SHËNDET

Ylli Merja: Hithra, mbretëresha e bimëve mjekësore në Shqipëri

11:45 - 22.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Hithra, një bimë me të vërtetë e magjishme ka një përhapje po-thuajse mbarë botërore dhe në të gjitha trevat edhe në vendin tonë, duke përfshirë që nga zonat bregdetare deri në lartësitë mbi 1000-1200 metra mbi nivelin e detit. Në Shqipëri hithra mund të gjendet në vendet gëlqerore dhe gurishtore e në shumë raste mjafton që pak fara të hithrës të hidhni në themelet e shtëpisë dhe shumë shpejt do kuptoni që keni mbjellë një bimë që do i shërbejë më së shumti jetëgjatësisë dhe shëndetit tuaj. Hithra në gjethet e saj ka disa çimza të vogla, të cilat nëse i prek këputen nga bima mëmë e futen në lëkurën e personit që i ka prekur. Tre përbërësit kimikë të saj që janë histamina, afetinkolina dhe sterotonina, fillojnë që të japin efektin djegës në organizëm, pra këta elementë hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe e nxisin këtë të fundit. Por, nëse do vëmë re që këto përbërës kanë një efekt djegës në organizëm jo për një kohë shumë të gjatë, duhet të kuptojmë se pse hithrat djegin për shumë orë, por jo me të njëjtën fuqi vepruese në organizëm. Kjo veçori e bimës ka lidhje me faktin që në brendësi të këtij lëngu që ka depërtuar tashmë në trupin e njeriut, nuk ka të bëjë vetëm me përbërësit e mësipërm, por vlen të përmendet pjesa që në brendësi të saj ka edhe acidët sartarikë dhe oskalikë. Këta lloj acidesh zgjasin efektin veprues të tre lëndëve përbërëse të hithrës në organizëm, pra zgjatin djegien. Shpeshherë njerëzit kur padashur “digjen” nga hithra, mundohen që ta shpëlajnë atë me ujë, por në këtë mënyrë vetëm e shtojnë efektin djegës të hithrës. Nëse duam të minimizojmë këtë efekt, atëherë shpëlarja nuk duhet të kryhet me ujë, por me sodë buke, e cila shërben si një neutralizues shumë i mirë në këtë rast. Pra, një sodë me përqendrim të lartë, zvogëlon dhe minimizon efektin djegës të acidit sartarik dhe oskalik mbi lëkurë.





Efektet kuruese
Prej mijëra vjetësh, praktikuesit e mjekësisë bimore kanë rekomanduar që hithra të përdoret për kurimin e sëmundjeve të ndryshme, siç janë ato të artritit reumatoid, anemisë, sëmundjet e alergjive, problemet urinare (pengesat në urinim, djegiet gjatë urinimit). Gjithashtu, kjo bimë ka efekte çudibërëse edhe në trajtimin e ekzemave të ndryshme, pickimet nga insektet mushkonjave si dhe në kurimin e dhimbjeve muskulore. Mendojmë që përbërësit aktivë biologjikë që ndodhen te hithra, si flavonoidet, që kanë veti antioksiduese, e kjo ndihmon në largimin e radikaleve të lira nga trupi i njeriut.

Në këtë mënyrë bëhet e mundur që trupi të jetë më i qetë dhe i gjithë organizmi në tërësi të veprojë ndaj ngacmuesve të jashtëm si një i tërë. Për sa i përket problemeve alergjike, konsumimi i çajit të hithrës, ndihmon në parandalimin e alergjive të ndryshme sezonale ose përmirëson simptomat e tilla si teshtitja, kruarjet, lotimi i syve etj. Pacientët që janë trajtuar me bimën e hithrës, të kombinuar me bimë të tjera mjekësore, kanë pasur efekte shumë të mira kurative në drejtim të alergjenëve të ndryshëm. Mendojmë se këta të fundit që depërtojnë në organizmin e njeriut dhe shkaktojnë këto çrregullime dëmtohen nga hithra pasi përbërësit e saj depërtojnë shumë lehtë në membranat qelizore dhe në ADN-në e këtyre viruseve apo baktereve që shkaktojnë alergjinë. Përfitimet e hithrës mund të shikohen edhe në pengimin e zhvillimit të baktereve në sistemin urinar. Falë përvojës shumëvjeçare është vënë re se njerëzit që kanë pasur pengesa në urinim, e pas konsumimit të supës me lakra e hithra brenda në të, kanë vënë re se është shtuar shumë diureza. Pra, nëse një ditë më parë urinonin me vështirësi, konsumimi i hithrës, ka bërë që shpeshherë të kenë ndjesinë e urinimit, i cili ka qenë i lirshëm. Pas disa konstatimeve të tilla, arriti që të përhapej opinioni se hithra me të vërtetë ka një efekt shumë të mirë çlirues gjatë urinimit. Flavonoidet që ndodhen në gjethet e hithrës, ndihmojnë të nxisin epitelin renal të hithrës për prodhimin e urinës dhe largimin e kripërave të tepërta nga organizmi e njëkohësisht zgjerojnë sistemin urinar. Hithra ndihmon edhe në luftimin e hipertrofisë prostatike malinje, e në rastet kur problemet te meshkujt vijnë nga enjtja e prostatës, nga edema e saj, hithra jep rezultate shumë të mirë për mirëfunksionimin e prostatës. Pra, hulumtimet klinike mbështesin faktin që gjethet e hithrës janë shumë të dobishme për lehtësimin e simptomave BHP, pra hipertrofia prostatike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.