KULTURË

Gjermani Jochen Blanken: Pse jetova në Shqipëri në komunizëm, s’e dija që kishte internime

14:00 - 09.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Për herë të parë ka ardhur në Shqipëri si turist kur ishte i ri. Idealist, ai ishte një prej atyre gjermano-perëndimorëve, që donin marksizëm-leninizmin. Besonte në të dhe mendonte se ishte sistemi ideal për një botë me drejtësi e barazi, barazi qoftë edhe në varfëri.
U mahnit nga Shqipëria, brodhi lart e poshtë, qytet më qytet dhe i hyri në zemër. Vendosi të vinte në Shqipëri sërish, tanimë si guitë e turistëve përmes shoqatës së Miqësisë, Shqipëri-Gjermani. Mandej, erdhi si pedagog i gjermanishtes në universitet dhe si folës në Radio Tirana. Mendonte, se shqiptarët e donin udhëheqjen komuniste, mendonte se e donin komunizmin dhe udhëheqësin Enver Hoxha. Kujton se në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të tij, i pa të mbanin radhë nga mëngjesi deri në mbrëmje që të linin lule në varrin e tij. E kur vite më vonë, pa se radha e gjatë e atyre që linin lule, i ishte sulur në shesh shtatores së tij për ta rrëzuar, Blanken u shtang. A nuk qenë vallë ata që donin? A nuk qenë vallë ata që qanin për të, që sot, po shfaqin një mllef të panjohur për Jochen Blanken? Ai nuk kuptonte se pse këta njerëz, këta që e qanin udhëheqësin, tani donin ta rrëzonin, qoftë edhe të vdekur. Ai e mësoi vetëm më pas se Shqipëria që njihte ai, nuk ishte Shqipëria e vërtetë. Mësoi se përtej vilave gjermane, e përtej dyqanit të diplomatëve, shqiptarët mezi ushqeheshin, dënoheshin e internoheshin, në emër të parimeve të Marksit, parime që Z.Blanken e kishin bërë të linte Hamburgun për Tiranën.
Gjermani thotë se ai nuk e kishte ditur që në Shqipëri internoheshin familje, as që dënoheshin kaq shumë njerëz, as që vriteshin. Ai njihte Shqipërinë e fabrikave e uzinave, Shqipërinë që ai kishte parë në çdo vizitë e në çdo qëndrim. Zoti Blanken, mësues prej një jetë prej viteve 1970, vjen rregullisht në Shqipëri. E kemi takuar, pak pasi ai aplikoi te Autoriteti për Informimin mbi Dosjen e Sigurimit, më kërshërinë për të ditur, nëse e kanë spiunuar.
Kjo është intervista e një idealisti që mësoi se Marksi e Lenini, kishin dështuar në Shqipëri- por e mësoi këtë, pasi sistemi pra, për t’ia lënë vendin kapitalizmit, a ‘imperializmit amerikan’ siç rëndom thuhej atë kohë.
– Kur keni ardhur në Shqipëri?
Për herë të parë kam ardhur në vitin 1975, kam ardhur si turist me një grup gjerman.
– Vendosët të vinit thjesht se doni të shihnit një vend të izoluar, apo?
Jo, kam qenë anëtar i partisë Marksist-leniniste në Gjermani. Në atë kohë ne kishim shumë simpati për sistemin e socializmit në Shqipëri, ishim në kundërshtim me politikën e Gjermanisë Lindore, me imperializmin amerikan dhe erdhëm në Shqipëri për të parë socializmin.
– Sa vjeç ishit në atë kohë?
Kam lindur më 1947 dhe atëkohë isha 28 vjeç.
– A jeni penduar për bindjet politike që kishit atë kohë?
Çfarë domethënë i penduar?
– I keni ende ato bindje?
Jo, pas 1991-it unë u ndjeva shumë i zhgënjyer, nga sistemi. Sot nuk jam më ashtu.
– Si një i ri gjerman që ishit marksist-leninist dhe vinit të shihnit se si ishte implementuar një sistem, si e patë Shqipërinë e kohës?
Ne i kemi besuar propagandës së shtetit, ne pamë gjallëri, kënaqësi te njerëzit, një barazi të paparë, një barazim pa diskutim me një varfëri.
– Barazi në varfëri?
Barazi në varfëri, barazi edhe sa i përket rrogave, sa i përket, nivelit të jetesës. Shqiptarët ishin shumë të gjallë, na dukeshin shumë të kënaqur. Të gjithë ishin duke mbrojtur sistemin dhe duke lavdëruar partinë, kishim përshtypje të mira. Një gjë tjetër, më vonë unë kam qenë me grupe turistësh udhërrëfyes…
– Kush ishte ai që e bënte guitën tuaj, sepse kur vinin të huaj, kishte zakonisht veç të tjerëve edhe një njeri që punonte për sistemin dhe i shoqëronte, që turistët të takonin njerëzit e duhur, “njerëzit që do e lavdëronin sistemin”?
