Fol me Psikologen

Kam 3 vajza e jam përsëri shtatzënë, burri do çun. Nëse është vajzë prapë…

17:53 - 07.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kam 3 fëmijë dhe jam përsëri shtatzënë. Burri do çun, po unë ndihem e lodhur edhe pse i dua shumë fëmijët. Ekonominë nuk e kemi të keqe, po kam hall se nëse është vajzë prapë, ma kërkon ta birësoje kunata ime që nuk ka fëmijë. Gjallë në botë se dua t’ia jap njeriut fëmijën tim.




-E dashur si fillim dua të të falenderoj që më ke shkruar. Fëmijët e bëjnë jo vetëm të madhe, por edhe shumë të bukur një familje. Që nga momenti që bëhesh nënë jeta ndryshon plotësisht, ka të tjera objektiva, por ky rol të gjen të papërgatitur shpesh herë.

Roli i nënës është një rol që nuk na e mëson dot askush dhe kërkon përkushtim maksimal, por ashtu siç ndodh ardhja në jetë e fëmijëve edhe rritja e tyre ka nevojë për kontributin e të dyve. Rritja dhe kujdesi i jo një, por tre fëmijëve, sigurisht që kërkon impenjim maksimal dhe është mëse e kuptueshme që ndihesh e lodhur. Ajo që më duket shqetësuese është fakti që ardhja ne jetë e fëmijëve vendoset vetëm nga dëshira e bashkëshortit, pra ai dëshiron të keni një djalë me patjetër. Po dëshira jote ka ndonjë vlerë? Keni patur biseda në të cilat janë diskutuar të tilla vendime? Si grua nuk mund të heshtësh e të pranosh atë që burri thotë sepse ti nuk je aty për të bërë këtë gjë, ti je aty për të udhëhequr familjen bashkë me të.

Fëmijët kurrësesi nuk mund në vijnë në jetë si pasojë e kapriçove të babait. Është folur aq shumë për planifikimin familjar dhe jo më kot. Të dy prindërit duhet të vlerësojnë situatën dhe kushtet në të cilat ndodhen për të marrë më pas vendimin se sa fëmijë do të bëjnë, sa vite diferencë do kenë ata me njëri-tjetrin, duhet të vlerësojnë sa kohë kanë ata për t’ju dedikuar fëmijëve që vijnë në jetë, duhet të mendojnë gjithçka nisur nga detajet më të vogla se ku do të flenë, si do ushqehen e shkollohen etj. Mëmësia është një proces i cili jo vetëm të ndryshon jetën, por të bën të shohësh ndryshe edhe veten. Të duhet kohë edhe për veten e harruar, nuk ke patur asnjë moment për të, pasi të është dashur të rrisësh tre fëmijët dhe tani po përgatitesh për një të katërt.

Ti thua se ekonominë nuk e keni të keqe, kjo është një gjë e mirë, por nuk mjafton. Ajo që me dhemb në këtë histori është fakti që bashkëshorti yt kërkon të bëjë më patjetër një djalë, ky duket si qëllimi dhe shtysa që keni bërë kaq fëmijë. Më duhet të them se ky argument tingëllon jo vetëm diskriminues, por edhe shumë i vjetër. Madje kjo më bën të dyshoj mbi mënyrën se si ai sillet dhe i trajton vajzat. Pa dashur të tregohem e ashpër të kërkoj të reagosh dhe të ngresh zërin tënd në familje.

Nëse një baba nuk i “pranon” vajzat atëherë duhet medoemos roli aktiv i nënës, modeli të cilin dhe vetë fëmijët do ta kenë pikë referimi. Për sa i përket shqetësimit të fundit lidhur me kërkesën e kunatës për birësim, je ti që vendos. Nëse i thuaj që nuk mund ta bësh një gjë të tillë dhe ky është vendimi yt atëherë nuk ju mbetet asgjë tjetër përveçse ta respektojnë.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.