vjet pas mbytjes së “Linz” para brigjeve shqiptare, 100 vjet pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, është koha të kujtojmë këtë fatkeqësi të Austrisë së vjetër, këtë fatkeqësi mbarë europiane, por mbi të gjitha këtë fatkeqësi njerëzore.




 Shërbimi për Lloyd-in austriak

Para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Trieste ishte porti detar civil më i rëndësishëm i Austrisë së vjetër dhe shërbente si një portë drejt botës. Shoqëria “Lloyd-i austriak” drejtonte nga Trieste një rrjet detar të dendur dhe lidhte Europën Qendrore me porte të vendosura në lindje të Mesdheut deri në Lindjen e Largët (Kine, Honkong, Japoni, Singapor…). Lloyd kishte një emër të shkëlqyer, ofronte një shërbim të një cilësie të lartë dhe u bë një nga shoqëritë më të mëdha botërore të lundrimit detar.

Në shërbim të kësaj shoqërie të nderuar ishte edhe “Linz”. Për herë të parë “Linz” la dokun në prill të 1909, ishte 102 metra e gjatë dhe 14 metra e gjerë dhe lundroi fillimisht gjatë rrugës detare ndërmjet Triestes e Kostandinopojës. “Linz” duhej të kish qenë edhe mysafir i rregullt në disa nga portet shqiptare, si të Durrësit e të Vlorës.

Europës nuk i mbeti të gëzonte shumë vite paqeje dhe me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore pushoi praktikisht së ekzistuari edhe lundrimi detar civil. Megjithatë fati i “Linz” deri në fundin tragjik mbeti i lidhur me Shqipërinë. Duke filluar nga viti 1917 “Linz” duhej të transportonte vetëm ushtarë dhe materiale luftarake në drejtim të Shqipërisë.

Nisja drejt një udhëtimi fatkeq

Në bazë të dokumenteve zyrtare dhe thënieve të dëshmitarëve okularë mund të rindërtojmë ngjarjen e lundrimit të fundit të Linz-it. Më 18 mars 1918 u bënë përgatitjet për lundrim në gjirin e Kotorit (atëherë ishte bazë e rëndësishme e flotës detare-ushtarake e Austro-Hungarisë). Anija do të lundronte përsëri drejt Shqipërisë dhe sipas listës së fundit të pasagjerëve, në bord ishin zyrtarisht 995 persona. Faktikisht, siç ishte e zakonshme në ato ditë lufte, në bord ishin shumë më tepër persona. Ushtarë të panumërt kishin hipur në anije ilegalisht. Ata ktheheshin nga leja dhe donin të arrinin sa më shpejt në frontin e luftës. Pra, më 18 mars në bord kishte një larmi pasagjerësh. Krahas ekuipazhit ishte midis të tjerëve edhe kompania e këmbësorisë së regjimentit të Honwed-it, personel ushtarak për të zëvendësuar trupat e stacionuara në Shqipëri dhe të afërm të marinës së luftës. Personat vinin nga të gjitha pjesët e mundshme të monarkisë së vjetër austriake, plus kësaj ishin me qindra robër lufte italianë, robër lufte rusë si dhe mjaft gra. Të gjitha dhomat e hapësirat ishin të mbimbushura, po ashtu në anijen “Linz” gjendeshin më shumë se 400 lopë.

Rreth orës 18:00 anija u nis, la portin e Zelenikes në gjirin e Kotorit dhe u drejtua drejt Durrësit. Atmosfera ishte e gëzueshme dhe e hareshme, sepse për shumë ushtarë ishte udhëtimi i parë në det të hapur me këtë avullore të madhe. Për ta mbrojtur, Linz-in e shoqëronte torpediniera 98M. Pak më vonë nga nisja iu shtua një torpediniere e dytë si dhe kryqëzori “Balaton”, sepse në zonën ndërmjet Kotorit dhe Durrësit kishte një aktivitet të dendur të nëndetëseve armike. Atë natë ishte “det i vdekur”, sipas dy dëshmitarëve të kohës, me ulje e ngritje të valëve detare nën sipërfaqen e qetë në dukje të detit. Në fillim lundrimi ishte i qetë dhe rreth orës 23:00 anija arriti grykëderdhjen e Bunës e mori kursin drejt Kepit të Rodonit.

