Sociale

Kryepeshkopi Anastas… Ngjallje e besimit ortodoksisë dhe shqiptarëve

09:51 - 06.04.18 Gazeta Shqiptare

Nga Ferdinand Samarxhi Mjeshtër i Madh Ejani të ngazëllohemi me zotin…Vitet 1967 – 1991. Tokë e djegur. Shpirtra të zhuritur… apoteoz, drejtuar Zotit të ndalur! Mjegullnajë e zezë dhe e rëndë. Shqipëria përjeton terr shpirtëror. Shpresë e vogël, qirinj të ndezur nuk mund të ndriçojnë shpirtrat. “Populli ecte, – siç thotë Shkrimi i Shenjtë, – në luginën e hijes dhe të vdekjes”.



Krishtin e kishin mohuar, kryqëzuar dhe varrosur. Zot nuk ka. Më ai s’egziston. Kjo përcillej tek të gjith si një brenge ogurzezë për të varrosur në mendjet e njerëzve se perëndi kuk kish se ajo ishte opium për ta. Kambanat, që sillnin nga hera Ngjalljen e Zotit, Krishtit mbret dhe ato kishin pushuar. “Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund”.

Heshtje varri. Ora për shqiptarët kishte ndaluar të premten e zezë! Jisuin, e kishin mbyllur në varr. Duhet të vinte e Diela e Zotit, që kambanat të fillonin përsëri, simfoninë e bukur të Ngjalljes. Ishte e nxënë Shqipëria, ishin të drobitur shqiptarët për atë pakëz dritë të llambadës së Pashkës, që të do të shponte errësirën e ftohtë, që kishte mpleksur çdo jetë, çdo zemër, çdo bari të grigjës.

Kur do të ngjallej Krishti për shqiptarët? Në këto kushte sado dëshpëruese, ftesa e së kremtes të ndritshme e Pashkës, siç mundi dhe dërrmoi Krishti pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore do të ndryshonte ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamikën e jetës sonë. Krishti me dërrmimin e vdekjes në këtë ftesë paskale do t’i jepte kuptim të ri qenies njerëzore, shqiptarëve, do t’i ftonte ata në pjesëmarrje në triumfin e Krishtit fitimtar. Krishti ftonte në besim dhe ofronte shpëtim për kapërcimin final të vuajtjeve, kryqëzimit dhe vdekjes së jetës së shqiptarëve.

Në foto: Apostul i krishtit në Shqipëri. Me Presidentin e Shqipëris Z. Meta, ditën e nënshtetesisë Shqiptare

Kishin filluar të frynin erërat e ngrohta të besimit. Krishti thërriste “Ejani pra, le të ngazëllohemi me Zotin” sepse ngjallja ime do të pasojë, dërrmimin e kompleksit që lidhet me vdekjen, tmerret e persekutimit të egër barbar komunist. Krishti i ngjallur, që po vinte tek ne, do të dhuronte fuqi për përmbysjen e tyre, për vdekjen, dëshpërimin dhe vuajtjet e tyre. Po afrohej e Diela e Zotit! Himnet dhe troparet e kësaj dite, ftonin dhe po paralajmëronin shqiptarët se Zoti ish ngritur nga varri, nuk ish më i vdekur për ta, siç iu shfaq grave miroprurëse, me zërin e engjëjve që i u thanë: “Pse kërkonin të gjallin, ndër të vdekurit? Ai, nuk është më këtu. Shkoni dhe u thoni Pjetrit dhe nxënësve të tij, se ai po shkon më parë se ju në Galile”. Pra, Zoti ishte ngjallur. Liria e kishte sjellë atë edhe mes nesh. Apostujt e tij po përhapnin lajmin e ngjalljes.

