DOSSIER

“Blerim Luzha na tha se Rexhep Ferrin e ka dërguar UDB-ja”

13:50 - 02.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Në kuadrin e marrëdhënieve të mira dhe deri diku miqësore që mbajti Tirana zyrtare me Jugosllavinë e Marshallit Tito nga fundi i viteve ’60-të (pas agresionit ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë) e deri në fillimin e vitit 1981, kryesisht në planin ekonomik me shkëmbimet tregtare dhe ato kulturore e arsimore, gjatë gjithë asaj dekade, midis dy vendeve pati shkëmbime të shumta delegacionesh, ku mjaft personalitete të artit, kulturës e arsimit nga viset shqiptare në Jugosllavi vizituan Shqipërinë dhe anasjelltas. Në këtë kuadër, aty nga mesi i nëntorit të viti 1979, në Shqipëri erdhën për vizita dhe për të hapur disa ekspozita personale edhe disa piktorë shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, apo dhe disa të tjerë shtetas të këtyre trevave me origjinë sllave, si Vojo Todor dhe Sllobodan Bjuriç, titullarë të shoqatave e institucioneve kulturore dhe artistike të Malit të Zi.




Ndërsa nga “miqtë” e ardhur nga Kosova, njëri prej tyre ishte dhe Blerim Luzha, piktor mjaft i njohur me origjinë nga Gjakova, i cili gjatë vizitës së tij në Shqipëri, shoqërohej edhe nga babai i tij, Qamil Luzha, veteran dhe atdhetar i njohur, që në periudhën e luftës kishte banuar në qytetin e Tiranës ku kishte dhe shtëpinë e tij. Ashtu siç ndodhte në atë kohë në vizitat e ndërsjella, miqtë artistë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, kur vinin në Shqipëri shoqëroheshin nga kolegët e tyre nga atdheu amë dhe kjo gjë ndodhte dhe anasjelltas.

Në këtë kuadër, piktorin kosovar Blerim Luzha i cili erdhi për të hapur ekspozitën e tij personale në Tiranë, e kanë shoqëruar disa kolegë të tij, personalitete të arteve figurative, si piktorët e njohur: Ismail Lulani, Nexhat Mujullori, Sali Shijaku dhe Qirjako Mëniko. Të cilët pas largimit të “miqve” të tyre, kanë bërë dhe raport-informacionet përkatëse për Komitetin Qendror, duke dhënë me detaje gjithçka kishin parë, biseduar dhe dëgjuar prej tyre, si dhe takimet e ndryshme që ata kishin pasur edhe me kolegë të tjerë si nga Shqipëria, ashtu dhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në këtë kontekst, apo më saktë në bazë të “këtyre rregullave”, Mujullori, Lulani, Shijaku dhe Mëniko, kanë përpiluar edhe raport-informacionet që po i publikojmë për herë të parë në faqet e këtij libri.

Ajo që vihet re në raport-informacionet në fjalë, të cilat i kemi shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën sekret, janë bisedat e bëra ndërmjet shoqëruesit Nexhat Mujullori dhe Blerim Luzhës, lidhur me takimin e papritur që ata kanë pasur në Hotel “Dajti” me kolegun e tyre, piktorin e njohur nga Kosova, Rexhep Ferri. (Rexhep Ferri, lindur në Kukës në vitin 1937 dhe i diplomuar në degën e Pikturës Monumentale të Akademisë së Arteve të Beogradit në vitin 1966, akademik, poet, romancier, publicist dhe një nga përfaqësuesit më të njohur të trashëgimisë artistike të Kosovës).

Për të cilin, Blerim Luzha ka shprehur haptazi tek kolegët shqiptar rezervat e tija, madje duke aluduar dhe e akuzuar hapur si “njeri i Beogradit” që autoritetet jugosllave, apo më saktë duke lënë të nënkuptohej, UDB-ja, e kishte dërguar në Shqipëri me mision, për të survejuar një kolegun e tij, me mbiemrin Hoxha, për të cilin, piktori Luzha shprehej se “ishte burrë i mirë”. Për më shumë lidhur me këtë gjë si dhe vizitat e bëra në Shqipëri nga piktori Blerim Luzha, (aktualisht një nga personalitetet më në zë të arteve figurative të Kosovës), takimet e tija me kolegë e të njohur të tjerë, na njohin dy dokumentet e mëposhtme që po i publikojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim.