Çdo grup kishte një udhërrëfyes shqiptar, kishte disa. Atëkohë, disa herë në grupet gjermane, kishte ushtarë gjermanë që kishin luftuar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.
– Kishin luftuar në Shqipëri?
Po, kishin luftuar në Shqipëri dhe vinin tani për të parë, Shqipërinë se si ishte pas luftës. Të gjithë impresionoheshin jashtë mase, disa qanin me lot se sa mirë ishte zhvilluar Shqipëria, sa hapa përpara kishte bërë, thoshin se nuk e njihnin më. Ata vinin 30 vjet pas luftës së Dytë Botërore dhe kishin një ide që Shqipëria kishte bërë një përparim të madh.
– E dinte shteti shqiptar që këta që ishin pjesë e grupeve të turistëve, kishin qenë ushtarë gjatë luftës?
Jo, shteti shqiptar nuk e dinte.
– Po shteti gjerman, e dinte?
Shteti gjerman nuk kishte interes.
– Ju atëherë aplikonit për viza. Shumica e të ardhurve, turistë, shiheshin si spiunë, të shteteve të huaja. Ju si vinit në Shqipëri, nuk ka qenë kaq lehtë, apo jo?
Shteti shqiptar jepte viza vetëm për grupe. Ne kemi marrë një vizë për 12, a 15 persona dhe ka qenë e përbashkët. Vulosej çdo pasaportë.
– Në çfarë qytetesh shkuat në vitin 1975 kur erdhët?
Ishte udhëtim i zakonshëm, qëndrimi ishte në Durrës, në plazh në ish-hotel Durrësi. Kemi ardhur në Tiranë, kemi shkuar në Krujë, Shkodër, Gjirokastër. Ne kishim leje edhe për rrugën Korçë-Përmet dhe deri afër kufirit, edhe pse grupet e tjera nuk kishin leje për ta bërë këtë rrugë. Na pritën relativisht mirë, por pjesë e udhëtimit ishte gjithnjë vizita nëpër uzina, në kooperativa bujqësore, ose në ferma. Kam qenë disa herë në uzinën e instrumenteve në Korçë, ose në Kombinatin Tekstil në Berat, fabrika e Plastikës në Durrës.
– Pas herës së parë, ju ikët dhe erdhët prapë. Erdhët si turistë?
Mua ndërkohë më lindën fëmijë. Kam ardhur më vonë në vitin 1978 dhe 1979. Në këto dy vite isha rregullisht këtu. Edhe kishte një “Travel Organization Skanderbeg Reisen”, që kërkuan një përfaqësues në Plazhin e Durrësit që organizonte udhëtimet dhe unë ndenja 2-3 vjet në plazh dhe kam organizuar udhëtimet.





– Pra, erdhët dhe jetonit në Shqipëri?
Po.
– Pse erdhët? Ishit i kënaqur me Shqipërinë?
Po, na pëlqeu. Natyra ishte e bukur, plazhi ishte i mirë, kishim kontakte e biseda me njerëz dhe na pëlqeu.
– Nuk e ndjenit ju presionin e sistemit?
Nuk kishim njohuri i fare.
– Ju në hotel shihnit televizor? Vetëm stacionin publik shqiptar?
Televizori nuk na interesonte shumë, më duket në hotel ne kishim vetëm programet shqiptare, me sa di unë. Po nuk kishim interes për televizionin e huaj, as për atë italian.
– Atëherë, keni mësuar shqip?
Jo, atëherë jo. Unë pastaj kam ardhur me gjithë familjen, më 1985, pas vdekjes së Enverit kam ardhur si pedagog. Kam dhënë mësim gjuhën gjermane në fakultet, edhe paralelisht, ish-gruaja ime dhe unë, kemi folur gjermanishten në Radio Tirana.
– Si e morët këtë vendim që të vinit në Shqipëri, të jepnit mësim, si u bë kjo lidhje e juaja me Shqipërinë?
Është një lidhje mes Shoqatës Miqësore Gjermano-Shqiptare që organizonte bashkë me Komitetin për Marrëdhënie me të huaj, ose diçka e tillë quhej. Ata organizonin këto kontakte.
– Keni dhënë mësim te Universiteti i Tiranës, te gjermanishtja?
Po.
– Sa studentë kishit atë kohë?
Kishte katër grupe, secili 12-13 studentë, që më parë kishin mbaruar shkollën e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”.
– Po në Radio Tirana, çfarë pune bënit konkretisht?
