KULTURË

Simon Mirakaj i përgjigjet Xhufit: Unë kam jetuar në kampin e Tepelenës, ishte burg

13:00 - 31.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një deklaratë e dy ditëve më parë, bërë nga historiani Pëllumb Xhufi ka irrituar të gjithë të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri. Kryesisht të mbijetuarit dhe familjarët e të internuarve në kampin e Tepelenës janë zemëruar së tepërmi me deklaratat e historianit. Prej ditës së mërkurë, reagimet në rrjetet sociale dhe në media kanë qenë të ashpra. “Kampit i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë. Ai i Maliqit ishte më i tmerrshëm. Askush nuk e thotë pse u ngrit ky kamp. Pas prishjes me Jugosllavinë, ka ndodhur një gjë e madhe pasi Jugosllavia ngriti bazat në Prizren dhe në Ulqin, ku organizoheshin grupet që arratiseshin nga Shqipëria. Armatoseshin, vinin dhe bënin aksione. Në këtë kamp u izoluan familjet kryesisht nga veriu”, tha Xhufi. Ai shtoi se, “këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi, ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen, sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp, që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia”, – deklaroi Xhufi. I pyetur nëse ka një numër të vdekurish në këtë kamp, historiani i njohur tha se: “Absolutisht jo! Kanë qenë kazermat e ushtrisë deri në fund të viteve ’60. Ato i ka ngritur ushtria italiane, ndërtesa solide me tulla”.
Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi; drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole dhe Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit kanë dalë me qëndrime e deklarata kundër Xhufit.
Së fundmi, Autoriteti i Dosjeve ka një projekt për kthimin në muze të ish-kampit, me çka synon mbështetjen e përkujtimit të vuajtjeve të mijëra grave, fëmijëve dhe pleqve nëpër kampet e punës së detyruar në komunizëm. “Është përzgjedhur ish-kampi i shfarosjes së Tepelenës, ku në vitet 1949-1954 humbën jetën nga uria dhe nuk u gjendet as varri qindra fëmijëve. Projekti u iniciua nga AIDSSH në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës dhe të mbijetuar dhe familjaret e tyre”, thuhet në faqen zyrtare e AIDSSH-së.




I MBIJETUARI I KAMPIT
“GSH” ka kërkuar një reagim nga Simon Mirakaj, i mbijetuar i kampit. Ai ka qenë atje në moshë të vogël dhe i pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, tha dje nga Zvicra ku ndodhej se, “rrëfenjat e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës kanë vetëm një qëllim, që ajo histori të mos përsëritet. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për të pasur një të ardhme të sigurt. Kjo e ardhme e sigurt është edhe për fëmijët e Xhufit e kompani”.
Mirakaj solli shembull nga jashtë se çfarë ndodh kur ka deklarata kontradiktore, ose në dëm të ish-të dënuarve të regjimeve.
“Në Gjermani një gazetare tha se në ‘kohën e Hitlerit, familja ishte e konsoliduar’. Pati reagime të drejtpërdrejta si largimi i menjëhershëm nga puna”.
Mirakaj shprehu keqardhje për deklaratën e historianit Pëllumb Xhufi, kur tha se “fatkeqësisht këta lloj intelektualësh a historianësh janë të pandreqshëm. Ata fizikisht jetojnë në demokraci, edhe pse përfituan shumë më shumë se ata që luftuan për një Shqipëri të lirë e demokratike, përfituan nga demokracia”.
I pyetur për kampin e Tepelenës, nëse ishte ai më i rëndi në Shqipëri, Mirakaj shtoi se “Parlamenti i vitit ’91 e konsideroi burg kampin e Tepelenës për keqtrajtimin e njerëzve në atë kamp”.
Kujtoi, se “ai ishte një kamp që detyronte fëmijët të punonin nën tytën e automatikut, se gjatë rrugës për punë shoqëroheshin nga policë të armatosur. Këta ishin të moshës 14-15 vjeç. Që mbanin pleh, driza, gurë në kurriz për komandën e policisë së kampit. Ndërsa ne të vegjlit stivonim predhat që gjendeshin në oborrin e kampit. Jo rrallë kishin shkaktuar dhe tragjedi”.
I pyetur se si e shpjegon qëndrimin e Xhufit – nuk e ka njohur jetën në kampe e nuk e dinte çfarë ndodhte atje, Mirakaj tha: “Nuk di ta shpjegoj. Vetëm për fat të keq shoh se është nostalgjik i së kaluarës. Ai vërtet nuk e dinte, por ka dëgjuar prej të mbijetuarve të atij kampi. Nuk është e thënë që të kenë njerëzit të njëjtin fat. Por duhet të ndjejmë dhimbje kur dëgjojmë vuajtje nga padrejtësia”, e mbylli prononcimin e tij nga Zvicra, Simon Mirakaj.

