DOSSIER

Letra për Ramizin: Asnjëri nga ne nuk iu kundërvu mendimeve liberale të Gjergj Zhejit

13:00 - 05.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Menjëherë pas fjalimit të Enver Hoxhës më 15 dhe 16 mars të vitit 1973 në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku si temë kryesore ishte: “Lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe liberale në art kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit”, ashtu siç kemi parë edhe në mjaft nga kapitujt e tjerë të këtij libri, në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të vendit, organizatat bazë dhe komitetet e partisë së rretheve, u mbajtën një sërë mbledhjesh me analiza të shumta ku u “punua” fjala e Enver Hoxhës.




Në këtë kontekst, edhe në Ndërmarrjen Botuese “Naim Frashëri”, të gjitha redaksitë përkatëse të saj, iu nënshtruan një analize të hollësishme të punës që kishin bërë deri në ato kohë, jo vetëm me ato që ishin botuar, por edhe me veprat dhe vëllimet që nuk e kishin parë ende dritën e botimit për shkak të problemeve të tyre me “ndikimet e huaja”.

Lidhur me këtë bën fjalë edhe dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit, (materiali është shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën sekret) i cili mban datën 19 prill 1973, dhe ku shefi i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës, Dhimitër Fullani, ka bërë një informacion për Komitetin Qendror, konkretisht për Ramiz Alinë, sekretarit përkatës që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën. (Ramizi nuk ka bërë asnjë shënim në dokumentin në fjalë, pasi siç duket ka qenë i kënaqur me punën e Fullanit). Në këtë raport-informacion, Dhimitër Fullani ka analizuar me detaje dhe hollësira të gjithë punën që ajo redaksi ka bërë gjatë gjithë vitit 1972 me botimet në gjininë e poezisë. Kështu ai ka marrë në analizë një numër të madh poetësh duke kaluar në një “sitë të imtë” të gjithë punën e tyre dhe duke bërë një spastrim të thellë në të gjitha vëllimet poetike të vitit 1972.

Ajo që bie në sy në raport-informacionin në fjalë, është se “spata” e shefit të redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës, Dhimitër Fullani, ka rënë “pa mëshirë” jo vetëm ndaj poetëve, duke filluar nga ata më me përvojë dhe deri tek më të rinjtë, por ai ka kritikuar edhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqin, i cili kishte lejuar dhe nxitur botimin e vëllimit poetik “Më jepni një emër”, të Fatos Arapit, libër i cili u ndalua që të dilte në qarkullim. Jo vetëm kaq, por Fullani nuk ka nguruar që në raport-informacionin e tij të pasqyrojë me hollësira edhe përplasjet që ai ka pasur “për shkak të detyrës” me Fatos Arapin, poetin që edhe pse “vinte nga Lufta” mbeti “problematik” në krijimtarinë e tij deri në fundin e viteve ’80-të kur dhe u shemb regjimi komunist. Për më shumë rreth kësaj, na njeh raport-informacioni në fjalë që po e publikojmë të plotë në këtë pjesë të librit.

