MILOSAO

Tregime nga Miroslav Çurçiç

14:00 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori që çeli vitin letrar “POETEKA Tirana in Between-2018” është tregimtari nga Beogradi Miroslav Çurçiç. Ai lindi në vitin 1966. Tregimet e tij janë botuar në mjaft
revista letrare dhe në antologji të tregimit të shkurtër në rajonin tonë si dhe janë përkthyer në anglisht dhe rumanisht. Miroslav Çurçiç është pjesëmarrës aktiv i turneut të madh të autorëve të tregimeve të shkurtra në kuadrin e KIKINDA SHORT FESTIVAL. Ai ka botuar përmbledhjen me tregime “Vdekja në Bashaid”, i cili është pritur me vlerësime nga kritika. Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe më herët në gjuhën shqipe në revistën “Poeteka” dhe në suplementi letrar “Milosao”, ku mes të tjerëve veçohen “Hipnoza” dhe “Si mbeta pa gishtin e madh…”. Gjatë qëndrimit të tij në rezidencën letrare, Miroslav Çurçiç u përfshi në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar, vizitoi galeri arti, Muzeun Historik kombëtar, BUNKART, bëri udhëtime në qytete të
Shqipërisë, mes të tjerëve në Durrës, krijoi lidhje me përkthyes dhe njerëz të kultures, mbajti një ditar udhëtimi dhe zhvilloi hobin e tij mbi fotografinë e qendrave dhe të
periferive.




Luna

Në dorë kam një qese me dy kokrra qepë të njoma dhe një copë pastërma me aromë të këndshme. Nën sqetull mbaj një bukë të nxehtë dhe gazeta të djeshme. Ashensori i vjetër më çon ngadalë në katin e dëshiruar. Nuk bëj zhurmë derisa eci nëpër korridorin e gjatë. Po kthehem në shtëpi nga turni i natës dhe bëj kujdes ndaj atyre që flenë ende. Puna e rojeve të natës, që punojnë nëpër qendra tregtare të mëdha, nuk është aspak e lehtë; ecejaket, vetmia dhe frika nga zërat e çuditshëm. Ka shumë kohë që ditën e kam ndërruar me natë. Zbehtësia e fytyrës sime e tregon këtë.
Pastërmaja është mbi dërrasën prej ahu; e prerë. I hedh kripë pjatancës së bardhë prej porcelani. Bukën e copëtoj në dy pjesë. Ambienti mbushet me erëra. Pikëzat e ujit dergjen nga qepa e sapolarë mbi mushamanë laramane, me të cilën është mbuluar tryeza. Marr nga frigoriferi një kanaçe birrë dhe teksa eci e hap. Dëgjohet një tingull karakteristik, shpërthyes. Shkuma del me vrull nga vrima trekëndëshe dhe derdhet mbi parket. Hidhem mbi pellgaçen e shkumës së birrës. Do ta fshij më vonë. Trupin e rraskapitur e ul në karrigen komode dhe këmbët i ngre në taburen prej lëkure. E vështroj Lunën si fle. Ia afroj drej gojës kafshatën e parë.
Luna rri shtrirë mbi kurriz. E ka lakuar këmbën e djathtë. Çarçafi i mëndafshit është i rrudhur dhe i hedhur poshtë nga shtrati. Ajo i ka sytë të mbyllur, kurse mua më shkon ndërmend se ndoshta nuk është në gjumë. Nuk do të habitesha po të shtiret sikur është në gjumë. Duart, me gishtërinj të ndarë, i ka në mes të këmbëve. Thimthi i majtë i është mbledhur pak dhe ka marrë formë mjedre. Thimthin e djathtë e ka të mbuluar. Buzët i ka pak të hapura. Labiat nuk i shoh, por paramendoj se edhe ato gjithashtu janë pak të hapura.