I N F O R M A C I O N
Mbi disa të dhëna nga shoqërimi që i bëmë delegacionit Mala Zes
1. Sllobodan Bjuriç, President i Lidhjes së Artistëve të Malit të Zi
2. Vojo Tatar, Sekretar i kësaj Lidhje.
Që të dy piktorë të njohur në Mal të Zi, gjithashtu kishin edhe disa tituj më të lartë si piktorë.
U shoqëruan nga Nexhat Mujollari dhe Ismail Lulani nga data 22.XI.1979 deri më datën 28.XI.1979.
Vojo Tatar më tha se në Luftën e Parë, gjyshi i qe vrarë në Malin e Taraboshit në Shkodër dhe se i jati i babajt të tij kishte marrë pjesë në luftën çlirimtare kundër Gjermanisë me funksion si komandant batalioni, e megjithkëtë tha ai ka vetëm dy vjet që i kanë dhënë shtëpi. Ai vazhdimisht ka kërkuar që të sigurojë plazhin ndonjë vit, atij nuk ja japin mundësinë thoshte Vojo.
Ndërkohë atë e ndërpriste në bisedë Sllobodani të cilit i ishin vrarë dy vëllezër në luftë dhe se nëna e tij ishte aktivizuar si partizane. Sllobodani tha se dikur gjyshi i tij ka qenë konsull në Shkodër.
Ata disa herë përmëndnin Krajl Nikollën për të mirë dhe na thanë se pavarsisht se si kanë qenë, ai ka luftuar për mos bashkimin e Malit të Zi me Republikat. Vojo Tatari tha se para se të vinte në Shqipëri, më thirrën dhe më thanë të kemi kujdes, mbasi në Shqipëri ngado që të shkosh, ke njerëz që të ruajnë, nuk të lënë të lëvizësh, e shumë të tjera si këto dhe kanë ardhur me këtë mendim, por nuk gjeta atë. Dhe propaganda në Shqipëri tha ai është bërë shumë e keqe, këtë e ka bërë shtypi, radioja dhe si kanë mundur. Ne, këto që pamë këtu, do t’ua themi njerëzve tanë dhe kujtëdo.
Duke kaluar nëpër qytetin e Shkodrës ata thanë se likujdimi i pasojave të tërmetit këtu ka çuditur botën. Tek ne kanë filluar vetëm disa institucione apo hotele nga duhet të nxjerrin lekët, ndërsa shtëpitë e njerëzve akoma nuk po u bie ndërmënd. Ata panë disa stenda ku ishin vendosur fotografitë e shokut Enver Hoxha në vizitën që bëri në Shkodër.


Sllobodani tha se është shumë i bukur Enveri dhe kur ka qenë në vizitë në vitin 1946 në Beograd, kudo flitesh për bukurinë e tij. Mbasi u shkëput pak nga shoku i tij, Vojo më tha: “Atje në Mal të Zi unë njoh një njeri që ka fotografinë e shokut Enver që kanë dalë bashkë në atë kohë, ai akoma e ruan atë”. Ne thanë ata kemi simpati për Shqiptarët, mbasi edhe disa tradita apo zakone të mira na ndodhen të përbashkëta, të cilat nuk i gjejmë tek popujt e tjerë: ne kemi shumë dëshirë që të lidhemi me ju për shkëmbimin e ekspozitave të arteve figurative.

Në Hotel “Dajti” unë takova Blerim Luzhën (Shqiptar nga Kosova). Më pyeti se si ja kalojmë me Mala Zezët, unë i thashë shumë mirë, ai më tha se ata të dy nuk janë djem të këqinj, më mirë të rrish një vit me një Mala Zez se sa një ditë me maqedonas (mbasi dy maqedonas ishin pak më tutje), kur e pyeta se pse të jetë kështu, më tha se kanë më shumë besë. Ndërkohë po vinte drejt nesh Rexhep Ferri i cili kishte ardhur atë natë, mbasi e pyes Rexhepin se si ishte me shëndet, Blerimi mbas pak kërkoi leje të largohesh. Unë si me shaka i thashë Rexhepit, se nga mbive ti këtu, kjo është një mrekulli, ai më kapi në qafë më puthi dhe më tha: “As vetë se di, vetëm se erdhën e më thanë që nesër do të nisesh për në Shqipëri”.

