MILOSAO

Apeli i intelektualëve: Sillni bibliotekën e Profesor Joklit në Shqipëri

09:45 - 08.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

TRi AMANETE NË NJË




Nga Agron Alibali – “Ma nis letrën për Joklin ta nënshkruaj, dhe ta kthej menjëherë me postën e parë” do të më thoshte në telefon Johanna Gerechter Neumann në mars 2017. Fjala ishe për nismën private dhe të pavarur, për të cilën kishim biseduar kaherë: kthimi në Shqipëri i trashëgimisë së çmuar bibliotekare dhe albanologjike të Prof. Norbert Joklit.

Johanna Gerechter kishte lindur në Hamburg në vitin 1930. Në vitin 1939 familja e saj u strehua në Shqipëri, ku edhe i shpëtoi zezonës naziste të Holokaustit. Më vonë ajo jetoi në Amerikë, ku u mori përsipër si mision të jetës t’i thoshte botës mbarë për aktin fisnik dhe vetmohues të shqiptarëve ndaj hebrenjve. Shpesh bisedonim edhe për fatin e zi të Joklit, që nuk kishte mundur të shpëtonte dot…

Letra jonë ishte në trajtën e një kërkese drejtuar Komitetit Amerikan të Trashëgimisë Kulturore me Jashtë. Ajo bazohej në Marrëveshjen kulturore SHBA – Shqipëri të vitit 2004.


Sikurse Faik Konica me bibliotekën e vet, edhe Norbert Jokli ia kishte lënë trashëgim popullit shqiptar tërë pasurinë e tij librare dhe intelektuale. “Kam dëgjuar që Jokli i ka lënë me testament bibliiotekën e tij shtetit shqiptar” do t’i shkruante Fan S. Nolit Hito Sadiku më 1946. Vullnetin e Joklit, madje, e pat përjellë në letër edhe prof. Eqrem Çabej, nxënësi dhe miku i ngushtë i tij. Përmes një “deklarate” amanet, 61 vjet më parë, prof. Çabej na përçon si më poshtë:
“..Carlo Tagliavini, Profesor i Gjuhësisë në Universitet të Padovës në Itali, më tha mua të nënshkruarit në vetën e atij viti [1942, shënim imi, A.A.], në Romë, se Prof. Jokli, disa muaj paa se të zhdukej, i kishte thënë atij në Vjenë, që gjithë pasurinë e tij, e pasurinë shkencore (me dorëshkrime, bibliotekë, etj.), me akt zyrtar ja kishte falur popullit shqiptar (gjermanisht dem albanischen Volk). Unë di e në bibliotekën e tij ai ka pasur dhe një dorëshkrim të daktilografuar të Baron Nopcas përmbi Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndër dorëshkrimet e Prof. Joklit ka qenë dhe forma e parë e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.
Duke u kthyer unë në verën e 1944 në atdhe, në Vjenë u takova me Kolë Rrogën. Ky më kumtoi se biblioteka e Prof. Joklit bashkë me dorëshkrimet etj aso kohe gjindej në një dhomë të mbyllur në Bibliotekën Nacionale të Vjenës.
Tiranë, 20 mars 1957 Dr. Eqrem Çabej.”
Prof. Eqrem Çabej ndërroi jetë në vitin 1980. Bashkë me veprën e tij madhore, Çabej i la brezit tonë edhe amanetin e amanetit.
Letra jonë, e nënshkruar nga Znj. Neumann dhe dy të tjerë, mban datën 7 mars 2017. Shtatë javë më pas, me 26 prill 2017, Johanna Neumann do të ndërronte edhe ajo jetë. Kthimi i trashëgimisë së Joklit në Shqipëri do të ishte misioni i fundit i saj në këtë botë. Me ikjen e Johannës, barrën e nënës e mori përsipër i biri, Benjamin. Tashmë amanetit të Joklit, dhe deklaratës së Çabejt, i është bashkuar edhe misionin i fundit i Johanës. Ose tre amanete të bashkuara në një.
Më poshtë po botojmë për herë të parë kërkesën me të cilën është vënë zyrtarisht në lëvizje mekanizmi për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së paçmuar albanologjike të Prof. Norbert Joklit.

Agron Alibali
Post Scriptum – A nuk e meriton trashëgimia e Joklit të strehohet në ndërtesën e riaftësuar të ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, të cilën Bashkisë së Tiranës i është bërë thirrje për t’ia kthyer shtetit shqiptar si aneks i ri të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë?

