Intervista

Tahiri, Balili dhe Llalla… Peshqit e mëdhenj që po bien në “rrjetën amerikane”

09:00 - 06.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu foli dje me emra konkretë për peshqit e mëdhenj, për të cilët tha se tashmë janë në rrjetë. Gjatë intervistës në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, Lu foli edhe për marrëdhëniet me Adriatik Llallën.




Në dy ditët e fundit, për shembull, keni parë djegien e toll-eve në autostradën midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërtuar 9 vjet më parë. Keni parë protestën përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Dua t’ju pyes për vendimin e qeverisë për të dhënë me koncesion autostradën midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të pasur një tarifë toll prej 5 euro për një drejtim për njerëzit, përfshi popullsinë në Kukës….

Në Shqipëri, të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë.

Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës. I kam bërë thirrje kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut.

Por reagimi i opozitës në vend, Ambasador, PD dhe LSI, kanë bërë thirrje për mosbindje civile. Nuk është hera e parë, në fakt, edhe në 2016 bënë thirrje për një protestë të tillë. Çfarë mendoni për këtë vendim të opozitës?
Në çdo demokraci, njerëzit duhet të ngrenë zërin. Po ashtu, kanë të drejtë që në mënyrë paqësore të mos lejojnë qeverinë e tyre të kryejë abuzime, por duhet ta bëjnë këtë paqësisht. Nëse do të bllokojnë rrugë, të mos paguajnë taksa, apo të bëjnë veprimtari të tjera të jashtëligjshme, duhet të jenë të përgatitur për pasojat ligjore. Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë me mosbindjen civile, por ata persona, ata protestues kanë qenë të përgatitur të shkojnë në burg për bindjet e tyre.

Opozita mendon se qeveria nuk dëgjon për asgjë. Gjërat që kërkojnë ata janë gjëra që kërkojnë njerëzit. Çfarë mendoni në këtë rast? Sepse kemi një përplasje të madhe për këtë: opozita thotë se qeveria nuk reagon ndaj kërkesave të njerëzve dhe qeveria thotë se opozita po përdor disa probleme lokale për të luftuar qeverinë.

Kam parë që Edi Rama ka bërë thirrje për dialog në këtë rast. E mbështes këtë. E mbështes zgjidhjen e kësaj çështjeje me dialog. Opozita ka thënë s’ka dialog nëse nuk lironi njerëzit nga burgu. Epo, të shohim nëse do ndodhë kjo. Mendoj se tani ka një çështje ligjore kundër personave që dogjën kabinat e toll-eve. Nuk e di nëse Edi Rama mund që thjesht t’i thotë gjykatës të lirojë njerëzit nga burgu.

Kur do të dënohen këta persona për problemet që kanë shkaktuar?
Besoj, kam besim se do të ndëshkohen shumë shpejt. Shumica e peshqve të mëdhenj janë në det. Pak janë tashmë në rrjeta, por shoh të dhëna që shumë shpejt do të kemi më shumë rezultate. Më lejoni të jem specifik këtu. Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare.

Ai u zhduk …
U zhduk, por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar. Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge.
Po, ata janë gangsterët, personat e trafiqeve, dhe të tjerët. Unë flas për personat e fuqishëm, me kostume, me kostume shumë të shtrenjta, të cilët qëndrojnë çdo ditë në baret e restorantet e Tiranës dhe nuk ndëshkohen kurrë.
Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, kryebashkiaku i Lezhës…

Cili është pozicioni i Qeverisë së SHBA?
Se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova.

Zoti Ambasador, do t’i kthehem vetingut, por doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?

Sekretari i Shtetit vendosi që z. Llalla do të ishte i pari person në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.
Sipas informacioneve të kujt?
Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.

Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë.
Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.
Cili ishte problem më i madh i z. Llalla?
Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandaj shpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin.

