AKTUALITET

Aksioni antikanabis, zbulohet urdhri i kreu të Policisë së Shtetit

22:50 - 27.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ashtu si vitin e kaluar, kur zbatimi i strategjisë antikanabis solli një rënie të ndjeshme të kultivimit, edhe këtë vit ka nisur operacioni në terren për parandalimin e këtij fenomeni.




Prej datës 9 mars shërbimet e Policisë po zbatojnë planin operacional, që synon parandalimin e kultivimit të kanabisit. Me një urdhër drejtuar të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë e Drejtorive Vendore të Kufirit dhe Migracionit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, kërkon specifikisht kontrollin e ambienteve të mbyllura.

Sipas tij, pavarësisht rezultateve që u arritën gjatë vitit 2017-të, sërish u konstatua një lloj neglizhence sa u përket ambienteve të mbyllura, si depo, sera apo tunele, të konsideruara si zona me risk për kultivimin e bimëve narkotike.

Në mënyrë që të “korrigjohet” neglizhenca e vitit të kaluar, më datë 9 mars, Veliu ka firmosur një urdhër “Mbi organizimin dhe zhvillimin e një operacioni policor për kontrollin e ambienteve të mbyllura për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike”.

Vitin e kaluar, në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë si në vitin 2016-të, përveç operacioneve masive që ndërmori Policia, nga ajri e nga toka, u kërkua edhe bashkëpunimi i qytetarëve.

Madje, Ministria e Brendshme premtoi se bashkëpunimi do të shpërblehet financiarisht. Çdo informacion i saktë që do t’i transmetohej Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në linjën e gjelbër pa pagesë dhe që do të çonte në zbulimin e kanabisit, do të paguhej deri në 300 mijë lekë të rinj.

URDHRI

“Në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për vitin 2018-të, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike, urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të vitit 2017-të për dokumentimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, lidhur me goditjen e kësaj veprimtarie dhe takimit të zhvilluar në janar të këtij viti mbi rikontrollin e ambienteve të mbyllura me risk për kultivimin e lëndëve narkotike, të cilat angazhojnë strukturat e Policisë së Shtetit për kontrollin e territorit, duke përqendruar vëmendjen në kontrollin e serave, depove, tuneleve, ishreparteve ushtarake, shtëpi të braktisura etj.

Nisur nga problematika e hasur gjatë zhvillimit të operacionit policor, ku në ditët e para nuk u angazhuan me kontrollin e territorit që mbulojnë Drejtoritë Vendore dhe ato të Kufirit e Migracionit, si dhe mosidentifikimi i ambienteve të mbyllura me risk për kultivimin e bimëve narkotike dhe zbatimin e saktë të shërbimeve për kontrollin e tyre, e veçanërisht në zonat me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike.

Sa u tha më sipër, me qëllim intensifikimin e punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, nga ana e drejtuesve të Drejtorive Vendore të Policisë kërkohen të gjitha masat e nevojshme, duke nisur që më datë 9 mars 2018-të”.

Burimi: Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.