Intervista

Ardian Ndreca: Rikthimi i inxhinier Gjadrit me “Letra grues seme të vdekur”

13:05 - 04.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elsa Doda – Letra grues seme të vdekur” është një nga botimet më interesante të kohëve të fundit. Libri ka si autor Gjovalin Gjadrin, inxhinierin e shquar sidomos për ndërtimin e Urës së Matit, i cili ishte shkruar në gjuhën gjermane dhe erdhi i përkthyer në shqip nga Ardian Ndreca. Prezantimi i këtij libri u zhvillua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, ku të afërm dhe miq u bënë pjesë e atij pështjellimi dashuror të rrallë. Inxhinier Gjadri humbi bashkëshorten e tij Zejnep në moshë fare të re nga së mundja e shekullit të shkuar, tuberkulozit dhe nis t’i shkruajë letra gruas së vdekur, në gjermanisht, me një stil unik dhe artistik. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” përkthyesi i veprës Ardian Ndreca, na tregon më tepër mbi historinë dhe personazhet duke dhënë dhe një mesazh: “Ura e vetme e përjetshme për të gjithë ata që besojnë jo vetëm tek jeta e përtejme, por tek dashuria është dashuria e vërtetë mes dy personave”.




Pse autori vendosi te shkruaj në gjermanisht?
Autori i tronditur tej mase për vdekjen, humbjen e parakohshme vetëm pas pak vitesh martesë, 7 vjet, mendon se thellësia e vuajtjes së tij dhe intimitetin e çasteve që kanë jetuar, të lumtura dhe të hidhura nuk mund t’i shkojë në dorë kujtdo prandaj e shkruan këtë libër në gjuhën gjermane dhe e boton në pak kopje, të cilat ia shpërndan pak miqve, ish-kolegeve të tij studentë dhe ish-kolegëve dhe miqve të shoqes së tij të jetës në Austri, Vjenë. Pra, ka një përzgjedhje që ka të bëjë me komunikimin indirekt që autori parapëlqen, e dyta ka të bëjë me vetë natyrën e tekstit. Është një tekst që ka një element autobiografik, shkon përtej biografisë ose kronologjisë së thjeshtë së një personi që vuan dhe humb personin e tij të dashur. Shumë njerëz në jetën e përditshme përballen me ngjarje tragjike, por këto ngjarje tragjike nuk prodhojnë vepra letrare. Kjo ngjarje është e tillë që çon autorin për të shkruar një vepër letrare. Autori është një inxhinier, jo se nuk ka inxhinierë që nuk kanë shkruar kurrë më parë letërsi, por për herë të parë ne jetën e tij Gjadri ka guximin që gjë në më të shtrenjtë përjetimet, përftimet e dhimbshme të jetës së tij t’ia besojë shkrimit. Me këtë vrull që është i diktuar prej dhimbjes ulet e shkruan një libër që e kryen në pak kohë.

Në foto: Gjovalin Gjadri dhe gruaja e tij, Zejnep

 

Çfarë e ndjek gjatë të gjithë shkrimit të veprës deri te dorëzimi i veprës tek lexuesi?
E ndjek kujtimi i dashurisë për të shoqen, dhe nga ana tjetër, ndjenja se i është bërë një padrejtësi e madhe, autorin e të cilës është vështirë për ta gjetur. Duke qenë një person që është rritur me besimin në Zot e bën zotin fajtor për këtë që i ka ndodhur, dhe një pjesë e librit është një dialog, kërkesë për justifikim që i kërkon Zotit, pse e ke bërë këtë gjë? Është një temë antike të cilën e ndeshim te Seneka, Ciceroni në filozofi Kant, Lagnic në letërsi bashkëkohorë, eseistik. Ai kërkon ribashkimin me të dashurën e tij në një dimension tjetër përtej atij fizik duke i kërkuar Zotit të paktën tani që më ka ndodhur kjo padrejtësi unë dua prej teje të bashkohem me gruan të cilën dua që të ribashkohem me të sapo të mbarojë ky segment i jetës taksore. E pranon vuajtjen e tij, pasi gjëja e mirë vuajtjes është se ajo mbaron, bashkë me jetën për t’u ritakuar me gruan. Në kopertinë të librit shihet dhe një pikture origjinale që një kolege shoqe e Zejnepit ia kishte bërë në Vjenë në 1927. I gjithë ky diskurs artikulohet në mënyrë letrare filozofike dhe nëpërmjet formulimeve që janë të rralla. Ai thotë : “Unë nuk jam në gjendje të rris djalin tim pasi kam humbur të gjithë habituset, aftësitë për të dhënë diçka të mirë, pasi nuk kam më diçka të mirë për të dhënë”. Fatmirësisht brenda tij kishte mbetur diçka shumë e mirë vetë fakti që ndjen prezencën e dashurisë kaq të thellë për gruan e tij. Nuk është një njeri i mbaruar prej vuajtjes, por njeri që purifikohet, ku nëpërmjet vuajtjes e vazhdon ta kujtojë gruan e tij, por jo tek kujtimi, figura memoria, por brenda vetes. Gjëja më reale e jona është uni jonë thotë Dekarti pastaj vjen trupi. Kjo është pak a shumë rrugëtimi filozofik dhe letrar i letrës.

Cila është ura e vetme e qëndrueshme e Gjadrit?
Fatkeqësisht një prej urave të tij më të famshme e hodhën gjermanet në erë gjatë Luftës së Dytë Botërore, urën e Gomsiqes e ndërtuar me një teknologji më pararojë për epokën. Urat materiale që bashkojnë dy brigje fatkeqësisht vjen një moment dhe prishen, por ura e vetme e përjetshme për të gjithë ata që besojnë jo vetëm tek jeta e përtejme, por tek dashuria është dashuria e vërtetë mes dy personave dhe më tej respekti, miqësia.

