Kulturë

Bujar Kapexhiu: Nuk e gëlltisim me pahir! Projekti i qeverisë për teatrin stonon, ju rrëfej skicë-idenë time

12:20 - 21.03.18 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Bujar Kapexhiu nuk është një prej atyre artistëve që përfshihet lehtë politikisht, as në ide, por e as në ide kundra pushteteve, tek të cilat nuk sheh ndonjë ndryshim kushedi ç’ë (të paktën sipas punës së tij). Shpesh, përmes karikaturave, ai ka kritikuar me ironi të hollë aktualitetin politik prej të cilit varen politika sociale, çështje sociale (ose çështje me ndjeshmëri sociale).



Por, kur vjen puna te Teatri Kombëtar, godina aktuale a një projekt për një të re, Kapexhiu del në radhë të parë. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, sa i takon projektit të qeverisë, thotë se “në tezgën qeveritare të shitjes për ne blerësit artistë, ky produkt nuk preferohet, sepse kjo godinë, me formën e saj moderne, mund të qëndrojë në çdo hapësirë të bulevardit të ri, ku priten të ndërtohen ndërtime moderne, ndërsa në sheshin ku është teatri sot, ajo stonon me konfiguracionin e saj dhe nuk lidhet me godinat e tjera që ka rreth e rrotull”.

Ndalet edhe tek skicë-ideja e tij për teatrin, skicë-ide që parashikon një godinë mes dy ekzistueseve (TK dhe TKEKS), teksa thekson se fjala “shembje”, në paragrafin hyrës të fjalimit të kryeministrit përpara artistëve në mjediset e Kryeministrisë, i tulati pjesëmarrësit; goditja “shembje” e thërrmoi gëzimin dhe e zgërlaqi entuziazmin. U shembën edhe ëndrrat tona, shton ai.

Në fund, ai u bën thirrje ndërtuesve: “Ju lutem, mos u bëni të babëzitur dhe mos na grabisni pronën tonë, pronë mbi të cilën do të ndërtohet një vepër arti, e cila do t’u japë kënaqësi juve, familjes dhe fëmijëve tuaj”!

– Kur e keni ideuar projektin për Teatrin Kombëtar?
Fillimisht kërkoj mirëkuptimin tuaj që këtë krijimin tim modest, gjatë bisedës, të mos e quajmë projekt, por thjesht një skicë-ide. Projekt është fjalë e madhe, profesionale, që do shumë punë e shumë studim. Atëherë, në përgjigje të pyetjes suaj po them se kjo skicë-ide u nxi mbi letër pikërisht duke shoqëruar zhurmën e diskutimeve të këtyre ditëve në mjediset zyrtare e artistike, për ndërtimin e një teatri të ri dhe shembjen e teatrit të vjetër. Bukur! Më entuziazmoi ndërtimi i një teatri të ri. Më pezmatoi prishja e teatrit të vjetër. Përzierja e këtyre ndjesive brenda meje, si dy lëngje brenda një gote, në formimin e një kokteili, më fiksuan idenë e bashkimit të dy gjërave. E vjetra dhe e reja. Pak histori: fjalën “shembje” e kam dëgjuar për herë të parë në fillim të viteve ’60, kur nisa rrugën e vështirë të shkollimit për t’u bërë aktor. Qysh në fillimet e para, si student në Institutin e Lartë për Aktor, në interpretimet në skenë, midis aktorëve të shquar të asaj kohe dhe në bisedat e lira jashtë skenës, artistët ankoheshin për kushtet mjerane dhe mungesën funksionale të këtij mjedisi artistik, që quhej në atë kohë “Teatri Popullor”. “Ah, kur do të vijë ajo ditë që të shembet kjo karakatinë që po na merr shpirtin!”. Kështu shpreheshin, duke shfaqur dëshirën për një shembje të kësaj karakatine e për ndërtimin e një teatri të ri. Që nga ajo kohë janë bërë disa rikonstruksione dhe, me sa di unë, shtresat e pupulitit janë zhdukur e janë zëvendësuar me tulla e beton. Ja, dita e teatrit të ri erdhi. Ndiej kënaqësi kur mendoj se ëndrra e të parëve, e pedagogëve tanë dhe e jona, sot do të realizohet. Duhen falënderuar kryeministri dhe kryetari i bashkisë, që vendosën të gëzojnë artistët me një teatër të ri, por fjala e parë “shembje”, në paragrafin hyrës të fjalimit të kryeministrit përpara artistëve në mjediset e Kryeministrisë, i tulati pjesëmarrësit. Goditja “shembje” e thërrmoi gëzimin dhe e zgërlaqi entuziazmin. U shembën edhe ëndrrat tona.