Unë e ndërpres dhe i them se do të kesh ardhur me ftesë të Galerisë së Arteve, jo më tha, jam me me Akademinë e Shkencave, por do të aneksohem dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve, po shokë të tjerë do të vijnë nga Kosova? Jo, më tha ai, edhe mua kur më thanë të vi, më porositën që me marr vesh, se a po shahet Jugosllavia e ndonjë fjalë me ndigju.
– Unë i them, duke qeshur; e ku ke me i ndigju bre Rexhep, pse ksi sendesh na i kemi than hapur, ndaç në shtyp, ndaç në Televizion, po, po, tha ai, ashtu çe besa se as vet se di. Ndërkohë zbrisnin kolegët malazezë dhe u përshëndeta me Rexhepin.
– Të nesërmen Blerim Luzha më thotë: “Nexhat, kur kam pa mbramë Rexhepin, unë krejt jam befasu, se nuk e prisnja, mbase unë e dij mirë se nga Kosova nuk do të vinte asnji. (Po përse them unë). Ai e kaloi këtë duke më thënë, se; ti duhet me e marrë me mënd se si shkojnë punët atje, veç nji gja po të them, mbasi unë me ty due me fol haptazi: “Kur kena bë kërkesën në akademi në atë kohë nuk i jepej e drejta asnjërit me nënshtetësi shqiptare në Beograd, vetëm Rexhep Ferri ka mujt me hy. Dhe se në kohën e Rankoviçit ai e ka pas mbiemrin Ferroviç dhe tash atje me disa punë ngatërrohet, nuk di çfarë me than, po me atë shokun tjetër që ka ardhur me mbiemrin Hoxha, unë e njoh se është burrë shumë i mirë. Me siguri ata i kanë vu Rexhepin mbrapa. Unë tha Blerimi kishe qejf me qëndrue dhe për festat, po s’kam si rri se Rexhepi sa herë që po më sheh, po më pyet kur po shkon”?

– Natën e inagurimit të Ekspozitës më njoftuan se nuk duhet të ishin Malazëzët atje dhe unë mbasi i shëtita nëpër Tiranë u thashë se do të shkojmë në ekspozitë në ora gjashtë e gjysëm, ndërkohë edhe vizitorët janë rralluar dhe kemi mundësi ta shikojmë më me nge. Sllobodani u takua me Rexhep Ferrin në hotel “Dajti”, pas pak erdhi tek unë që po rrinim me Vojon dhe i revoltuar na tha:”Kjo nuk është gjë e mirë. Përse neve nuk na dhatë ftesën për inagurimin e ekspozitës, përse na ndatë nga shumë të tjerë të cilët marrin pjesë në të, përse na ofendoni, kur ju vetë na ftuat për një gjë të tillë. Ç’të keqe ka, tha Sllobodani, kur shokët e qeverisë kanë qënë aty ne i respektojmë rregullat, ne nuk erdhëm nga Mali i Zi me revole në xhep, por përkundrazi”. Të gjithë këto ai i tha shumë i nervozuar dhe menjëherë.
(Unë kuptova se të gjitha këto sqarime i mori nga Rexhepi). Ne u thamë se këtu është keqkuptuar mbasi në ekspozitë do të shkojmë nga ora gjashtë. Ata nuk e vazhduan më këtë bisedë. Në darkën e lamtumirës ata thanë fjalë të mira për ditët që kaluan në Shqipëri dhe kërkuan falje për ndonjë shqetësim që mund të kenë sjellë.
(Nexhat Mujullori) (Ismail Lulani)
…………………………………

 