Në foto: Gurrët e parë të ndërtimit të faltoreve të para. 1991-1992

Në luginën e shkretë dhe të vdekur që Shqipëria përjetonte ethet e fundit, në rrugëtimin e jetës sime, tashmë, prej afro gjysmë shekulli si gazetar, në atë terr shpirtëror të tokës së djegur për Zotin, lirinë e besimit, të fjalës, të tubimit, do të njihja që në fillimet e viteve ’91, dishepujt e mëdhenj, si Baba Reshat Bardhin, hirësinë e tij Hafiz Sabri Koçin, Kryepiskopin Anastas, Dom Mikel Koliqin (kardinalin e mëvonshëm), Dom Ernest Troshanin (kardinalin e sotëm), Monsinjor Frano Iliajn etj., që do të ndriçonin dhe do të thërrisnin në altarin e shenjtë zërin e Zotit, që Ai të kumbonte fort dhe fuqishëm në zemrat e njerëzve. Do të ndërtonin në zemrat e tyre një kishëz, një xhami, një teqe, do të bënin që të lindte tek ata një Zot në zemrat e tyre. Qindra kisha, manastire të besimtarëve të krishterë orthodhoksë ishin të djegura, të shkretuara dhe të rrënuara tërësisht. Barinjtë e tyre ishin burgosur, internuar, persekutuar dhe vrarë. Grigja ishte pa bari. Në këto kushte varri dhe heshtje, një bari, episkopi i Andrusës, edhe pse vinte nga një vend si Afrika, ku dhe atje Jisuin nuk e përjetonin, do të njihja një bari Perëndie, me plot patos që e kish në zemër me gjithë dashuri Krishtin, që do të pranonte dhe barazonte jetën me vuajtje, që do të kalonte në kalvarin e 14 stacioneve të udhës së kryqit të Shqipërisë, së kohës së egër komuniste, që do të ndiqte gjurmët e udhës së Krishtit, teksa ai po shkonte drejt tij.
“Hosana, Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit”. Kryepiskopi Anastas kishte ardhur më në fund, në Shqipëri, si një dhuratë Perëndie, si bekim i Zotit, si ngjallje për shqiptarët, si ngjallje për orthodhoksinë; ashtu si kuptimi i emrit të tij ‘ANASTAS’, që do të thotë NGJALLJE. Po, kishte ardhur me të vërtetë Kryebariu, që do të ngjallte dhe do të thërriste me ngazëllim grigjën e tij: “Zoti është me ne dhe ne me Zotin”, “Nuk do të na braktis Perëndia”. “Erdhi ora e Zotit”, “Krishti u ngjall”.

Në këto kushte të tmerrshme, Kryebariu ynë, Kryepiskopi Anastas, do të shkelte për herë të parë në tokën e Shqipërisë në 17 korrik 1991, kur erdhi si Eksark Patriarkal, i dërguar për të parë gjendjen e Kishës Orthodhokse në Shqipërisë. As hieraki, as sinod, as institucion, çdo gjë e paralizuar dhe e vdekur. Pothuajse nga tri episkopatat, 19 zëvendësitë hieratike, 330 enoritë dhe 25 manastiret, që kishte Kisha në administrim para 1967, nuk kishte mbetur asgjë, pasuritë kishtare ishin të konfiskuara. Kishat të transformuara në depo, stalla, reparte ushtarake dhe shtëpi kulture.

Në foto: Manastiri i Shën Gjergjit, Çukë-Sarandë, 1991

Nga të gjithë klerikët kishin mbetur vetëm 12 priftërinj, asnjë episkop dhe madje shumica ishin të plakur dhe të sëmurë. Kjo ishte therëse, trishtuese.
Pamja, madhështia e tij fisnike dhe hyjnore, fliste shumë, për sot dhe të ardhmen. Në përfytyrimin dhe botëkuptimin tim të kohës, e njehsova njëherësh dhe e quaj edhe sot dhe për të ardhmen, një nga dymbëdhjetë apostujt e Krishtit, si Shën Pavli, që themeloi kishën në Ilirikum, dhë e përhapi, ungjillin, nga Jerusalemi deri në Ilirikum. Ky është kryebariu, që nuk u tut piskamës së vdekjes së kishës. Çdo gjë duhej filluar nga e para. Edhe optimistët, ishin pesimist. Gjendja ishte alarmante. Ku të fillohej të meshohej? Nuk kishte rrugë tjetër. Duhej të meshohej dhe në kishat me mure të rrënuara dhe në kisha pa çati dhe në qiell të hapur. Dhe aty, kryebariu ynë thërriste me shpresë: “O Zot, o Zot, shtjer syrin prej qiellit, edhe shiko, edhe vizito, këtë vreshtë që e ka mbjellë dora jote e djathtë”.
Me kërshëri dhe besim të fortë Perëndie, kudo filloi të dëgjohej fjala e Zotit.