R A P O R T
Mbi rezultatet e rishikimit të materialeve të redaksisë pas fjalimeve të shokut Enver
Shkurtimisht po përmëndim këtu se, për ruajtjen e përmbajtjes së shëndoshë të vëllimeve tona poetike, redaksia i ka dhënë rrugë të lirë botimit, prirjes drejt thellimit të meditacionit në krijimtarinë poetike, që po theksohej progresivisht, deri sa meditiacioni i ka shërbyer përgjithësimit artistik dhe thellimit të mendimit të qartë e të shëndoshë lirik, kur meditiacioni ka shërbyer për ta shkrirë botën intime të poetit me unin e përgjithshëm shoqëror, mbasi thellimi i një meditiacioni të këtillë është dëshmija kryesore për rritjen e pjekurisë të artit poetik. Por redaksia e ka përjashtuar poezinë kur mendimi poetik qëndron mbyllur vetëm brenda subjektit të poetit, ose kur meditiacioni në poezi bëhet përçues i një mendimi të huaj dhe hermetik. Redaksia ka hequr me dhjetra poezi të këtilla sidomos këto vitet e fundit si tek vëllimet e Xhevahir Spahiut, Agim Gjakovës, Hiqmet Meçës, etj. Ose i ka përmbysur krejt vëllimet dhe autorët kanë qenë të detyruar të sjellin vëllim të ri, pas vërejtjesh së studiuara dhe pas një bashkëpunimi të ngushtë me autorët.
Për variantin e ri, p.sh. që i erdhi redaksisë pas kthimit të vëllimit me vjersha e poema të Frederik Reshpes “Në këtë qytet”, një nga recenzentët, që kishte kaluar dy variantet e para nëpër duar, Lirim Deda, thotë: “Përmbledhja e re e poetit Frederik Reshpja, që i ka paraqitur ndërrmarjes për botim, mendoj se justifikon plotësisht këmbnguljen e asaj redaksie për ta ndihmuar autorin me vërejtje dhe sugjerime. Nuk dua të them me këtë se poeti kishte nevojë për teori, por mendoj se ai kishte shumë nevojë për të njohur vetveten si poet, për të parë seriozisht jo vetëm vetëm misionin e tij, por edhe aftësinë e tij, për ta drejtuar këngën e zëmrës së tij tek masat e gjëra të lexuesëve të pastër, të kuptueshme, të bukur, të shëndetëshme”.
Megjithkëtë, vetëm pas një riseleksionimi e redaktimi të thellë nga redaksia, libri është dërguar në shtyp në një nivel mjaft të kënaqshëm. Edhe pas tërë këtij pastrimi e rigjenerimi, na u desh t’i heqim edhe dy vjersha të tjera pasi e tërhoqëm nga shtypshkronja.
Theksoj se bashkë me ciklin e nxjerrë nga vëllimi “Në këtë qytet”, autori ka botuar në Nr. 6 1972 të “Nëndori” edhe vjershën “Duke u kthyer në vëndlindje”, e cila nuk kuptohet fare dhe mund të merret si një nga vjershat tipike moderniste qoftë nga përmabjtja dhe qoftë nga forma.
Një vit më parë Milianov Kallupi paraqiti vëllimin për botim. Ne vumë theksin në kërkesa të rëndësishme për të hequr dorë nga konceptimi surrealist, që autori t’u largohej ekuivokeve e hermetizmit, të trajtonte tematika të rëndësishme, të rreshte maninë e figuracionit dhe të ngrente nivelin artistik etj. Pasi iu rikthye katër herë Milianov Kallupit, redaksia ia arriti qëllimit dhe vëllimi u hodh në shtyp, si një vepër interesante, me tematikë të pasur, plot partishmëri dhe me një frymë të shëndetëshme, qoftë për sa i përket formës e qoftë për sa i përket përmbajtjes.