I N F O R M A C I O N
LIDHUR ME QENDRIMIN E PIKTORIT KOSOVAR BLERIM LUZHA
Blerim Luzha hapi ekspozitë personale me projekte të tekstilit. Ai qëndroi në Shqipëri 21 ditë. Në përgjithësi mbeti shumë i kënaqur për gjithçka që ju bë nga pritja në përcjellje.
Nga vizita që bëmë në Durrës ai rastësisht takoi tre kosovarë të cilët shoqëroheshin nga shoku Gani Keçi. Kur u kthye tha se njëri prej tyre ishte Rexhep Zoga, drejtor i Librit të Prishtinës, për të cilin thoshte se është njeri jo i mirë dhe se është i lidhur me organe të tjera në Jugosllavi.
Mbasi bënë vizitën në Muzeun e Luftës në Gjirokastër dhe Blerimi la përshtypjet e tija në librin e përshtypjeve dhe nuk shënoi emrin, babai i tij Qamil Luzha i hoqi vërejtje që të shkruante emrin dhe mbiemrin e plotë të tij dhe të vetin.
Blerim i tha se; unë e shkruaj, po mos harro se nesër vjen dhe e sheh Rexhep Zoga. Qemali shahu nëpër dhëmbë i nevrikosur. Blerimi i tha; tash babë nuk duhet vetëm me dru, por dhe me tru.
Qamil Luzha babai i Blerimit bëri disa vizita. Kur i propozoi Blerimi që të shkruante, ai heshti. I ati i tha se duhet të vish e të njihesh me këta njerëz shumë të mirë dhe patriot.
Qamili me Blerimin bënë vizita në shtëpinë e Bije Vokshit, Bujar Hoxhës, Ajet Haxhisë. Kërkonte të shkonte tek Shaban Brahja dhe në shtëpinë e Karaman Yllit. Gjithashtu takoi me Ali Boletinin.
Qamil Luzha i tha të birit se kishte tapinë e shtëpisë së tij që kishte në lagjen nr.10 në Tiranë. Blerimi i tha; ça merresh me kto punë kot. Ai tha se; unë rroj me shpresë dhe se nuk është e largët dita e unë do të kthehem në shtëpinë time. Për këto punë dinë kush me punu, se të jetë për ju të rinjtë, e ke të vështirë me i pru Kosovës ditë të bukura. Kur unë ndërhyra dhe i them se; ku e ke fjalën Axha Qamil, ai m’u përgjigj, eh mor bir fjalën e kam atje ku e kam pas sot e 35 vjet, megjithëse dinari e dollari i kanë amëltu disa njerëz, që janë me kokrra.
Blerimi më tha se e kishte pas të vështirë për të ardhur në këtë ekspozitë, duke i thënë se përse të jetë personale e të mos jetë e përbashkët dhe se Bajazit Nushi kishte hezituar dhe me vështirësi ja kishte aprovuar.
Në takimin që bëri Blerim Luzha me ambasadorin jugosllav në ambasadë, i kishte thënë Blerimit se ke bërë shumë mirë që ke ardhur në Shqipëri pikërisht në këtë kohë dhe që kishte hapur ekspozitën, mbasi kjo ndihmon në mbarëvajtjen e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri. Blerimi më tha se e kishte pritur shumë mirë. Megjithëse ai tha: “Nexhat mos harro që ai është një skile që nuk e ka shokun”.
Më tha se kur po vija nga Kosova, më doli në doganë Qamili, ish-sekretari për artin dhe kulturën pranë ambasadës jugosllave dhe që është burrë shumë i keq.
Blerimi më kërkoi që të lexonte “Vetëadministrimin jugosllav”. Mbasi e morri në librari më tha se e kishte lexuar artikullin e revistës “Ylli”, e kërkoji ta lexonte. I ati i tha se e kemi të incizuar në Gjakovë. Ai tha se ky artikull i ka shqetësuar krerët dhe disa që hanë bukën e Serbit. Dhe u përhap fjala sikur paria e Kosovës e ka kërkuar fshehurazi nga Shqipëria për ta nmxjerrë këtë artikull. Kështu bëjnë në shumë raste Maqedonasit tek Bullgarët tha ai.
Menjëherë mbas këtij artikulli u zhvillua një simpozium, për të parë dhe ndihmuar ato republika të pa zhvilluara dhe konkretisht Kosovën. Kjo tregoi tha Blerimi se artikulli bëri punën e vet.
Mbasi lexoi “Vetëadministrimin Jugosllav” tha se është një gjë shumë interesante dhe të çel sytë. Unë e di tha ai se vetëm në Beograd janë 6.000 mjekë me shkollë të lartë që nuk u sigurohet vëndi i punës.
Kërkoi të merrte me vete këto libra:
1. Shënime për Kinën. 2. Vetëadministrimi Jugosllav. Imperializmi dhe Revolucioni, si dhe disa romane të kohës.
Kërkoi që lejen e kufirit t’ja nxirrnim nga Kapshtica për të dalë në Greqi mbasi andej e kishte të mundur që të nxirrte librat, pastaj t’i linte tek një mik i tij në Greqi dhe i merrte më vonë. Kjo nuk u realizua.
Një ditë më thotë, Nexhat, dua me të thënë diçka: “Kam vue re se nuk afrohen shokët me ardh e me m’ë takue, nuk e dij pse ndodh kështu”?
I thamë se ke takuar mjaft shokë si piktorë dhe skulptorë, qoftë në hapjen e ekspozitës dhe më vonë si edhe në mbyllje, edhe ditën e largimit disa prej tyre erdhën e të përcollën. Ti na the tha se ai Mumtaz Dhrami është në Vlorë, kurse unë e pashë atë. Sali Shijaku erdhi vetëm natën e diskutimit. Unë i thashë mos harro se ata janë në pragun e dy ekspozitave dhe janë në kulmin e punës e megjithatë atë erdhën, ndërsa Mumtazi mundet të ketë ardhur nga Vlora për punë dhe prapë të ketë ikur mbasi po merret me monumentin e Drashovicës.
Blerimi mendon të kthehet përsëri nga muaji tetor, për të marrë ekspozitën.

Sh o q ë r u e s i t
(Nexhat Mujullori (Qirjako Mëniko)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.