Në Radio Tirana atë kohë ka transmetuar mbi 20 gjuhë të huaja. Unë isha te gjuha gjermane. Tekstet i bënin redaktorët shqiptarë, janë përkthyer nga përkthyes shqiptarë dhe ne i lexonim, pasi bënim korrigjime gjuhësore, që të tingëllonte gjuha korrekt. Atë kohë edhe përkthyesit ishin mirë, por jo perfekt.
– Sa vite jetuat ju në Shqipëri?
3 vjet, 1985-1988. Pastaj erdha prapë.
– Pse ikët më 1988?
Unë isha mësues në Hamburg dhe kisha 3 vjet pushim. Nëse rrija më gjatë, do më humbte vendi i punës. Nuk ishte gjë e rrallë ardhja ime, nga vitet 1970 deri më 1990, kanë qenë rreth 30-35 veta si unë.
– A ka pasur mes tyre, ish-ushtarë?
Jo, kanë qenë të rinj. Kemi jetuar te vilat gjermane. Kishim një jetë relativisht e mirë, shumë më e mirë se shqiptarët. Ishim furnizuar me ushqime.
– Ku i merrnit ushqimet?
Ishim organizuar. Kishte një dyqan, që ishte dyqani i diplomatëve. Aty furnizoheshim.
– Po pagat, krahasuar me shqiptarët, si ishin?
Unë kam marrë një pagë të mirë, e barabartë me pagën e një profesori universiteti. Ishte gati 900 lekë të reja. Edhe 1 shpërblim për fëmijët kemi marrë, më duket 200-300 lekë për fëmijë. Pagat nuk ishin keq, por ne nuk kishim të ardhura nga Gjermania, nuk kishim marka gjermane dhe me këtë kishim vetëm lekët shqiptare.
Ishte e pamundur të thyeje lekët në dollarë ose në marka. Ndaj nuk kisha mundësi të udhëtoja. Për 3 vite nuk kam shkuar në Gjermani, sepse nuk kishim para. Po kështu kaluam mirë. në atë kohë mësuam shqipen.
– Kur ju u rikthyet në Shqipëri, regjimi kishte rënë, ndërsa besimi juaj te marksizëm leninizmi, ishte thyer.
Pas 1988-ës, isha çdo vit në Shqipëri. 1988, 1989, 1990, 1991. Vija si turist.


– Bënit plazhin?
Jo e kam përjetuar nga pak edhe rënien e regjimit komunist sepse në verë isha 3-4 javë në Shqipëri. duket udhëtuar e biseduar me njerëz.
Rënia e shtatores së Enverit ka qenë në prill 1991 më duket. Më 1990 ishin demonstratat e para dhe ishte një rrëmujë e madhe e mbaj mend shumë mirë. edhe më 1991, kishte shumë diskutime edhe në Gjermani.
Kishte shumë njerëz këtu që donin të iknin në Gjermani.
Unë nuk isha shkëputur.
– Kam takuar shumë të huaj që gjatë vizitave të tyre në Shqipëri në komunizëm, më kanë thënë se survejoheshin. Kur jetonit ju në Shqipëri, e ndjenit që survejoheshit?
Nuk kishim këtë mendim. Por kur ne donim të udhëtonim, na jepnin një makinë dhe një shofer, mendonim se ishte për shkak të miqësisë. Thuhet se shoferët na survejonin, por nuk di. Kishim 2 a 3 herë në vit, një takim a bisedë zyrtare me përfaqësues të partisë, për problemet. Në këto biseda, kisha ndonjëherë përshtypjen se ata kishin informacione për ne, për gjërat që kishim bërë dhe habiteshim pak. Si e ka marrë vesh këtë a për atë, por nuk penalizoheshim. Kam dëgjuar pas rënies së komunizmit. Një student më tha që pasi më erdhën në shtëpi studentët, ishin detyruar të bënin raporte, në organet shtetërore.
– Ju keni parë muzetë dhe keni parë si instaloheshit, objektet e përgjimit. Keni parë një objekt të ngjashëm në shtëpinë tuja?
Jo, s’kam parë. Më bënë çudi kur pashë muzetë. Por e di që kur flisja me mamanë në Gjermani, duhej ta bëja me lajmërim, prishja 1 ditë për të folur me të.
– I tregonit mamasë, çfarë ndodhte këtu, apo këtu për ju ishte shumë bukur, dhe nuk kishit çfarë të “spiunonit”?
Këtu kishim përshtypje shumë të mira. Në atë kohë ne kemi bërë një farë propagande për Shqipërinë. Më vjen keq po ishte e vërtetë. Unë isha anëtar i Shoqatës Miqësore Shqiptaro-gjermane. Kemi bërë artikuj për jetën në Shqipëri e për zhvillimin e socializmit.