Sulmi mbi Linzin

Rreth orës 00:30 sapo kish hyrë 19 marsi, “Linz” ndodhej pak milje deti në veri të Kepit të Rodonit. Marinari Albin Biskup i torpedinieres 98M raportoi se “Linz” ishte 200 m larg tyre në një udhëtim të qetë. Papritmas marinarët e torpedinieres vërejtën një shtëllungë uji të bardhë vezulluese, që iu drejtua me shpejtësi Linz-it, “Manteli i argjendë i vdekjes” e përshkroi atë Biskup. Pak çaste më vonë Linz-i u godit nga silura dhe një shpërthim i tmerrshëm prishi qetësinë e natës. Goditja ishte me pasoja të mëdha dhe vulosi fatin e anijes. Shumë shpejt anija humbi ekuilibrin dhe u anua fort. Numri i madh i pasagjerëve që synonin të gjithë drejt kuvertës, çoi menjëherë në një kaos të vërtetë. Varkat e mbimbushura të shpëtimit copëtoheshin prej përplasjes në ujë. Ata që nuk dinin të notonin tërhiqnin ata që dinin të notonin drejt thellësisë së detit, shpërthyen përleshje për jelekët e shpëtimit, madje një oficer i dha fund jetës së tij me një pistoletë. Paniku ishte i pakontrollueshëm.

Një dramë tjetër po ndodhte nën kuvertë. Shumë robër lufte ndodheshin në një nga dhomat poshtë dhomave të ekuipazhit. Silura e kishte dëmtuar nga jashtë kaq keq derën e blinduar ku ndodheshin robërit, saqë me gjithë përpjekjet për t’i shpëtuar ishte e pamundur ta hapje derën qoftë edhe pak cm. Duhet të kenë ndodhur gjëra të paimagjinueshme në atë dhomë, sepse njerëzit e kuptuan shpejt se shpëtimi i tyre ishte i pashpresë. Sulmuesit e nëndetëses italiane nuk e kishin menduar se Linz-i do të kishte kaq shumë bashkatdhetarë.

Akti i fundit

Ora 01:15: Rreth 45 minuta pas goditjes me silurë anija ishte në pozicion vertikal dhe shpejt përfundoi në fund të detit. Linzi u mbyt e pastaj filloi beteja u fundit për të shpëtuar të mbeturit gjallë. Marinarët e torpedinieres 98M bënë të pamundurën njerëzore dhe shpëtuan më shumë se 130 vetë nga mbytja. Kryqëzori “Balaton” dhe torpediniera e dytë iu afruan Linz-it me shpejtësi të madhe deri në një farë distance dhe lundruan duke shpëtuar kështu më shumë se 200 vetë të tjerë.

Ora 02:00: Një heshtje e frikshme u kthye përsëri në det. Nuk shihej më asnjë në ujë që mund të shpëtohej.

Linzi u harrua

Sipas dokumenteve të gjitha përmasat e kësaj fatkeqësie nuk u bënë publike menjëherë. Vetëm tre muaj më vonë pas kësaj fatkeqësie iu bë kërkesë me shkrim parlamentit austro-hungarez për ta analizuar atë. Në parlament u kritikuan ashpër masat e sigurisë të lundrimit detar në detin Adriatik e, në mënyrë të veçantë, praktika e kthimit të ushtarëve nga leja në repartet e tyre në një numër të madh të pakontrolluar në bordin e anijeve të transportit detar. Megjithatë lufta po shkonte drejt mbarimit dhe monarkia drejt fundit të saj. U krijua një Republikë e re pa dalje në det dhe Linzi u harrua gradualisht. Duhej të kalonin shumë dhjetëvjeçarë deri në zbulimin e mbeturinave të Linzit nga zhytësit austriakë e të raportohej sërish për këtë tragjedi.

Për më tepër se 100 vjet prehet “Titaniku austriak” në ujërat detare shqiptare. Sa shumë persona gjetën varrin në fund të detit natën e mbytjes nuk do të sqarohet dot kurrë. Çdo viktimë e tragjedisë së mbytjes së “Linz”-it në 19 mars 1918, e cila ka banesën e fundit në detin Adriatik, ishte një viktimë më shumë. Le t´i kujtojmë përsëri këta njerëz, të ruajmë kujtimet dhe të vlerësojmë paqen në Europë.

Alumnus i Universitetit të Vjenës

2012 dhe 2015-2017 punonjës i ambasadës austriake në Tiranë

Mik i Shqipërisë

Përkthyese: Suzana Hondro, Universiteti i Vjenës

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.