SPORT

Lika rrëfen emocionet, Duka vizitë Kombëtares

10:43 - 21.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Bujar Lika është “surpriza” e radhës në grumbullimin e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Por me sa duket, ftesa kuqezi ka qenë një surprizë edhe për vetë mbrojtësin, i cili ka zbuluar se gjithçka ka ndodhur brenda javës së fundit. “Para një jave kishim ndeshje ndaj Jang Bojz. Më kontaktoi Panuçi me një telefonatë dhe u arrit gjithçka. Pas ndeshjes vendosa, mbaroi, do luaj për Shqipërinë, u bë gjithçka për 2-3 ditë”, ka thënë futbollisti gjatë konferencës së djeshme për shtyp. “Jam shumë krenar për këtë mundësi që më kanë çuar ftesën. Është mundësi e madhe për mua. Më parë kam luajtur në Kategorinë e Dytë të Zvicrës, kam pasur shumë dëmtime. Tani po mundohem të tregoj veten siç duhet dhe erdhën kontaktet me Panuçin. Kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë, nuk kam pasur kontakte nga Kosova. Por për mua ka qenë gjithmonë ëndërr. E kam vendosur të luaj dhe për familjen time është kënaqësi e madhe që përfaqësoj shqiponjën kuqezi. Kur kam marrë ftesën, janë gëzuar edhe lojtarët e Grasshopers, pasi tani Shqipëria dihet që ka vlerë të madhe, është kënaqësi e madhe që jam këtu”, tha ai. Lika do të duhet të tregojë vlerat e tij, por për të fituar një vend në formacion do ta ketë pak të vështirë, duke llogaritur se aktualisht në pozicionin e tij luan Elseid Hysaj. “Konkurrenca është shumë e madhe me Hysajn, por do të tregoj veten në stërvitje dhe të shohim se çfarë ndodhë”, tha ai.




Duka, vizitë Kombëtares
Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi seancën e parë stërvitore të saj për vitin 2018 nën drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi. Të gjithë futbollistët që janë grumbulluar në Durrës, janë vënë nën urdhrat e teknikut italian për këtë seancë të parë. Ndonëse ka kontaktuar me shumë prej lojtarëve gjatë 24 orëve të fundit në hotel, Panuçi ka filluar zyrtarisht përgatitjet për Norvegjinë me një mbledhje në fushën e kompleksit, duke u folur lojtarëve për rreth 10 minuta për atë që pret prej tyre gjatë këtyre ditëve. Si vëzhgues në këtë mbledhje ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i është bashkuar grupit të lojtarëve në fushë për disa minuta duke dëgjuar monologun e Panuçit rreth punës që duhej bërë në ditët në vazhdim nga grupi dhe nga secili individualisht. Më pas, skuadra ka vijuar stërvitjen, kurse Duka është larguar i shoqëruar nga Etrit Berisha, me këtë të fundit që nuk është stërvitur pas problemeve në kofshë. Gardiani ka kryer vizita të specializuara. Vetëm ditën e sotme do të mësohet nëse do të jetë i gatshëm për Norvegjinë. Nuk ka qenë prezent edhe Hysaj që ka marrë leje nga stafi teknik dhe do të bashkohet nesër me ekipin. Edhe Berat Gjimshiti, për shkak të një fatkeqësie familjare është larguar nga grumbullimi për të shkuar tek të afërmit e tij. Edhe ky i fundit do të bashkohet sot në seancat stërvitore me grupin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.