– Kur u thye besimi juaj? Çfarë ndodhi që u thye? Ju e dini që këtu njerëzit arrestoheshin, vriteshin?
Tani, po. Tani e di. Më vinte shumë keq. Me rënien e komunizmit unë e kisha shumë problem për të besuar, por çfarë me çuditi ose çfarë më habiti shumë, për këtë urrejtjen që kishte populli në rënien e shtatores së Enverit.
E keqtrajtuan shtatoren.
– Aty e kuptuat që shqiptarët nuk e donin?
Jo, shiko. Unë ju që kam jetuar në vilat gjermane në rrugën e Elbasanit. Në 1-vjetorin e vdekjes së Enverit, 1 varg i madh njerëzish, shkonin në varreza te varri i Enverit, që nga mëngjesi në orën 6 deri në darkë në orën 7 e 8. Shkonin, qanin, ndiqnin ceremoninë. Kam parë dhe kam bërë fotografi se si njerëzit pas një viti shkonin te varri i udhëheqësit. Kisha mendimin se shumica e njerëzve ose 90% janë të bindur me sistemin. Edhe në diskutimet me studentët, asnjeri nuk kundërshtonte. Edhe unë u habita dhe u zhgënjeva me rënien e shtatores, kur pashë një pamje krejtësisht të kundërtën.
– Të gjithë ata që kishin shkuar t’i linin lule te varri, tani po rrëzonin shtatoren e tij?
Po. Dhe pastaj mora vesh për dënimin e familjeve, dhe më vinte shumë keq. Nuk e kam besuar që ndodhte diçka e tillë, sidomos dënimi i familjeve me duket një gjë barbare. Është për mua e paimagjinueshme. Nuk kishim dijeni për gjërat.
– Në këtë moment u thye besimi juaj për regjimin?
Jo, jo. Kishim me miq e shokë ne Gjermani për Shqipërinë dhe kishim shumë kontradikta në shoqatën e miqësisë. Dy a tre vjet kishim diskutime. Më vinte shumë keq për shkatërrimin e vendit: u prishën ferma, vreshta, kooperativa, uzina. Të gjitha brenda disa muajve, dhe nuk kuptova pse vinte kjo urrejtje.
– Po rënien e murit?
Nuk më pëlqeu, nuk isha për komunizmin e lindjes, por në atë kohë, na dukej si futje e imperializmit. Deri diku jam skeptik ende sot, sepse gjithë eprorët e perëndimit morën poste në lindje.
– Ju jeni nga Gjermania Lindore?
Jo, nga Gjermania Perëndimore. Nuk më pëlqeu mënyra si u unifikua Gjermania.
– E keni jetuar sistemin vetëm këtu dhe as këtu tamam, sepse ishit i veçuar?
Po është e vërtetë.
Interesant që në fakultet e pyeta Ali Dhrimon, me çfarë do të mësoj, çfarë të marr? “Më tha merr çfarë të duash, je i lirë, por mos merr materialet e Gjermanisë Lindore, jo. Nuk i lejojmë ato, merr kaseta nga perëndimi, por jo nga Gjermania Lindore. Sepse, helmin e kapitalizmit, e njohim. Atë të revizionizmit të shteteve socialiste është më i rrezikshëm”.
– Ju keni kërkuar dosjen tuaj te Autoriteti i Dosjeve. Është kuriozitet?
Po, vetëm kuriozitet, nuk jam trajtuar keq. Më intereson të di si funksiononte sistemi.
– Që të zhgënjeheni siç duhet?
Është një histori e bukur që më ka treguar një student pas rënies s komunizmit se unë nuk kisha dijeni. Isha në një leksion me një hartë të Gjermanisë. Në sallë nuk kishte gozhdë. Unë hoqa fotografinë e Enverit dhe vara hartën aty. Mbarova së shpjeguari dhe hoqa hartën e vura fotografinë. Ajo ishte e vetmja gozhdë në klasë. Për mua ishte gjë normale, nuk ishte ofendim. Por, kjo ishte raportuar, nga një studente, sekretare e rinisë, ka shkuar te dekani dhe i ka treguar të gjitha: profesori gjerman, hoqi Enverin për hartën. Ishte thënë që unë isha marksist-leninist por nuk respektoj udhëheqësin e madh te Shqipërisë. Atëherë nuk më tregoi njeri, ma thanë më vonë.
– Ishit shumë idealist atë kohë?
Po, është e vërtetë. Sepse sistemi i Gjermanisë Lindore, nuk na pëlqeu. Na dukej se në Shqipëri ishte ndryshe. Nuk besonim se do binte sistemi këtu, mendonim se ishte socializëm me të vërtetë. Ishim të gënjyer.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.