Në foto: 17 korrik 1991. Ardhja e parë e Kryepeshkopit në Shqipëri. Pritet nga At Zef Pëllumbi e klerikë t: ë tjerë

Kudo filloi të ringriheshin muret e shtëpive të Tij, si një herë e një kohë të Dhjatës së Vjetër: “Hyni në portat e tij, me falënderim dhe në oborret e Tij, me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e Tij”. Do të udhëtonte kryebariu ynë, në të gjitha anët e Shqipërisë, në çdo krahinë e qytet të vendit, se dhe klerikë nuk kish. Do të meshonte pa u lodhur. Do të ngjallte shpresë pa pushim, kurrë nuk do të ndalej dhe para shpirtrave të pashpresë. Stoik. Tek ata që nuk njihnin Zot, tek ata që nuk ishin lutur, prej shumë vitesh, tek ata që e kishin mohuar të detyruar Atë. Duhej përballur me një kishë inekzistente. Me një kishë, që kishte qenë e dobësuar, që gjatë periudhës së pushtimit osman dhe nga shpallja e autoqefalisë, vetëm dy vjet kish qenë e lirë, se më pas pushtimi fashist dhe persekutimi i egër komunist, plotësisht e kishte rrënuar dhe fundosur.
Kryepiskopi ynë do të mbante mbi vete, peshën e rëndë të kryqit. Erdhi koha kur u përmbush edhe thënia e profetit Isaia: “Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe”.

Në foto: Kryepeskopi në rrenojat e manastirit. Gjirokastër 1992

Rasti i Shqipërisë ishte unik në historinë botërore. Ishte hera e parë që një kishë gjendej pa hierarkinë e saj. Pati zëra të shumtë, qe shpreheshin se Autoqefalia e Kishës Shqiptare, tashmë nuk ekzistonte, sepse nuk ekzistonte më një hierarki dhe një strukturë, e cila do ta ushtronte këtë autoqefali. Zgjidhja e këtyre çështjeve nuk ishte aq e lehtë dhe sa dukej. Siç nuk është zgjidhur ende prej dyzetë vjetësh autoqefalia e Kishës orthodhokse maqedonase. Kur Kryepiskopit Anastas iu kërkua kjo detyrë nga Patriarkana Ekumenike, Ai, vuri tri kushte për ta pranuar: Të ishte i pranuar nga komuniteti orthodhoks, nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe të ruhej Autoqefalia e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Ishte autoriteti i tij, i cili bëri të heshtin, të gjithë zërat, që ishin kundër autoqefalisë.
Kryepiskopi Anastas Janullatos lindi në Pire, më 4 nëntor të 1929-ës. U rrit dhe u edukua nga nëna e tij, nga Preveza, tokë e vilajeteve të dikurshme shqiptare. Përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare dhe është Doktor i Fakultetit të Universitetit të Athinës. Ka studiuar Fetarologji, Teologji Ekumenike dhe Etnologji në Universitetin e Hamburgut dhe të Marburgut në Gjermani me bursë pasuniversitare të Fondacionit “Alexander von Humbold”. Ka studiuar Islamin, Budizmin, Taoizmin, Konfucizmin dhe besime të tjera fetare.

Në foto: E premte e zezë. Të gjithë presim ngjalljen e Krishtit. Pashkë 1992

Profesor Doktor Anastasi është Profesor i Historisë së Feve i Universitetit Kombëtar Kapadostrian të Athinës në vitet 1972-1997, dekan i Fakultetit të Teologjisë 1982-1996 dhe anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës 1993-2005. Që nga 1991 dhe deri më sot është Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës nga 2006.

Gjithashtu, ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë, Doktor Nderi i Filozofisë i 17 universiteteve, fakulteteve ose degëve universitare (Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali. Flet anglisht, gjermanisht, frëngjisht, lexon latinisht, italisht, spanjisht dhe shqip.)
Autor i dhjetëra monografive shkencore dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike fetarologjike, studime dhe artikuj që janë përkthyer në 12 gjuhë të huaja.