Po ashtu prirja e poezisë sonë e theksuar drejt kërkimeve për pasuri të larmishme shprehjesh figurative është vlersuar kurdoherë në mënyrë të diferencuar gjatë praktikës sonë seleksionuese dhe redaktuese. E kemi përkrahur kur figuracioni i ka shërbyer ngritjes së nivelit artistik të poezisë, kur i ka dhënë gjerësi dhe thellësi mendimit të shëndoshë poetik, por kur kërkimi i figuracionit është kthyer në qëllim të vetëvetes ne e kemi seleksionuar nga vëllimet tona, pavarsisht se diçka edhe na ka shpëtuar rastësisht, me përjashtim të Fatos Arapit, për të cilin u fol. Kemi kthyer e seleksionuar vjershë për vjershë vëllime të tëra si ato të Ylli Polovinës, P. Çerkezit. K. Zharos, e të shumë të tjerëve nga figuracionet çapraze alogjike etj, që shprehin një tendencë formalizmi. Po një punë të thellë seleksionuese nuk bëjnë organet periodike dhe kjo është një nga arsyet që na ka dalë një punë e madhe këtu, të cilën nuk po e përballojmë dot sa duhet.
Për të pasur një ide mbi ndryshimin midis kritereve tona në botimet poetike dhe të organeve periodike, po përmëndim disa raste karakteristike.
Vjersha “Holta” e Faslli Halitit e kthyer nga ne si vjershë me figuracion manierist, është botuar në “Drita”, 22.X.1972. Vjersha “Rrënjët e Xhevahir Spahiut e hequr nga ne, se ka një vështrim pa perspektiv për klasën punëtore, është botuar në “Drita”, 23.IV.1972. Poezi e errët fragmentare “Kur mbledh këngët popullore”, e hequr nga ne, është botuar në “Drita”, 14 maj 1972 etj.
Nuk bëhet një punë e studjuar redaktuese për të shpëtuar poezitë nga dobësitë e mendime të gabuara për të përfituar kështu prej tyre poezi të mira. Vjersha “Lumi” e Sadik Bejkos (“Drita”, 2 korrik 1972) e paredaktuar, është e errët kontradiktore, kurse tek vëllimi ynë, e redaktuar dhe e krehur, e jep qartë idenë e njeriut që shkon drejt një qëllimi të madh nëpërmjet një jete aktive shoqërore. Po ashtu vjersha “Meditim” dhe “Rrënjët” (“Drita”, 2.IV.1972), të gabuara, dolën poezi të mira, kur ne iu hoqëm disa vargje në marrëveshje me autorin dhe i futëm në vëllim, etj.


Rastet e shkarjeve midis veprave që u tërhoqën nga shtypi veçanërisht librat e Miho Gjinit, Fatos Arapit e Gjergj Zhejit janë të rënda, por ato dhe gjithë veprat e tjera të kësaj kategorie u eliminuan dhe nuk i vajtën lexuesit si libra, megjithë gadi i tërë materiali i tyre është botuar nëpër organet e shtypit. Që të jemi realist, asnjëri nuk i kritikoi artikujt e botuar me kohë të Miho Gjinit, për njëanshmëri. Po ashtu asnjëri nuk i është kundërvënë deri tani mendimeve liberale të Gjergj Zhejit në artikullin që ne po heqim nga vëllimi i tij, mendime këto që zhvillohen më gjërë tek artikulli i tij kritik kundër veprës së Razi Brahimit “Kur flasim për poezinë”, botuar në “Nëndori” nr.3.1973. Këto mendime, që para fjalimeve të shokut Enver konsideroheshin suksese të reja për kritikën tonë, do të bëhen objekt kritike tani e tutje. T’i themi gjërat ashtu siç janë. Absurditeti më i madh lidhur jo vetëm me rastin e Fatos Arapit, por me tërë tendencën e hermetizimit në poezi është artikulli i Kudret Velçës “Nga mbeturinat konservatore, tek ndikimet moderniste”, botuar në “Nëndori” Nr.6-1972, ku i thoshte të zezës e bardhë ditën për diell për ta përligjur një shkarje kaq të rëndë në poezi më vjershat më hermetike që ishin botuar ndonjëherë tek ne.
Tek pastrimet e pjesëshme të veprave në shtyp nuk kemi të bëjmë me lëshime tepër të rënda si me ndonjë poezi me frymë reaksionare e fund e krye të gabuar ideologjikisht, apo me ndonjë mani të tillë figuracioni si “Fiku i detit”. Por kur i shikon të gjitha së bashku këto paqartësi të mendimit e të shprehjes poetike këto shprehje ekuivoke apo atmosferë sentimentale, që filluan të përligjen nëpër ambientet letrare, del qartë se edhe në redaksinë tonë kish filluar të bëjë majë ndikimi modernist. Këto vatra fillestare të infektuara do të përhapnin epideminë në tërë vëllimet tona poetike. Midis nesh ka ndonjë shok që kujton se puna e redaktorit nuk duhet lidhur me mendimin që shpreh ai në bisedë a në shtyp. Po i rikujtoj shokut Pandeli Koçi vërejtjen me vënd që i bëri Drejtori në raportin e analizës vjetore lidhur me artikullin e tij kundër Razi Brahimit, ku midis të tjerash i thotë: “Në rastin e dhënë, para së gjithash nga shoku Pandeli Koçi që i kundërpërgjigjej Razi Brahimit me një artikull të tijin duhej pohuar se ajo poezi ishte e gabuar dhe, si e këtillë, e pabotueshme dhe poezi të tilla s’duhet të gjejnë vënd te ne. Kredoja e redaktorit të Shtëpisë Botuese duhej të qe shprehur hapur për vetë faktin letrar të dhënë. Duke u konfonduar dhe shpërndarë në polemikë për çështjen e dorës së dytë, Pandeli Koçi kreu gabimin tjetër më të madh, duke lënë të aludohet se nuk duhet të alarmohemi për ndikime, sepse ato s’janë veçse një gërvishtje dhe çiban gjoja pa rëndësi në zhvillimin e poezisë sonë”.