REAGIMET
Kastriot Dervishi ka qenë më i ashpër në reagimin e tij. Si ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, ai thotë se “Xhufi i kënaqur për dërrmën që iu dha partia ‘armiqve të popullit’ (gra, pleq dhe fëmijë) aludoi krejt kot se kampi është hapur në vitin 1949 për familjarët e të arratisurve në Jugosllavi. Nuk e di nëse këtë e ka dëgjuar nga ndonjë polic i kampit nga Progonati nga rrëfime familjare. Në të vërtetë, të internuarit e Tepelenës janë internuar si antikomunistë e antijugosllavë qysh në vitin 1945 fillimisht në Berat e më pas janë zhvendosur në Tepelenë. Në vitet e para pas lufte, elementi nacionalist nuk mund të arratisej në Jugosllavi, pasi ishte një regjim i përbashkët, si këtu e atje. Dhe pikërisht në kohën kur babai i Pëllumbit, Muharem Xhufaj ishte drejtues komunist i brigadës së 5-të dhe luftonte kundër shqiptarëve në Kosovë (nuk kishte asnjë nazist në këtë kohë atje). Tani Muharremi me yll të kuq në ballë, që luftonte krah për krah brigadave të shokut Tito kundër elementit nacionalist në Kosovë çfarë i bie që të jetë”?
Ndërkaq, dje IDMC, përmes një komunikate për shtyp tha se “historiani, prof. dr. Pëllumb Xhufi është shprehur se ‘Kampi i Tepelenës’ ka qenë një kamp pune me kushte të mira dhe jo një kamp shfarosës, ku ndër të tjera kanë vdekur burra e gra dhe mbi 300 fëmijë të mitur. Në këtë mënyrë, ka mohuar me cinizëm dhe dashakeqësi të përllogaritur vuajtjet dhe historitë jetësore të gjithë atyre njerëzve që i kanë rrëfyer ato në këto 27 vjet. Është njësoj sikur të çohej një historian i njohur në Gjermani dhe të mohonte Holokaustin”!
Në të njëjtën komunikatë, IDMC, thotë se deklarata që fillojnë me fjalët ‘Absolutisht jo!’ duke mohuar krime për të cilat ekzistojnë qindra dëshmi të rrëfyera dhe dhjetëra dëshmitarë të gjallë, të dala nga goja e një historiani, i cili ka si profesion të shohë, vëzhgojë e të studiojë të gjitha anët e historisë, nuk ndihmojnë as viktimat, as publikun, as shkencën dhe as debatin mbi këtë temë. “Deklarata e tij është shoqëruar me një dokument të CIA-s, i cili si në ekran ashtu edhe në botimin në shtyp nuk ka qenë i lexueshëm për publikun. Të nxjerrësh përfundime ekstreme nga një dokument i vetëm, në një kontekst të paqartë, në një kohë që viktimat janë ende gjallë dhe dëshmitë gojore për këtë janë mbledhur, jo vetëm tregon papërgjegjshmëri profesionale, por edhe dashakeqësi”, thuhet në reagimin e IDMC.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.