A e ka mbështetjen tuaj Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshëm e përkohshme? Mbështetjen e SHBA, jo tuajën personalisht.
Askush nuk e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara përveç zyrtarëve tanë. Por unë jam takuar disa herë me znj. Marku dhe mendoj se ajo është një profesioniste serioze dhe e kualifikuar, e cila po përpiqet të bëjë një punë të mirë përgjatë muajve të saj si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme. Kam parë, gjithashtu, se gjatë kësaj kohe, prokurorët kanë nisur disa ndjekje penale ndaj figurave të opozitës, e kam parë edhe këtë. Znj. Marku më ka thënë mua, por e ka thënë edhe publikisht se ajo është shumë e zotuar dhe mbështet hetimin ndaj Saimir Tahirit. Ky është një çast i rëndësishëm kur znj. Marku dhe sistemi mund të vërtetojnë nëse ky hetim mund të ecë përpara pa ndërhyrjen e politikës. Do thosha, gjithashtu, se po ndjekim nga afër edhe hetimin e Elvis Roshit, një tjetër socialist, për të parë nëse ai do të trajtohet njësoj si njerëzit e opozitës. Jemi të interesuar të shohim më shumë ndjekje penale në radhët e shumicës, dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka njerëz të cilët, unë besoj se meritojnë të ndiqen penalisht dhe qeveria e SHBA është gati të mbështesë znj. Marku, prokurorët dhe policinë në këto çështje.

Në Shqipëri ka një debat të madh për një kontratë PR nënshkruar nga PD dhe një person në SHBA që është një kompani PR në SHBA. U botua nga Mother Jones një investigim që thoshte se ato para vinin nga Rusia dhe nga Kremlini. Cili është opinioni juaj, e para, dhe e dyta, a ka një hetim në SHBA për këtë çështje? Nuk flas për hetimin e madh për ndikimin rus në zgjedhjet e SHBA.

Ne, qeveria e SHBA dimë shumë për këtë çështje. Në SHBA, lobimi pranë qeverisë së SHBA është i ligjshëm, përfshi lobimin nga ente të huaja, fuqi të huaja, në këtë rast një parti politike. Por për të lobuar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme, lobisti duhet të bëjë deklarime publike të kontratave, të financave dhe të aktiviteteve që ndërmerr, në këtë rast për PD. Pra, çdo gazetar, çdo qytetar mund të hyjë në faqen e Departamentit të Drejtësisë dhe të gjejë të gjitha këto hollësi, të gjitha kontratat, dhe shifrat. Pra, dimë shumë dhe kemi ditur, në fakt, për gjashtë muaj se çfarë ndodh me këtë rast. Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Luli Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar SHBA, qeverisë së SHBA dhe prokurorëve të SHBA, për dokumente për këtë çështje. Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, gjëja e dytë për të cilën dua të flas është çështja e Rusisë, sepse qeveria e SHBA dhe ambasada jonë janë shumë të shqetësuara për prova në rritje të ndërhyrjes ruse në zgjedhje kudo në Europë. Po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë kontribute tek lobisti në emër të Partisë Demokratike dhe Luli Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s.

Ka shumë njerëz në Shqipëri që mendojnë se George Soros, miliarderi amerikan, po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë nëpërmjet Fondacionit Soros dhe nëpërmjet mbështetjes për qeverinë. Cili është opinioni juaj për këto ide?
Më lejoni t’i përgjigjem në dy mënyra pyetjes. E para, më duhet të them se Fondacioni Soros është një fondacion privat, nuk është një ent i qeverisë së SHBA, në asnjë mënyrë, pra si ambasador amerikan do të ishte e pavend për mua që qoftë të mbështesja aktivitetet e Fondacionit Soros apo të kritikoja ato. Janë disa politikanë shqiptarë që kanë pretenduar se unë, Ambasadori i SHBA, ose ne, Ambasada e SHBA, në ndonjë mënyrë, kemi financuar Sorosin këtu apo kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në Shqipëri. Është tërësisht e pavërtetë. Dhe nuk jam vërtet i sigurt se pse vazhdojnë ta tregojnë këtë histori. Nuk ka pasur para amerikane që shkojnë tek Fondacioni Soros në Shqipëri. Është e vërtetë që Soros ka programe këtu, e dini ju, e di edhe unë. Hera-herës, këto programe kanë objektiva të përbashkëta me programet e qeverisë së SHBA. Shembulli më i dukshëm është reforma e gjyqësorit, apo jo? Ata financuan një pjesë të punës kërkimore për reformën në hapat e parë, qeveria e SHBA ka investuar fuqishëm për atë reformë, por këtë kanë bërë edhe socialistët, edhe demokratët, edhe LSI, edhe europianët, është projekt i përbashkët. Ka raste, kur Fondacioni Soros ka zhvilluar programe të tjera këtu me të cilat ne, qeveria e SHBA, nuk kemi qenë në një mendje. Është fondacion privat, nuk ka të bëjë me qeverinë e SHBA.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.