Duke qenë një filozof i madh i krishterimit, Ai çeli rrugën për ringjalljen e dëshmisë orthodhokse në botë në ditët e sotme. Për periudhën 1981-1990 ka zhvilluar një veprimtari të gjerë hierapostolike dhe sociale. Për këtë u nderua me dekoratën, Bamirësi i madh i Patriarkanës së Aleksandrisë 2009.

Në foto: Krishti u ngjall për Shqiptarët. Pashkë 1992

KANONIZIMI SI KRYEPeShKOP I KOASH-it
Autoqefalinë Kishës sonë, në fillim ju dha me Tomosin Patriakal në 1937.
Në janar të vitit 1991, Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë, zgjodhën si eksark patriarkal, episkopin e Andrusës, Anastasin, që në atë kohë ishte me shërbim hierapostolik në Afrikën Lindore, si kryepiskop i Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.
Orthodhoksët e Shqipërisë, që para fillimit të persekutimit të fesë, përbënin 21% të popullsisë, statistikë kjo, e autoriteteve italiane e vitit 1938; kërkuan që eksarku patriarkal, të qëndronte në Shqipëri dhe të merrte përsipër veprën e ringritjes së Kishës, që vazhdonte të mbetej pezull. Ishte e pamundur që ajo të ringrihej nga ana e saj e brendshme, sepse nuk u gjend asnjë person klerik ose laik i arsimuar me arsimin e përshtatshëm dhe i pamartuar me nënshtetësi shqiptare, për të marrë barrën e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ky fron siç thotë edhe vetë Kryepiskopi “nuk kishte asnjë fron kryepiskopal për t’u ngjitur, por ishte vetëm një stol i thyer, plot gozhdë që e kishte lënë persekutimi ateist”. Për herë të parë, pas persekutimit, një përfaqësi e Kishës së Shqipërisë, e caktuar prej Këshillit të Përgjithshëm Kishtar, vizitoi Patriarkanën Ekumenike në 5-8 qershor të 1992-it dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut Patriarkal si primat i kësaj Kishe.

Në foto: Ejani merrni dritë, prej dritës që s’perëndon. Pashkë 1992

Më 24 qershor 1992, me propozim të Patriarkut Ekumenik Vartholomeu I, me vota unanime u zgjodh kreybariu ynë: Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë deri atëherë eksark Patriarkal.

Zgjedhja e Kryepiskopit, më 24 qershor 1992 sipas rregullave të orthodhoksisë ishte një akt dhe një fakt i kryer kishtar zyrtar. Ky akt iu bë i ditur zyrtarisht të gjithë Kishave Orthodhokse të botës, për të përfshirë në Diptikët e tyre, pas 40 vjetësh mungese, emrin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, si dhe emrin e primatit të saj, që kishte marrë tashmë përgjegjësinë për ringritjen e saj nga gërmadhat.

Në foto: Shërbese në qiell të hapur në kishën e Apostol Pavlit

Shtatë vite, nga korriku i vitit 1991 si eksark patriarkal dhe nga qershori i vitit 1992, si primat, Kryepiskopi, mbajti vetë përgjegjësinë për përkujdesjen, restaurimin dhe administrimin e të gjitha Mitropolive të Shqipërisë. Me krijimin e kushteve në vitin 1998, Kryepiskopi do të formojë Sinodin e shenjtë të Kishës; prej katër anëtarësh me hierakët: Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati, arvanitas; Mitropoliti i Korës Hirësi Joan Pelushi; Episkopi i Apollonisë Hirësi Kozma Qirjo dhe kryesekretari At Jani Trebicka. Ky Sinod sot përbëhet prej 8 anëtarësh.

