MILOSAO

Politika identitare

14:00 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Albert Doja* – Kërkesa e një kushti operativ që në studimin e miteve shprehet si një kusht kufizues në kuptim matematikor mund të jetë me interes të veçantë për studimin e transformimeve identitare, në analizën krahasuese të transformimeve që rezultojnë nga dinamika ndërkulturore, veçanërisht në proceset e ndërtimit identitar dhe të politikës identitare. Kjo më sjell në rastin e fundit, domethënë propozimin kërkimor mbi morfodinamikën e transformimeve identitare europiane që kam ndërmend të zhvilloj gjatë qëndrimit tim në Harvard si studiues vizitues dhe që synon të fuqizojë konstruktivizmin neo-struktural duke kthyer vëmendjen drejt implikimeve thellësisht politike.
Marrëdhëniet shoqërore janë shpesh të çuditshme dhe kundërthënëse. Veçanërisht në fushën e identitetit, praktikat ligjërimore nuk kanë gjithmonë veçori të përcaktuara ontologjike. Shpesh ato duket sikur janë të ngatërruara në kombinime të çuditshme gjendjesh në dukje të papërputhshme të karakteristikave të tyre shoqërore, që mund të jenë etnike-fetare dhe kombëtare-populiste apo qytetare dhe normative. Në këtë kuptim, ontologjitë e identitetit mund të krahasohen me gjendjen në dukje misterioze të grimcave që në mekanikën kuantike quhet mbivendosje. Grupe fizikanësh nga Massachusetts Institute of Technology dhe disa universitete franceze po kryejnë prova në kushte reale për të parë nëse grimcat kuantike ekzistojnë vërtet në gjendje të mbivendosjes. Më duket se një lidhje e krahasueshme kuantike për t’u provuar mund të ekzistojë edhe në fushën identitare midis ideve, vlerave dhe motiveve në dukje të kundërta dhe të papërputhshme. Supozimi kryesor është se transformimet identitare preken nga ideologji kulturore në dukje të kundërta, por që janë në marrëdhënie të ndërsjellë ndaj njëra-tjetrës duke vepruar si instrumente politike të pushtetit dhe hegjemonisë.




Në nivel empirik, supozoj se integrimi europian nuk është kurrë i plotë dhe marrëdhënie të paqëndrueshme ekzistojnë mes ideve qytetare dhe motiveve shoqërore. Ndërsa proceset logjike dhe tensionet politike duhet të hulumtohen në lidhje me ndryshimet identitare në nivelet shoqërore, etnike, fetare, rajonale, kombëtare dhe mbikombëtare. Por në shumë situata, praktikat ligjërimore nuk janë domosdoshmërisht të pozicionuara mbi një domethënie të veçantë identitare, pasi vëzhguesi në studimet shoqërore, si dhe në mekanikën kuantike, ndikon mbi atë që vëzhgohet. Kjo bëhet e qartë vetëm kur kërkojmë domethënien e tyre. Identitetet e papajtueshme mund të jenë thellësisht të lidhura, pasi veçoritë e tyre përputhen në kundërshtim me njëra-tjetrën vetëm kur ato vërehen dhe përcaktohen si të tilla.
Këtu është e rëndësishme që dallimi midis termave indeksale dhe vlerave funksionale të fushës identitare të konceptohet në mënyrë topologjike si relacionale dhe jo substanciale. Kjo do të thotë se pozicionet relative të indekseve, llojeve, agjentëve, njësive dhe ontologjive identitare përcaktohen nga një grup i strukturuar i marrëdhënieve të pushtetit dhe identiteteve të grupit që arrijnë transformimet e tyre përmes politikës identitare. Në të vërtetë, cilado nga veçoritë e veta, çdo identitet është i zbatueshëm vetëm në lidhje me një tjetër identitet dhe mund të realizohet vetëm në kufirin e njërit në kontakt, në konfrontim, apo në kontrast me tjetrin. Në këtë kuptim, idetë qytetare dhe motivimet etnike duket se ekzistojnë në një gjendje mbivendosjeje kuantike dhe kanë kuptime të shumëfishta konfliktuale në të njëjtën kohë. Nëse janë të ngatërruara në këtë mënyrë, ashtu si ndodh me grimcat në mekanikën kuantike, mund të parashikojmë që kur zbulohet pozita kulturore e motiveve etnike, identitetet qytetare dhe etnike bien në pozicione saktësisht të kundërta të ideologjive instrumentale. Këtu supozoj që fusha identitare është përsëri e krahasueshme me parimin e papërcaktueshmërisë së Heisenberg në mekanikën kuantike, duke pasur parasysh se sa më saktësisht të përcaktohet pozicioni kulturor i vlerave dhe qëllimeve identitare, aq më pak mund të njihet momentumi identitar i rezultatit të masave që duhen marrë në rrafsh politik. Në fakt, dualiteti grimca/valë në fizikën kuantike mund të mendohet si të ishte një ndërveprim i shumëfishtë në fushën identitare midis ideve qytetare dhe motiveve etnike.


