Kronikë

Ekskluzive/ Zbardhet rrëmbimi i 37-vjecarit në Tiranë. Rrëfimi për torturat: Më çuan në pyll dhe…

16:40 - 09.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Policia ka zbardhur dinamikën e rrëmbimit dhe keqtrajtimit të 37-vjecarit Johan Pema, me origjinë nga Berati më 3 prill të 2018 në kryeqytet.




Ekspertët që po punojnë me çështjen besojnë se krimi është kryer nga vrasës me pagesë, të cilit kishin në plan eliminimin fizik të Pemës.

Njoftimi i policisë
Njoftimi i policisë

 

Vetë Pema, pas dëshmisë së dhënë në polici ka rrëfyer se kishte disa ditë që kishte vënë re se dikush ndiqte gjithë lëvizjet e tij. Duke mos qenë i sigurt për rrezikun që i kanosej ai nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur.

Si pasojë, mbrëmjen e 3 prillit teksa po mbyllte derën e palestrës ku punonte një person i afrohet dhe i tërheq vëmendjen, ndërsa dy të tjerë i afrohen nga pas dhe nën kërcënimin e armëve e detyrojnë që të futet në një makinë.

Më pas fillojnë ta keqtrajtojnë në mënyrë barbare duke i thënë se kishin marrë porosi nga Anglia që ta ekzekutonin. Ata e çojnë jashtë Tiranë, në një pyll pranë fshatit Prush dhe ndërsa njëri prej autorëve tenton ta tërheq zvarrë jashtë makinës, Johani gjen forcën për ta qëlluar me grusht dhe t’i shpëtojë nga duart duke vrapuar në errësirë nëpër pyll.

 

Duket se reagimi i beftë i 37-vjecarit i ka gjetur të papërgatitur autorët, të cilët e kanë ndjekur nga pas duke e qëlluar me armë por falë dendësisë së pyllit dhe errësirës ata e kanë humbur. Pas kësaj Johani kërkon ndihmë në një shtëpi nga ku edhe i telefonojnë policisë.

Hetimi
Nga provat e mbledhura në vendngjarje por edhe nga dëshmitë e marra është arritur në konkluzionin se ngjarja ka lidhje me një konflikt të hershem të Johanit që kishte lindur 7 vite më parë në qytezën Hastinings, në jug të Anglisë ku ai jetonte si emigrant.

Edhe data e rrëmbimit nuk ishte e rastësishme. Ajo ishte paracaktuar nga personat porositës dhe lidhet pikërisht me datën 3 prill të 2011 kur Johani aksidentohet, ndërsa ishte duke ngarë një makinë përtej normave të lejuara të shpejtësisë.

Aksidenti rezultoi fatal për shokun e tij, 19-vjecarin Enerik Rrukaj nga Shkodra me të cilin po udhëtonte. Johani u dënua me 2 vite burg për drejtim të papërgjegjshëm dhe shkelje të rënda të kodit rrugor. Por duket se familja e të riut shkodran nuk e kapërdiu dot vdekjen djalit të saj. Ata filluan ta kërcënonin Pemën me jetë duke i kujtuar Kanunin.

Pas kryerjes së dënimit ai u kthye në Shqipëri dhe u përpoq që të rifillonte një jetë të re. Megjithatë kërcënimet nuk ndalën. Ai u ka paraqitur uniformave blu gjithë mesazhet kërcënuese që i janë dërguar në forma të ndryshme elektronike përgjatë një periudhe të gjatë kohore. Sipas tij ai nuk i kishte denoncuar më parë pasi e kuptonte dhimbjen e familjarëve të Rrukës dhe se nuk besonte se ata do të arrinin deri aty sa të tentonin që ta vrisnin.

Frika për vete dhe familjen
I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” instruktori i palestrës flet për herë të parë për mediat. Ai tregon se pas rrëmbimit ndihet tejet i frikësuar për vete por edhe për familjarët e tij.

“Deri më tani autorët e rrëmbimit nuk janë arrestuar nga policia. Ata mund të shfaqet sërish. Përderisa janë paguar për të më vrarë dhe unë jam akoma gjallë, do tentojnë sërish të më vrasin. Nuk di si të mbrohem. Zgjidhja e vetme do të ishte ikja sërish jashtë. Këtu nuk ka drejtësi dhe nuk besoj se policia do ti kapë ndonjëherë ata të tre”, u shpreh Johani i frikësuar./ Përgatiti: O.K

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.