Më 4 nëntor 2006, me iniciativën e Kryepiskopit Anastas me një përfaqësim të gjerë kleriko-laikësh prej 256 vetash u pranua një zëri Statuti i ri i KOASH-it, që u ratifikua nga Presidenti i Republikës, më 4 shkurt 2009, përmirësoi dhe rregulloi statutin me ndikime politike të kohëve të mëparshme, si atë të vitit 1929, ku Shqipëria ishte monarki dhe të dytin të vitit 1950, ku në vend ishte imponuar pushteti ateist. Në statutet e të cilëve nuk ishin marrë parasysh, parimet kishtare bazë dhe ishin një ndërhyrje e brendshme në jetën e kishës.
Sot, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra autoqefale. Gjuha zyrtare e Kishës është shqipja, orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor, gjuhën e tyre tradicionale adhuruese me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë.

Në foto: Katedralja Ngjallja e Krishtit. Lavdi e veprës së Kryepiskopit

NDERTIMI I VEPRAVE…
Me nismën dhe bekimin e Kryepiskopit, sot është themeluar një gazetë, tri revista periodike një shtypshkronjë. Janë hapur shumë shkolla shqipe të të gjitha niveleve. Kryepiskopi u ka ofruar bursa mijëra të rinjve për të vazhduar studimet e larta në fakultete të ndryshme.
460 enori orthodhokse u riorganizuan.
Me kujdesin e Kryepiskopit u arsimua dhe u hirotonis një brez i ri klerikësh nënshtetas shqiptarë, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash Durrës dhe në shkollat e larta jashtë shtetit. Sot, më shumë se 150 klerikë me arsim të lartë shërbejnë si klerikë në të gjithë vendin, duke përcjellë mesazhin ungjillor “Duaje Zotin dhe duaje të afërmin si veten tënde” dhe në meshën e Shën Joan Gojëartit luten: – “Për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin shqiptar, le t’i lutemi Zotit” .
50 qendra rinore funksionojnë nëpër qytete dhe fshatra. Kryepiskopi Anastas vlerëson shumë dhe preokupohet veçanërisht për rininë, që sipas vizionit të tij atëror: “Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja”.
Duke punuar për të ndërtuar vreshtin e grigjës së tij, u ngritën nga themelet 150 kisha të reja, të mëdha e të vogla; u restauruan 60 kisha, manastire, monumente kulture, u riparuan 160 kisha të tjera. Për funksionimin sa më mirë të infrastrukturës së kishës janë ngritur, blerë, rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit, duke arrirë kështu në tërësi 450 objekte, vepra ndërtuese.
Katedralja e madhe “Ngjallja e Krishtit”, e cila u shenjtërua më 1 qershor të vitit 2014 nga Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik Vartholomeu I dhe pothuajse nga të gjithë primatët e Kishave Orthodhokse në botë është sot preludi i ngjalljes së kishës, besimit të orthodhoksisë në Shqipëri.

Në foto: Katedralja e Korçës. Madhështi besimi

VEPRA PËR SHËNDETIN
“Isha i sëmurë, – thotë Krishti, – dhe erdhët dhe më vizituat” Qendra mjekësore diagnostikuese “Ungjillëzimi” në Tiranë me 23 specialitete u gjendet njerëzve në nevojë dhe të sëmurë. Në 20 vjet të funksionimit të saj janë realizuar mbi 2.500.000 vizita dhe 6.000.000 analiza. Qendëra diagnostikuese, është jo fitimprurëse. Qendra të kujdesit shëndetësor funksionojnë edhe në vende të tjera si Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Lushnje.

VEPRA ARSIMORE
Në gjurmët e Shën Kozmait të Kolkondasit, të shekullit XVIII, që hapte shkolla për arsimimin e fëmijëve, kryebariu ynë si arsimdashës dhe mbjellës i dashurisë së dijes, ndërtoi nga themelet katër shkolla me konvikte. Ndërtoi Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, ku është edhe sot mësonjëtorja dhe fidanishtja e përgatitjes së klerikëve të ardhshëm shqiptar, si dhe dy shkolla të mesme kishtare me emrin “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth të Durrësit. Përkujdesja dhe dashuria e veçantë për më të vegjlit bëri që 19 kopshte të fëmijëve të vegjël të ushtojnë me zërat e tyre të gëzuara, të bukur në Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Elbasan, Cërrik, Gramsh etj. Me iniciativën e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit funksionon në Tiranë kompleksi arsimor shqiptaro-amerikan me emrin “Protagonistët”, në Durrës dhe në Gjirokastër, shkolla 9-vjeçare “Frymë Dashurie”. Prej vitit 2013, shkolla e mesme “Platoni”, në Korçë, në Mesopotam në Sarandë shkolla e mesme teknike “Apostull Pavli”.