– Zgjohuni nga ëndrrat, ato u shembën. Projekti juaj, kur lindi?
Në furtunën e diskutimeve. Për herë të parë, për problemin e teatrit mora pjesë në një debat televiziv, së bashku me tre kolegë të tjerë artistë të teatrit. Aty unë parashtrova pikëpamjen time, mbi projektin e ardhshëm sesi duhet të jetë ky teatër. Para se të shkoja në emision, kisha bërë një skicë-ide, të cilën e pashë të arsyeshme të mos e paraqisja gjatë emisionit. Mendimi im është të rikonstruktohen dy teatrot e vjetër e të bashkohen me një ndërtim të tretë, duke krijuar kështu një kompleks teatror. Godina e re shtesë që do të bashkojë dy të vjetrat nuk do të ketë sallë shfaqjesh, sepse tashmë në teatrot ekzistues janë funksionale 3 salla të tilla. Në këtë godinë shtesë duhet të shtohen ato mjedise që nuk funksionojnë si duhet në teatrot e vjetër dhe të tjera që nuk ekzistojnë fare. Të domosdoshme për një funksionim sa më të mirë të artit skenik. Si për shembull, zyra, dy-tri salla që në procesin teatror quhen “provat në tavolinë”, ku bëhet zbërthimi dhe interpretimi fillestar i pjesës, sallat e provave, për vendosjen e dramaturgjisë në lëvizje para se të dalë në skenë, biblioteka, zyra e arkivit, garderoba për ruajtjen e fondit të veshjeve teatrore etj., etj. Pse jo edhe një bar-kafe ku të çlodhen artistët. Mbas emisionit, miku im pjesëmarrës në debat, regjisori i njohur Kastriot Çipi, një nga zërat e fuqishëm në mbrojtjen e teatrit, më tregoi në celular një projekt të një arkitekteje të re, që kishte krijuar një godinë teatri sipas kërkesës së pedagogut të saj. Dy godinat e vjetra dhe një godinë e tretë në mes, që lidh dy godinat ekzistuese. Shumë bukur! U entuziazmova. Qe e konkretizuar figurativisht pikërisht ideja ime që sapo e kisha shprehur para dy minutash në emision. Botoje menjëherë, i thashë Kastriotit, por ai nuk pranoi, duke u justifikuar se nuk ka autorizimin e autores. Mëkat! Unë, pak më parë, në emision, duke ditur skicën time i bëra thirrje kryeministrit si piktor, që të hedhë edhe ai disa viza brenda kësaj ideje dhe më tej kërkova pjesëmarrjen në këtë krijimtari të piktorit, skenografit dhe arkitektit Bashkim Zahaj, që të vizatonte një skicë pikërisht me këtë përmbajtje, dy të vjetrat e rikonstruktuara dhe të lidhura me një të re. Në këtë mënyrë, pa dashje, krejt rastësisht, kisha dhënë sinjalin e fillimit të një konkursi.

– Duket godinë neoklasike. Synonit që kjo t’i ngjante në stil godinave ekzistuese përreth teatrit, si ato të ministrive?
Krijimtaria ime qe momentale, e shpejtë, skicë-ide, pa pasur qëllimin dhe detyrimisht pretendimin se po projektoj një kompleks me të dhëna të sakta arkitekturore. Jo! Vetëm një impresion figurativ i fasadave të bashkuara. Sesi do të jenë ato, më bukur e më saktë këtë e dinë arkitektët e konstruktorët, që do të marrin pjesë në konkurs (nëse do të bëhet). Unë shfrytëzova konfiguracionin ballor të godinës ekzistuese me linjat vertikale, volumet dhe hapësirat në raportet ekzistuese. Dhe shtova në godinën e re disa elemente, si dyert, dritaret e godinave të vjetra. Kjo nuk do të thotë që godina e re të ruajë elementet dhe stilin e godinave të vjetra. Sot gjuha e arkitekturës moderne mund të kërkojë një fasadë krejt të re, fjala vjen, moderne, prej xhami, që të kujton hyrjen në Muzeun e Luvrit. Një piramidë e qelqtë në mes të oborrit, rrethuar me fasadat ornamentale të ndërtesave klasike.