Në nivel konceptual, supozoj se kjo papërcaktueshmëri zbulon një rrezik të dukshëm të aktivizmit ligjërimor të politikës instrumentale dhe agjencisë ideologjike që qëndrojnë të fshehura por që mund të nxisin etnicizimin e vlerave europiane dhe rezultate të pamenduara të politikave publike. Modeli neo-struktural i fushës identitare pritet të kapë këtë proces, duke u bazuar në rregullat evolutive të transformimeve kanonike të përcaktuara nga Lévi-Strauss dhe në konceptin e fushës politike të huazuar nga Pierre Bourdieu. Në teorinë e fushës së Bourdieu, marrëdhëniet e pushtetit rikuadrohen si linja forcash në një fushë elektromagnetike, ndërsa hapësira shoqërore rikonceptihet si një shumëllojshmëri fushash relativisht autonome. Në fushën identitare europiane, dinamika e bashkëveprimeve tregon se praktikat ligjërimore mbështesin ose mohojnë modalitete të përkatësisë që përputhen me logjikën publike dhe përdoren instrumentalisht për të ndikuar formimin dhe transformimin identitar.
Ndonëse tensionet e mundshme politike në riprodhimin e fushës identitare pengojnë ose inkurajojnë kapërcimin e kufirit, mund të mendohet se çdo kapërcim gjeneron një efekt histereze, që është matematikisht i llogaritshëm në fushat elektromagnetike dhe fusha të tjera dhe që mund të shpjegojë politikën identitare si një sistem identitetesh varësisht nga historia e transformimeve të tyre. Riformulime të mëtejshme logjiko-matematikore të metodologjisë së Lévi-Strauss mund të ofrojnë formalizimin logjik të rregullsive transformuese në situata konkrete të fushës identitare, që mund të lejojnë rrokjen e një “mekanizmi gjenerues” të identiteteve bazuar në transformimet e tyre. Kjo do të thotë, për shembull, se sekuenca e dyfishtë e bujarisë ndaj vendësve dhe keqbërjes ndaj të huajve plotësohet nga një tjetër sekuencë e dyfishtë e keqbërjes së vendësve sikur u bëhet një lloj bujarie të huajve që tashmë janë injoruar apo nuk ekzistojnë dhe që nuk mund të jetë veçse një bujari e përmbysur me kokë poshtë ose anti-bujari [F(b)V : F(k)H :: F(k)V : F(H)b1]. Kjo mund të duket e çuditshme, por ndodh më shpesh nga sa duket, veçanërisht në lidhje me politikat publike të shtrembëruara nga argumentet populiste.
vendas(bujari) : huaj(keqbërje) :: vendas(keqbërje) : bujari1(huaj)
Kartografimi i ndërveprimit të termave dhe funksioneve identitare mbi marrëdhëniet permutacionale midis indekseve, funksioneve, llojeve, agjentëve, njësive, ontologjive dhe ideologjive identitare synon të pasqyrojë pozicionet e tyre në fushën identitare, ndërsa riformulimi i marrëdhënieve të tyre topologjike në mënyrë kanonike duhet të tregojë se si transformimet identitare mund të rroken në mënyrë që të zbulohet agjencia instrumentale prapa politikës identitare. Kështu për shembull, simulimet kompjuterike të funksionit normativ [F(n)] të identitetit qytetar (Q) do të ballafaqohen me funksionin shoqëror, etnik e fetar apo nacionalist, populist e fundamentalist [F(e)] të identiteteve kulturore (K). Idealisht, ky ballafaqim supozohet se sjell transformimin e identitetit kulturor në një identitet me funksion normativ [F(n)K]. Megjithatë, formulimi kanonik i kësaj marrëdhenie [F(n)Q : F(e)K :: F(n)K : F(Q)e1] tregon gjithashtu nëse funksioni normativ i identitetit qytetar [F(Ci)] mund të jetë transformuar në agjenci ambivalente, ndërkohë që fraksionet politike apo grupet shoqërore mund të karakterizohen nga një identitet europian i fshehur e i pamenduar (e1), por që qëndron si një lloj “etniciteti” i Europës së përmbysur me kokë poshtë ose anti-Europës.