Ndiej uri teksa e vështroj. E zhys qepën në kripë dhe e kafshoj. Një çurg i hollë spërkati nga e bardha e tultë. Ajo e mbuloi me duar burimin e saj. Gishtat i ka të gjatë. Sa do të doja të më ushqejë me këta gishta. Përfytyroj si m’i afron kafshatat e unë hungëris dhe skërmit dhëmbët. Ajo kinse bërtet, duke u frikësuar se mos e kafshoj. Këtë e di nga filmat.
Kafshoj pjesën e tultë të bukës dhe shikoj në pjesën shtesë e të fryrë të saj. Ngjesh brumin e nxhehtë. E mbështjell me një fetë pastërma shumëngjyrëshe të prerë hollë. E fus të gjithën në gojë dhe ia shtoj një birrë. Lumturinë e bëjnë gjëra të vogla; një kafshatë e përsosur dhe thimthi më i bukur në këtë botë.
E marr gazetën nga tryeza. Në ballinën e saj janë njerëz që unë nuk i njoh. Në këndin e djathtë, lart, qëndron data e sotme. I palos faqet e gazetës dhe, hedh edhe një herë shikimin te vajza me këmbë të hapura. I ul këmbët në dysheme dhe, shkoj i mërzitur në banjë për të marrë leckë me të cilën do ta fshij birrën që u derdh. Teksa pastroj dyshemenë, mendoj se si fluturon koha. Shpejtësia e të kaluarit të saj më vë në siklet. Muaji mars kaloi sa hap e mbyll sytë.
Qëndroj mu afër murit në të cilin varet kalendari me fotografi. E shqyej posterin e marsit dhe para syve më del një bukuroshe që do të më presë gjatë tërë muajit prill. Quhet Mia; sa emër i bukur. Do të më nevojiten së paku tri ditë të mësohem me të. Është biondinë. Gjinjtë i ka dyfish më të mëdhenj se Luna. Po i lan dikujt makinën e kuqe sportive. Gjithçka rreth saj është me shkumë. Mbi fytyrën e saj dallohen lumturia dhe emocionet. Cicat i ka të shtrira mbi xhamin e përparmë të makinës të lagur. Janë të shtypura mbi peshën e saj. Duken si palaçinka. Fotografi me siguri i shkrepi fotot nga ulësja e shoferit. Sa do të doja të merresha me punën e tij. Kjo është punë që paguhet mirë, gjithashtu besoj se nuk të lodh fare.

URIA

Secili ushqen pasionin e vet, shkruan me spray të kuq mbi një fasadë të vjetër. Shkronjat janë të mëdha dhe të lakuara. Grafiti është bërë gjatë natës. Gjithmonë merr të njëjtën rrugë dhe është e sigurt se dje nuk ishte aty. Pyet vetveten pse njerëzit lënë mesazhe në këtë mënyrë? Mendon për kuptimin e kësaj fjalie.
Në punë arriti një orë para hapjes së qendrës tregtare. Shkallët e lëvizshme e sollën te kati i fundit, ku janë restorantet ekspres. Te hyrja, në një sallë të madhe, ndjen aromën e dyshemesë së porsapastruar. Karriget janë të radhitura rreth tryezave bosh dhe të pastra. Punonjësit janë pas banakëve. Është e vetëdijshme që trupi i saj tërheq shikimet e meshkujve. Kujton se kjo do të mund të jetë një nga pasionet e saj; dëshira e fortë për kontrollin mbi çdo situatë. Ndjen gurgullimat e lehta të zorrëve. Ecën vendosmërisht te djali i buzëqeshur, që i ofron një tabak plastike.
Mish pule nga Kentucky (KFC), vakti Grader Texas, përfaqëson një mënyrë të përsosur për ta filluar ditën. E hap pa shumë durim letrën laramane. Aromat që çlirohen sakaq e rrëmbejnë kurdohere me vete. E vërtit sanduiçin e rrumbullakët midis gishtërinjve, duke zgjedhur se ku duhet ta kafshojë; rrathët e qepës ngjyrëvjollcë dhe copat e fërguara të mishit dalin nga pak prej simites. Gjysma e sanduiçit zhduket me kafshatën e parë. Kafshimi prej grabitqari nuk i përshtatet fytyrës së saj të butë. Gojën e ka të mbushur dhe mezi merr frymë me hundë. Fajtori për të gjitha është shmangia e murit ndarës të hundës. Po ta kishte vështruar dikush nga profili, do të mendonte se po mbytet. Së shpejti e gjitha përfundon. Mbi tabaka mbeten vetëm mbështjellësja prej letre dhe peceta e rrudhosur.
Sheh orën. Kupton se ka kohë për edhe një espresso të gjatë dhe për një ëmbëlsirë. Pastiçeria e saj më e preferuar quhet Vuajtjet e ëmbla. Qëndron para vitrinës së ftohtë. Është në mëdyshje, mes ëmbëlsirave Sacher dhe Sheherzada; bën porosinë. Një zë i pazakonshëm ia tërheq vëmendjen. Kthehet dhe vëren një harabel në ajër. Zogu i burgosur përpiqet ta gjejë, por pa sukses, vrimën me të cilën ka arritur këtu. Ka hyrë në një botë ku nuk i takon dhe prej së cilës me dëshiron të ikë gjithë panik. I sjellin kafenë dhe dy copa në formë trekëndëshi mbi pjatë. Paguan llogarinë dhe shkon te tryeza me tabakanë e re në duar. Nuk mendon më për zogun.
Thyen me me pirunin plastik koren e sipërme dhe analizon kalimthi tabela me reklama të varura mbi konstruktin prej metali të çatisë. Vëren me kënaqësi se gati të gjitha dyqanet e qendrës tregtare gjigante i drejtojnë klientët e tyre te dega bankare ku punon ajo. Kreditë e shpejta cash konsumatore janë shumë të popullarizuara te njerëzit pak të qëndrueshëm në blerje.
Shefat e dyqaneve gjithashtu janë konsumatorët e shërbimeve për kredi, por me kushte të ndryshme, më të volitshme. Kontratat e tyre ajo i mban në një dosje të posaçme. Është e çuditshme që klientëve as nuk i shkon nëpër mend se çfarë lloj përfundimesh mund të dalin nga shifrat në ato letra. Kur fjala vjen te puna e saj, çdo gjë është lidhur me shifrat. Pi një gllënjkë kafe dhe e ujit kafshatën krem nga pjata e bardhë. I kontrollon mesazhet në celular, ngrihet dhe ngadalë niset në zyrë. Dega bankare në të cilën ajo punon si referente kryesore gjendet një kat më poshtë. Vala e parë e blerësve pritet për dhjetë minuta. Atëherë fillon orari i punës së saj.
Nëpunësi i sigurisë së bankës i hap derën. Ajo i buzëqesh. Me shikim dhe me shenjën pohuese të kokës komunikon me nëpunësit e tjerë. Të gjithë janë në vendin e punës. Hyn në tualet dhe e var çantën mbi dorezën prej nikeli të shkëlqyer të derës. E rrotullon çelësin dy herë. Pasqyra, që merr tërë murin, krijon përshtypjen e rreme se ambienti është më i madh sesa është në të vërtetë. Kontrollon edhe një herë nëse e mbylli derën me kyç dhe nxjerr nga çanta një peshqir të vogël mëndafshi. Vendos mbi pllaka anën me ngjyrë më të mbyllët të peshqirit. Gjunjët i zhyten në material të butë fijezor. Është e qetë, e përqendruar dhe duket si samuraji, që është i gatshëm të bëj harakiri. Shikon drejt në kapakun e tualetit të ngritur. Merr frymë thellë, i bën masazh stomakut duke e shtrënguar. Mendon ende për grafitin. Njeri i ngopur nuk ka motiv; ja, këtë do të shkruante ajo, po ta pyeste dikush.