– Çfarë thonë artistët për të?
E kanë parë miq të mi artisë e arkitektë dhe të tjerë dashamirës të teatrit, të profesioneve të ndryshme. E kanë pëlqyer. Kanë bërë vërejtje. Të tjerë kanë sugjeruar lloj-lloj mendimesh, por ajo që më intereson dhe më pëlqen nga mendimet e tyre është se të gjithë, pa përjashtim, mbështesin të njëjtin parim. Të ruhet teatri i vjetër dhe midis tyre të ndërtohet një godinë e re. Edhe mendimi qytetar është i rëndësishëm, se janë ata që frekuentojnë spektaklet e teatrit. Për t’u konsultuar me qytetarët, këtë skicë-ide e vendosa në “Facebook”-un tim, ashtu siç bëj çdo ditë që vendos karikaturat e mia për të marrë mendimet e qytetarëve. U kënaqa. Gjer tani e kanë parë 17 000 shikues, kanë dhënë pëlqimin e tyre rreth 700 vetë dhe nuk mungojnë me komentet e gjata rreth 80 vetë, profesionistë e specialistë të ndryshëm. Ju lutem edhe një herë, një sqarim, kjo skicë që kam bërë e që është botuar në disa gazeta është thjesht një ide, duke mos pretenduar që ky të jetë një projekt i saktë dhe i përshtatshëm për Teatrin Kombëtar. Jo! Unë nuk jam arkitekt. Por si një profesionist i artit, si shumë e shumë të tjerë dhashë vetëm idenë që e kanë edhe të tjerë, që godinat e vjetra të ruhen e të bashkohen me një ndërtim shtesë. Është konkursi i arkitektëve profesionistë, kombëtarë e ndërkombëtarë, që do të vendosë për projektin fitues. Por më parë nga ky konkurs dhe nga ky angazhim i arkitektëve e konstruktorëve, duhet të konfirmohet diçka tjetër më thelbësore, më e rëndësishme dhe jetike për teatrin e së ardhmes, mendimi dhe vendimi i qeverisë që godinat të mos prishen (inshallah!).

– Sa mendoni se do të kushtojë? A mendoni se do të bëhet me para të mbledhura nga shqiptarët?
Të pamundur e kam ta përcaktoj. Unë nuk jam as arkitekt e as urbanist e as kam kërkuar ndihmën e ndonjë financieri. Siç e theksova edhe më parë, unë kam krijuar thjesht një skicë-ide, të cilën mund ta bëjë çdo njeri që i kërkohet mendimi sesi dëshiron ai të jetë teatri i ri. Të shembet, apo të ruhet? Për sa i takon vlerës, unë si artist them le të kushtojë sa të dojë, vetëm të ndërtohet ky kompleks teatror. Ju pyesni sesi do të gjenden paratë. Për të dhënë përgjigjen për këtë pyetje, fillimisht dua të theksoj diçka. Numri tre është numër i shenjtë, numër i artë, kombinimi i gjërave kudo në fusha të ndryshme, përdorimi i shifrës tre është shumë i suksesshëm dhe i pëlqyeshëm. Fillojmë nga embrioni i shoqërisë. Familja: burrë, grua, fëmijë. Tjetër: malësorët tanë, me mençurinë e tyre, stolat për t’u ulur, që i quajnë shkamb, i kanë bërë me tri këmbë. Se vetëm me tre është qëndrueshmëria më e madhe. Rastësia e sjell që edhe ky kompleks teatror të përbëhet nga tri godina. Dy të vjetra dhe në mes një e re. Numri tre na ndihmon edhe në sigurimin e fondeve. Shteti, biznesi, shqiptarët. Të gjithë së bashku, me kontributin e tyre, me siguri do të realizojnë ndërtimin e këtij kompleksi teatror.