 

Së Nderuarës Lesley Weiss
Kryetare
Komiteti i Shteteve të Bashkuara për Ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës Jashtë
633 3d Street NW
Suite 515
Washington, D.C. 20226
Re: Biblioteka dhe Arkiva e Prof. Norbert Jokl
7 Mars 2017
E nderuara Kryetare Weiss,
Ne jemi një grup qytetarësh amerikanë me prejardhje hebraike dhe shqiptare dhe mbështesim fuqimisht misionin fisnik dhe punën e rëndësishme të Komitetit tuaj..
Po ju drejtohemi për një çështje të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që përfshihet brenda misionit dhe tagreve të Komitetit tuaj.
Konkretisht, jemi të shqetësuar dhe kërkojmë ndihmën tuaj për transferimin nga Austria në Shqipëri të Bibliotekës dhe Arkivës së Prof. Dr. Norbert Jokl, studiues i shquar me prejardhje hebreje, i cili është viktimë e Holokaustit.
Sipas skedës së OSS, të hartuar nga Harvard Intelligence Group në vitin 1943, Dr. Jokl ishte “një linguist me famë botërore, dhe ekspert i shquar në lëmin e gjuhëve Into-Europiane dhe Sllave”.
Duke ndjerë se jeta e Prof. Joklit ishte në rrezik, autoritetet e Shqipërisë së pushtuar nga Italia e ftuan atë në vitin 1941 që të shpërngulej në Shqipëri. Prof. Joklit iu ofrua strehim dhe detyra e Kryebibliotekarit të Shqipërisë.
Prof. Jokl dëshironte të shpërngulej në Shqipëri. Ai kishte shumë lidhje atje, ishte gjerësisht i respektuar, dhe vendi ishte bërë strehë për hebrenjtë europianë që arritën të shkonin atje. Mirëpo autoritetet naziste nuk e lejuan Prof. Joklin të merrte me vete bibliotekën, dorëshkrimet dhe arkivën e tij të çmuar. Prof. Jokl refuzoi të largohej nga Vjena pa to. Ndërkohë që autoritetet shqiptare po interesoheshin ngutshëm për laissez-passer, Gestapoja e arrestoi Prof. Joklin dhe e dërgoi në kampin e shfarosjes në Maly Trostenets në Bjellorusi, ku vdiq në maj 1942. As sot Prof. Jokli nuk e ka një varr.
Sipas informacionit në faqen e internetit të Universitetit të Vjenës, Dr. Jokl ia la trashëgim Shqipërisë bibliotekën e tij. Pavarësisht nga kjo, Biblioteka
“u konfiskua dhe ‘arianizua’, akt ky i mbështetur nga Viktor Christian, Dekan i Shkollës së Filozofisë në Universitetin e Vjenës dhe Paul Heigl, drejtor i përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare të Austrisë. Koleksoni i pasur iu dorëzua Bibliotekës Kombëtare “si huazim” në vitin 1942 dhe u shtetëzua në vitin 1946.” Katharina Kniefacz, tek ëëë. gedenbuch, univie.ac.at].

Biblioteka dhe Arkiva e Prof. Joklit janë “pasuri me vlerë të posaçme” për trashëgiminë tonë kulturore. Për arsyet e përcjella më poshtë, ne invokojmë Marrëveshjen midis SH.B.A-së dhe Shqipërisë për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Disa Pasurive Kulturore të 12 korrikut 2004 [në vijim Marrëveshja.
Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, ne kemi nderin t’ju përcjellim kërkesat tona si më poshtë:
(i) Këshilli i Përbashkët, i referuar në Nenin 6 të Marrëveshjes, ta përcaktojë Biblotekën dhe Arkivën e Joklit si pasuri me vlera të posaçme për trashëgiminë kulturore, dhe ta rendisë si të tillë në përputhje me Nenin 5 të Marrëveshjes;
(ii) Komiteti i SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës Jashtë të shqyrtojë mundësin e angazhimit me autoritetet austriake për përmbushjen e dëshirës së fundit të Dr. Joklit dhe për transferimin pa vonesë të Bibliotekës dhe Arkivës së Dr. Joklit nga Biblioteka Kombëtare e Austrisë tek Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë;
(iii) Komiteti i SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës Jashtë të mund t’i kërkojë palës shqiptare në Këshillin e Përbashkët për ndërmarrjen e hapave të posaçme që, pasi të transferohen për tek Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Biblioteka dhe Arkiva e Joklit të mbrohen dhe ruhen më së miri.
Nëse sa mê sipër do t’ju nevojiten informacione të tjera, lutemi na kontaktoni lirisht.
Ju falenderojmë për kohën dhe vëmendjen tuaj për këtë problem të rëndësishëm, dhe mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj.
Tuajët me besë,
Johanna Neumann [1930 – 2017]
Mbijetuese e Holokaustit
U.S. Holocaust Memorial Museum
Van Sotir Christo
Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Shqipërisë në Massachusetts
Agron Alibali
Senior Fellow
University of Massachusetts ,Boston
Bashkëlidhur, Skeda e OSS për Prof. Jokl’s OSS
Letër për Prof. Joklin nga autoritetet shqiptare
Për dijeni, Sh. S. Floreta Faber, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në SHBA.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.