Në foto: Zejnepi, dalë në Vjenë (fillimi i viteve ‘30)

 

Çfarë mesazhi përcjell ky libër?
Sot flitet për dhunën në familje, e cila zakonisht është e mashkullit ndaj femrave ku shoqëria reagon shumë ngadalë. Leximi i këtij libri bë n të kuptosh që dhuna është diçka shumë primitive dhe dashuria shkon përtej konflikteve. Ato konflikte që mendojnë se zgjidhen nëpërmjet dhunës janë vetëm nga një mendje barbare. Ndaj femrës, bashkëshortes duke qenë dhe nënë duhet një respekt i dyfishte për rolin krijues qe ka, nga ana tjetër është çështja e dashurisë. Mendoj që çdo femër do të kishte ëndërruar po të kishte fatin e keq për të vdekur para bashkëshortit të saj, që t’i shkruhej një libër i tillë ose edhe dy rreshta të tillë , një letër e vetme dashurie jo një vepër, e cila tregon se atë e ka dashur një person me gjithë qenien.

Pse autori vendos ta botojë me pseudonim?
Kjo arsye është e lidhur gjithnjë me komunikimin indirekt, i cili është i lidhur me pseudonimin. Shkrimtari komunikon me lexuesin jo drejtpërdrejt, kjo mënyrë realizohet nëpërmjet pseudonimit, pra nuk jam unë, por është Gmaraj dhe nuk është gjuha shqipe, por një gjuhë e huaj për të ruajtur dhe transferuar autoritetin e fjalës sime nëpërmjet një filtri. Shumë herë ne e përdorim këtë mënyrë në jetën e përditshme, p.sh. parlamenti përdor zëdhënësen, ministri zyrën e shtypit etj., këtu kemi të bëjmë me letërsi dhe ky komunikim nuk i heq vlerat letërsisë, por në atë moment është një rrugëtim që mundohet të ruajë të pacenuar anën shpirtërore dhe intimitetin e ndjenjës.

Pse ju vendosët ta përkthenit në gegërisht?
E kam përkthyer se përkthimi i pari është i paplotë, dhe ne gegërisht, sepse, nëse autori vetë do ringjallej dhe do ta kishte shkruar në gjuhën shqipe padyshim qe do ta kishte shkruar në gegërisht. Gegërishtja ka aftësi stilistike, thellësi në fjalor dhe thellësi mendimi. I ka te gjitha këto instrumenti. Më ka lodhur, por e kam bërë me pasion.

 

“Letrat” e Gjadrit i sillnin botës sonë kulturore dukurinë e shkrimit intim

Persida Asllani – Letra gruas sime të vdekur” është një dukuri specifike në kulturën shqiptare të librit. Ai është shkruar e botuar gjermanisht nga një zemër burrërore shqiptare që frymonte kulturalisht në botën mendore e letrare të ish-perandorisë austro-hungareze, një hapësire sa etatike aq edhe botëkuptimore që i mbijetoi shpërbërjes së vet gjeopolitike si një kujtim e entitet i fortë kulturor e shpirtëror. Prandaj dhe prezantimin e përkthimit të ri e të plotë të tij në shqip parapëlqyem ta zhvillonim pikërisht në mjedisin e Sallës gjermanofone të leximit në Bibliotekën Kombëtare si për ta shenjuar me një metaforë hapësinore natyrën duale të këtij teksti emblematik po aq sa ç’ishte emblematik për breza të tërë vetë autori i tij, inxhinieri.
Gjovalin Gjadri
Teksa e botonte këtë epistolar intim nën drojën e pseudonimit G.Maranaj gjatë vitit 1943, ai ndërtonte teatrin e jetës e të vdekjes nën dritën e errët të dashurisë së humbur dhe i mbyllte letrat e tij me përulësinë e madhështinë e dhimbjes së thellë duke i pohuar kujtimit të gruas së vdekur se “due me të nderue tue mbajt zi”. Të shkruara në gjuhën gjermane dhe të lidhura qindra fijesh me regëtimet e letërsisë së thellësive të shpirtit, tipar përkufizues i letërsisë austriake, po qa sa me përsiatjen filozofike mbi jetën e vdekjen, e sidomos mbi dashurinë e patjetërsueshme, “Letrat” e Gjadrit i sillnin botës sonë kulturore dukurinë e shkrimit intim e të kërkimit refleksiv të vetvetes e të qenies se dashur (e të dashurueshme). A do të kish mundur t’i sillte ato në shqip? E vështirë, por jo e pamundur! E vështirë për aq sa mjedisi kulturor e ligjërimor i viteve ’40 nuk e kish fituar ende zhdërvjelltësinë e pohimit të intimes vetjake. E vështirë për aq sa “vaji i burrit” ishte “gjâma” dhe heshtja. E vështirë për aq sa nevoja e autorit të tyre të qe pohimi i ndjesive më të thella të dëshpërimit në një gjuhë ku nuk themelohej, por vijonte tradita e këtij lloji të shkrimit e shprehjes. Por jo e pamundur! Përkthimi gegnisht nga filozofi Ardian Ndreca përbën për mua provën më të mirë: elegancë, thellësi mendimi e shprehjeje, ritëm e muzikalitet mbresëlënës. Ky përkthim ia kthen Gjadrin lexuesit shqiptar e kulturës shqiptare. I kthen hijeshinë e gjuhës dhe tonet e forta të mendimit, ndonëse përmes dëshpërimit e vajit, për ta shpënë, siç dhe autori i tij ka shpresuar, në pohimin burrëror shqip të një “dashurie të përjetshme e në zi”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.