E ka përvetësuar teknikën e vjelljes ku, saje kokës së hedhur pak prapa, gjithë sa gjendrt në stomak kalon nëpër grykë e jo nëpër hundë. Efektet e padëshirueshme, që bën acidi i stomakut, janë më të buta. Ka hapur gojën. Tkurrjet e stomakut janë më të forta, por shtrëngimet e gishtërinjve të saj më të fuqishme. Mish pule i patretur nga Kentucky kërcen turpshëm nga të brendshmet e saj drejt ujit të kthjellët të ujësjellësit të qytetit. Rënkon, teksa po vjell. Mjekrën e ka të ngritur lart. Kjo nuk mësohet në fakultet, mendoi. Copëzat e fundit të mishit të pulës i kalojnë mbi dhëmbë. Fije pështyme janë shtrirë deri te tualeti prej qeramike. E copton dhe e shkund me gishtin tregues. Dëgjohet gurgullima e shqetësuar e zorrëve. Ajo lëshon ujin që merr me vete të gjitha provat e mëngjesit të sotëm. Lahet me pecetë letre, fshin fytyrën dhe shpërlan gojën. Sytë i ka të përlotur dhe të skuqur për shkak të mundimit. Zgërdhihet duke shtyrë nofullën përpara. Shtrëngon me gishtin tregues lëkurën rreth syve, duke fshirë përkohësisht rrudhat e para që iu paraqitën. Nxjerr nga çanta çamçakëzë me aromë mente, rregullon flokët shpejt e shpejt dhe i jep shkurtimisht një buzëqeshje pamjes së saj në pasqyrë. Merr frymë thellë dhe del jashtë.
Me stomakun e zbrazët dhe me ndjenjat e mprehura kalon pranë klientit të parë, që pret me durim të fillojë dita e saj e punës.
Përktheu nga serbishtja
Merima Krijezi


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to dardan Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Duhet: Tregime nga Miroslova Çurçiqi. Po deshët mundet edhe Miroslav Çurçiq-i. Gjuha shqipe i shquan edhe emrat e huaj. Është ligj i saj dhe ligji duhet të respektohet. Por edhe mbiemri Krijezi është Kryeziu.

    Përgjigju ↓