Pikërisht këtë vërejtje ja ka bërë edhe shefi i redaksisë Dhimitër Fullani, kur ai po merrej me hartimin e këtij artikulli, se po i kundërvihej një kritike për poezinë hermetike, kundër së cilës ne të gjithë dhe vetë ai po luftonte çdo ditë në redaksi. (Dhe Pandi më parë ka qenë intrasigjent sidomos kundër poezisë hermetike). Kjo gjëndje kontradiktore tek Pandi ishte rezultat i konceptit tolerant ndaj shfaqjeve liberale në poezi, që nuk mbeti fare pa pasoja në edhe në praktikën e tij si redaktor. Shokut Pandi i shpëtoi edhe një poemë e tërë si ajo e Bajazit Cahanit, “Në pritje”, me një frymë sentimemntale, qaramene e krypur sa për nishan me do vargje ku shprehet ndonjë protesëtë kundër privimit të dashurisë nga koncepti e zakoni konservator, vargje këto të futur në kallëp, që nuk përligjen nga struktura kompozicionalke e kësaj poeme të konceptuar e të shprehur që në thelb gati si poezitë erotike sentimentale të së kaluarës.
Po të kuptohemi mirë: Këtu u munduam të shohim problemin nga tërë anët, se fenomenet janë kurdoherë të lidhura e të ndërvarura. Eshte fakt se edhe shëmbujt që sollëm më sipër, kjo redaksi nuk mund të veprojë e pavarur nga tërë aktiviteti letrar i vëndit me të mirat dhe dobësitë e tij. Gjithashtu duhet të themi se duke i dhënë vënd edhe shkaqeve të jashtëme të këtyre shkarjeve të brendëshme, këtë nuk e kemi bërë me qëllim për të larë vetveten se të gjithë ne, duke filluar nga shefi i redaksisë, mbajmë përgjegjësinë kryesore për çdo shkarje. Po ashtu mban përgjegjësi dhe përgjegjësi edhe drejtori, shoku Ali Abdihoxha, i cili ka lidhje direkt me redaksinë e poezisë. Pavarësisht nga intensiteti i presionit, ne nuk duhej të kishin lejuar asnjë sintomë nga këto ndikime.
Nga sëmundja ime dhe rishikimi i këtyre materialieve, vetëm këto ditët e fundit është grumbuilluar një material i madh në redaksi. Kush do t’i japë udhë këtij? Autorët kërkojnë të marrin përgjigjien e veprave, ose veprat t’u futen në shtyp. Këtu nuk lejohen as vonesat në evadimin e materialit sa edhe gabimet jo vetëm për ato që futen në shtyp, por edhe për ato për përgjigjie. Vetëm dy përgjigjie më kanë kaluar mua me ndonjë ngatërresë, ajo e Vangjush Zikos dhe e Miliano Stefës, kur kanë lëvizur redaktorët nga kjo redaksi dhe është bërë çështje deri në Komitetin Qëndror. Dhe me shumë të drejtë. Po për mosinteresimin e eprorëve për ta plotësuar redaksinë me forcat e nevojshme kush përgjigjet?
Le të mbetet pra ky raport me këtë pikëpyetje në fund.
SHEFI I REDAKSISE SE POEZISE
DRAMES DHE KRITIKES
(Dhimitër Fullani)
Tiranë, 19.IV.1973


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.