qytetari(normative) : kulturë(etnike) :: kulturë(normative) : etnike1(qytetari)
Le të kujtojmë se në studimin struktural të miteve nevojitet një kusht operativ shtesë në formën e një kushti kufizues në kuptim si empirik edhe matematikor. Në fushën identitare, kjo kërkesë validimi duhet të na çojë në kërkimin e agjencive të fshehta instrumentale të politikës dhe ideologjisë identitare që mund të shtrëngojnë transformimin identitar në njërin apo tjetrin drejtim. Tek e fundit, referencat narrative të termave indeksale dhe vlerave funksionale në kategoritë e koduara të praktikave ligjërimore identitare dhe modelimi i vlerësimit të nënkuptimeve të tyre duhet të japin indikacione të sakta për realitetet e fshehura që karakterizojnë situata empirike të etnicizimit të marrëdhënieve socio-kulturore ose të europianizimit të vlerave shoqërore, etnike-fetare apo rajonale-kombëtare. Qëllimi është të përftohet një model kompjuterik për të konceptuar dhe hartuar në mënyrë rekursive përcaktuesit e solidaritetit qytetar dhe qëndrimeve ndërkulturore, që të mundësojë zhvillimin e një instrumenti politikbërës për të vlerësuar mënyrat se si vlerat themelore dhe transformimet identitare evoluojnë si kushte kufizuese të integrimit europian, kohezionit social dhe dinamikës ndërkulturore.
Në nivel metodologjik, kjo mbetet ende pjesa më e pazhvilluar këtij projekti kërkimor pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë me kolegët nga Qendra e inxhinierisë informatike të mjedisit, shoqërisë dhe identitetit në Universitetin e Korsikës. Shpresoj ta zhvilloj këtë projekt në bashkëpunim edhe me kolegë të interesuar nga Harvardi që mund të bashkohen me bashkëpunëtorët e tjerë nga Europa, antropologë, sociologë, gjeografë, politistë, specialistë të shkencave të komunikimit, informaticienë dhe matematikanë nga Franca, Belgjika, Italia, Austria, Polonia dhe Bullgaria. Një dizajn infrastrukturor i rëndësishëm është i nevojshëm për modelimin e protokolleve kompjuterike bazuar në ekstrapolimet bayesiane, formalizmin DEVS dhe përpilimin e referencave numerike sistemike të praktikave ligjërimore identitare.
Shkëmbimi i vendeve dhe roleve diferenciale midis termave indeksale dhe vlerave funksionale në fushën identitare është një logjikë dikotomizimi permutacional që ndërtohet në seri metaforike dhe metonimike. Seri të hapura çiftesh antitetike të indekseve, llojeve, agjentëve, njësive dhe ontologjive identitare, si dhe permutacioni i vlerave të tyre indeksale dhe funksionale, janë në dispozicion të çdo agjenti në të gjithë fushën identitare për t’u fiksuar në mënyrë të dukshme mbi llojet identitare të njësive të ndryshme referuese, qofshin individë, grupe shoqërore, shtete kombëtare, institucione, organizata. Praktikisht, roli i aspekteve metaforike dhe dikotomike të praktikave ligjërimore, si dhe marrëdhënieve funksionale që ato sugjerojnë për kategorizimin identitar, do të hulumtohet në lidhje me zhvendosjet funksionale në varësi të faktit nëse të njëjtat metafora përdoren si terma indeksale të shprehjes identitare apo si funksione instrumentale të politikës identitare.
(Fund)
**Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Profesor titullar, Universiteti i Lillës, France.
Profesor vizitues, Universiteti Harvard.
Fjalë e dhënë në Universitetin Harvard, 20 shtator 2017.
Përktheu nga anglishtja Enika Abazi.
Marrë nga “Social Morphodynamics: Mapping Identity Transformations, Cultural Encounters, and the Evolution of Core Values.” Social Epistemology Revieë and Reply Collective, vol. 7, no. 1 (2018), pp. 14-25. https://ëp.me/p1Bfg0-3Sz.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.