AKTUALITET

Santo, Konomi, Xhindi…Vrasjet e bujshme pa autor

15:17 - 21.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I fundit është vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Mbrëmjen e 8 dhjetorit, persona ende të paidentifikuar qëlluan 14 herë me breshëri kallashnikovi ndaj Aleksandër Ndokës brenda automjetit para banesës ku jetontë në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës.




Por vrasja mafioze e vëllait të Ndokës, është vetëm një pjesë e vogël e atentateve të bujshme, të cilat kanë vetëm një gjë të përbashkët: Ende pa asnjë autor nga drejtësia.

Të gjithë i mbajnë mend vrasjet e ish-deputetit Fatmir Xhindi, shpërthimin me eksploziv ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo edhe atentatin ndaj bankierit Artan Santo.

Por më pak akoma mund t’u kujtohen vrasjet e Aleks Kekës apo edhe të Arjan Selimit.

Dhe në një kohë që flitet për reformë në drejtësi, nuk dihet ende nëse këto vrasje që kanë tronditur opinionin publik, do të zbardhen ndonjëherë me autorët që do të duhet të vihen para drejtësisë.

Fatmir Xhindi, Maj 2009

Në maj të 2009-së deputeti i Partisë Socialiste në Fier, Fatmir Xhindi u vra nga një breshëri automatiku, ndërsa po hynte në shtëpinë e tij. Ai u qëllua pranë banesës së tij dhe mbetet një ndër ngjarjet e mistershme të pazbardhura dhe pa asnjë autor.

Aleks Keka, 18 qershor 2009

Vrasja me e bujshme e llojit të ekzekutimeve mafioz do shënohej më 18 qershor të vitit 2009 rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër. Mjeti “Mitsubishi” me targë SH 2125 E do shpërthente nga një bombë e telekomanduar. Në këtë automjet udhëtonte Aleks Keka kryetar i PDK-së rrethi i Malësisë së Madhe. Deri më tani nuk ka asnjë të akuzuar apo edhe të dyshuar.

Skerdilajd Konomi, 9 Shtator 2011

Vrasja më e rëndë nga mënyra e ekzekutimit dhe nga rëndësia është ajo e gjyqtarit vlonjate, Skerdilajd Konomi. Vrasja e gjyqtarit me eksploziv, më 9 shtator të vitit 2011, ishte një ngjarje tepër e rëndë për opinionin publik në Vlorë. Konomi, 33 vjeç ushtronte detyrën si gjyqtar i Shkallës së Parë në Vlorë. Makina e babait të dy fëmijëve shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa Konomi ishte në timon në bulevardin Vlorë – Skelë. Edhe pse policia ka deklaruar se është mjaft pranë gjetjes së autorëve, deri tani nuk ka asnjë dyshim apo të arrestuar.

Arjan Selimi, 27 shtator 2011

Më 27 shtator të vitit 2011, Tirana u trondit sërish nga vrasja misterioze që iu bë Arjan Selimit. Ngjarja ndodhi rreth ores 19:15 minuta pranë ish-Parkut të Autobusëve në fund të Rrugës së Kavajës. Trupi i Selimit, 37 vjeç u gjet i pajetë pranë automjetit të tij, poshtë një pallati 8 katësh, teksa ishte qëlluar me 5 plumba. Ky i fundit, ishte një personazh i njohur në botën e trafikut të drogës në kryeqytet dhe ishte edhe i fejuari i artistes së njohur Inis Gjoni. Selimi me origjinë nga Shkodra njihej si një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Tiranë. Për një kohë të gjatë ai ka jetuar dhe në Amerikë. Deri tani edhe për Selimin nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Artan Santo, Qershor 2014

Në qershor të 2014-së dy persona qëlluan bankierin Artan Santo në mes të Tiranës dhe më pas u larguan me shpejtësi. Vrasja ndodhi në orët e para të mëngjesit, teksa 54 vjeçari po shkonte si zakonisht në punë. Kjo mbetet ndër ngjarjet më të mistershme për sa i përket personave që kryen vrasjen dhe atyre që e porositën. Shumë herë është deklaruar se do të ketë detaje të reja, por ende sot dosja nuk asnjë autor, edhe pse krimi ndodhi në sytë e të gjithëve.

Vrasje e dyfishtë në Vlorë, Maj 2017
Në muajin maj të këti viti është vrarë në Vlorë drejtori i OSHEE të këtij qyteti Roland Saliu, si dhe pronari i një televizioni lokal, Erven Hyseni. Edhe për këtë ngjarje të ndodhur në qytetin bregdetar, ende nuk ka autor të arrestuar.

Aleksandër Ndoka, 8 dhjetor 2017

Me 14 plumba kallashnikovi u ekzekutua pranë shtëpisë Aleksandër Ndoka, vëllai i ish deputetit socialist Arben Ndokës. 48 vjeçari u gjet i pajetë në orën  04:25 në mjetin  tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE. Ai po shkonte në banesën e tij që ndodhet në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë. Në trupin e viktimës u zbrazën 11 plumba, çka tregon se shpëtimi për 48-vjeçarin ka qenë i pamundur. Ai ishte që prej vitit 2015 anëtar i Këshillit Bashkiak Lezhë. Përveç angazhimit të tij si këshilltar në Këshillin Bashkiak të Lezhës, 48-vjeçari kishte në pronësi një lokal pranë banesës së tij në lagjen “Kodër Marlekaj” si dhe një biznes duralumini./Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.