Fol me Psikologen

“Burri më rreh dhe të nesërmen si pa të keq kërkon të bëjmë seks”

13:41 - 22.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Burri më rreh dhe të nesërmen si pa të keq kërkon të bëjmë seks. Nuk dua të prezantohem se ndihem më e lirshme kështu anonime. Prej disa muajsh është kthyer në bishë. Flet ashpër dhe fëmijët e kanë marrë tmerr. Ta denoncoj më duket sikur i hy në hak fëmijëve.




-Faleminderit për mirëbesimin, zonjë! E kuptoj situatën në të cilën ndodhesh dhe është vërtet shqetësuese. Ti thua se kjo sjellje e tanishme e bashkëshortit nuk ka ekzistuar më parë. Besoj që kjo ka ardhur me patjetër si pasojë e disa faktorëve, por nuk dua të ndalem këtu, pasi situata aktuale është e rëndë. Duhet ta shohim realitetin në sy ashtu siç është dhe të përballemi me të, pasi arratisja nuk e zgjidh problemin. Një burrë dhunues cilado qoftë arsyeja e dhunës, duhet që si përgjigje të marrë denoncimin.

Familja nuk është më një strehë e sigurt për ty dhe për fëmijët tuaj, pasi siç thua vetë, ata tmerrohen kur shohin të atin. Të tilla sjellje lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në personalitetin e tyre. Nëse raporti në çift shkon në pikën që burri e sheh gruan dhe e trajton si një objekt të cilin mund ta përdorë sipas nevojave të tij, pra kur është i nxehur ta godasë dhe kur është në humor të plotësojë me të nevojat fiziologjike, atëherë kjo marrëdhënie ka dalë plotësisht nga “normaliteti”. Si ndihesh ti pasi ai të trajton në këtë formë?

A ke dëshirë të kryesh marrëdhënie me të? Ke folur ndonjëherë me të në lidhje me këtë situatë apo në heshtje ke pranuar dëshirat dhe nevojat e tij? Ne të gjithë duhet ta kemi shumë të qartë se toleranca dhe heshtja në raste të tilla çon në një model shumë të keq që ju japim fëmijëve tanë duke i ushqyer më këtë lloj ushqimi. E ke pyetur ndonjëherë veten se çfarë mendojnë fëmijët për ato që shohin dhe çfarë modeli do të marrin nesër kur të jenë jo më fëmijë, por të rritur?

Në shumicën e këtyre rasteve ka rezultuar se vajzat që rriten në familje të tilla mund të bien shumë thjesht pre e dhunës, pasi kanë mësuar të heshtin kur përballen me të, ndërsa djemtë kanë modelin e babait dhunues dhe probabiliteti për të imituar të njëjtën sjellje është shumë i madh. Ndaj me përgjegjësinë e nënës dhe duke mos u hyrë fëmijëve të tu në hak, denoncoje dhunën dhe mos tolero të abuzohet mbi ty dhe mbi ta!

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.