– Sa hapësirë zë Teatri, sipas projektit tuaj?
Edhe një herë, ju lutem, mos e quani projekt, por një skicë-ide. Po të qe projekt, atëherë unë mund t’ju përgjigjesha me saktësi sesa hapësirë do të zërë ky teatër. Hapësirën do e përcaktojnë projektuesit e urbanistët me projektin e tyre të përfunduar, ku përmbushen të gjitha kërkesat e mjediseve funksionale për artin skenik, që do të marrë patjetër edhe pëlqimin e miratimin e artistëve të Teatrit, të cilët do të zhvillojnë aktivitetin e tyre në këto mjedise, sa më komode e sa më moderne. Përsa i takon hapësirës, në qoftë se nga prona e Teatrit të përfunduar do të teprojnë disa metra, me siguri artistët me shpirtin e tyre fisnik, këtë hapësirë do t’ia dhurojnë biznesit që të plotësojë projektin e tij, që padyshim do të jetë në shërbim dhe interes të qytetarëve. Gjej rastin t’u bëj thirrje ndërtuesve: Ju lutem, mos u bëni të babëzitur dhe mos na grabisni pronën tonë, pronë mbi të cilën do të ndërtohet një vepër arti, e cila do t’u japë kënaqësi juve, familjes dhe fëmijëve tuaj!

– Si ju duket projekti i qeverisë?
Projekti i paraqitur nga arkitekti danez, si ide, si fantazi, si një kontakt vizual me të, është interesant e të bën përshtypje. Forma e përgjithshme, në zgjatimin e saj është e gjetur bukur, si një papion ku kombinohen saktë volumet dhe hapësirat. Një projekt që mund ta blejë çdo qeveri në botë që ka në planin e saj për të ndërtuar një teatër. Këtu tek ne, në tezgën qeveritare të shitjes për ne blerësit artistë, ky produkt nuk preferohet, sepse kjo godinë, me formën e saj moderne, mund të qëndrojë në çdo hapësirë të bulevardit të ri, ku priten të ndërtohen ndërtime moderne, ndërsa në sheshin ku është teatri sot, ajo stonon me konfiguracionin e saj dhe nuk lidhet me godinat e tjera që ka rreth e rrotull, Galerinë e Arteve, Ministrinë e Brendshme, godinën e KLSH-së, bashkinë, hotel “Dajtin” etj. Kjo më mirë do të përforcohej nga opinionet profesionale të arkitektëve e urbanistëve. Paraqitja përpara artistëve e këtij projekti, vetëm nga ana e jashtme, e padetajuar nga ana e brendshme funksionale, bën që të heshtësh e të dyshosh për vlerën e tij funksionale. Është njëlloj sikur të duash të joshësh dikë duke i thënë se sot do të të kënaq me gatimin tim, duke i treguar vetëm tenxheren me kapak të mbyllur dhe jo atë që është gatuar. Servire në pjatë, vendose mbi tavolinë, me të gjithë aksesorët e ngrënies dhe, pasi klienti ta ketë parë e ta ketë shijuar, atëherë merr guximin e pyete: a ju pëlqeu? Kur klienti thotë ‘po, ju lumshin duart!’, atëherë të takon ty të thuash ‘ju bëftë mirë!’. Në të kundërt, je i dështuar kur dikujt i jep diçka që nuk i pëlqen e ta gëlltisë me pahir. Prandaj në kuzhinën e qeverisë le të përfundojë një gatim me të gjithë ingredientët, që t’u shijojë jo vetëm artistëve, por edhe qytetarëve që frekuentojnë gatimet e kësaj kuzhine.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. … Duhet te ripikturohet mbi kanavacen, paqartesisht te cmueshme, “Mbjellja e Pemeve” te Edi Hiles! Pasi ta kemi kruar e zhdukur teresisht, tja japim ne perdorim Forger-it te Maria Lassnig, i cili do tja dhuroje me pas Muzeut te Ri te Arteve te Shqiperise. Jam i bindur qe te gjithe do ta pranonin kete propozim – edhe vete autori…Une nuk mund te pajtohem me qendrimin e aktoreve te Teatrit. Ata kujtojne se jane akoma ne skene dhe riperserisin te vetmin Akt qe njohin. Tashme Akti nuk mund te jete i njejti dhe mbi te gjitha nuk mund te luhet me ne Teater. Aktore dilni nga skena e Teatrit, luani rolin tuaj historik dhe mbroni Godinen e pazevendesueshme te Teatrit Kombetar.

    Përgjigju ↓