Në mjediset e manastirit të Shën Vlashit, nën kujdesin e Kryepiskopit funksionon Shtëpia e Fëmijëve “Shpresa”. Në tetor të vitit 2012 u hap në qendrën ‘Tabor’ shkolla e parë e Muzikës Bizantine me konvikt. Në Tiranë dhe Gjirokastër funksionon Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, në Tiranë funksionon shkolla e lartë “Logos”.
Për të ruajtur dhe konsoliduar vlerat e trashëgimisë kulturore, me pasionin e tij është ngritur një institucion i veçantë, studio për pikturimin dhe restaurimin e ikonave. Deri sot janë restauruar rreth 600 ikona. U përgatit një brez i ri artistësh, që po rigjallërojnë traditën tonë të pasur ikonografike të autorëve shqiptarë si Onufri, Kostandin Shpataraku etj., për të cilat janë shpenzuar deri tani disa milionë euro.

Në foto: Manastiri Shën Vlashit, Akademia Teologjike, Durrës. Krenari për ardhmërin e besimit

Stacioni radiofonik “Ngjallja” me frekuencë 88.5 Mhz në FM, nga viti 1998, transmeton 24 orë programe të ndryshme.
Kisha sot merr pjesë në të gjitha veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në mbarë botën. Ajo është anëtare e Konferencës Europiane të Kishave, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave. Pjesëmarrja e Kryepiskopit Anastas, si primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në këto evente ndërkombëtare është një lavdi jo vetëm për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë vendin dhe shqiptarët. Kjo sepse Kryepiskopi përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të shtetasve shqiptarë të besimit orthodhoks. Presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij z. Ilir Meta, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm si apostull i Krishtit, në të gjithë Galilenë e madhe dhe në Shqipëri, për ringjalljen e besimit të krishterë, për ringritjen e kishës në Shqipëri, rolin e tij vizionar si flamurtar i paqes dhe i dashurisë për paqen e sotme botërore, për vizionin e bashkëjetesës, harmonisë dhe tolerancës fetare, e quajti atë për kohën dhe të ardhmen; një shqiptar i denjë dhe i devotshëm, duke e pajisur atë me pasaportë shqiptare, të cilën Kryepiskopi ynë e mban dhe e përfaqëson atë me lavdi dhe krenari. Kryepiskopi Anastas është sot një nga zërat më të dëgjuar të krishterimit të kohës sonë, të globalizmit dhe një nga zërat më të fuqishëm të dialogut ndërfetar botëror.

Në foto: Katedralja e Shkodrës. Vepër e re për shejtërinë e besimit

Kryepiskopi Anastas ka dhënë mesazhe paqeje, të dialogut, të mirëkuptimit, të respektit dhe të dashurisë për të gjithë, pa dallim besimi, pozicioni klasor dhe etnie. “Dojini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”. “Vetëm mbi këtë themel hyjnor, – thotë kryebariu ynë, mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe njerëzore”.
Një kontribut tjetër i madh i Kryepiskopit Anastas është ndikimi i tij si diplomat i dashurisë, së të vërtetës dhe paqes për uljen e tensioneve midis shteteve, grupeve etnike dhe komuniteteve fetare. Le të kujtojmë thënien e tij lapidare dhe plot kurajë për luftërat dhe konfliktet e dhunshme: “Askush të mos guxojë të përdorë vajin e kandilit të Kishës për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare”.
Në vitin 2000 me propozimin e 33 akademikëve nga Akademia e Athinës dhe e shumë personaliteteve të Shqipërisë ka qenë kandidat për çmimin Nobel për paqen.

Nuk është rastësi që Kryepiskopi ynë mban emrin Anastas, që do të thotë “Ngjallje” – Ngjallje e Krishtit në Shqipëri, ngjallje e besimit, ngjallje e orthodhoksisë, ngjallje e shqiptarëve.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *