Intervista

Foto/ Eglein Laknori: Fantastike të imitosh femrat, por që jam mashkull…Kjo është e sigurt!

12:05 - 10.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elsa Doda – Eglein Laknori, aktor i një prej programeve më të famshme të humorit në Shqipëri dhe një personazh shumë i dashur për publikun. Ai ka spikatur si humorist me çiltërsinë dhe spontanitetin që e karakterizon. Egleinin që të gjithë e njohim si Egi, e shohim aktiv edhe në rrjete sociale, ku me humorin e tij ironizon realitetin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Egi na rrëfen me tepër rreth punës në “Apartamentin 2XL”, familjen dhe pasionet që shumë nuk ia njohin.




Prej pak kohësh keni nisur sezonin e ri te “Apartamenti 2XL”, si po shkon dhe çfarë ka të re për të gjithë ata që nuk kanë mundur t’ju ndjekin?
Ka pak kohë që apartamenti ka filluar dhe po shkon për mrekulli, pasi po bëjmë vetëm gjëra të bukura. Njerëzit po qeshin dhe po kënaqen. Për të gjithë ata që nuk kanë mundur të na ndjekin, është shumë e rëndësishme që të jenë prezentë në ‘2XL’, sepse do kënaqen me të vërtetë.

Në skenë ti spikat me role që janë bërë shumë të dashura për publikun dhe shumë njerëz imitojnë batutat dhe gjestet karakteristike të tuat. Si ndihesh për këtë fakt?
Përsa u përket roleve të mia, unë kryesisht bëj rolet e karakterit, rolet pikante, të cilat i bëj me shumë kënaqësi dhe dashuri. Jam shumë i lumtur që njerëzit i përdorin batutat dhe gjestet e mija në jetën e përditshme, pasi më bën të vazhdoj të kontribuoj me karakterin, sinqeritetin dhe karagjozllëqet e mija.

Sa ndryshon Egi nga skena në përditshmëri?
Nuk ndryshoj shumë, por mundohem që në momente të caktuara të jem serioz aty ku duhet dhe të jem karagjoz aty ku duhet të jem karagjoz. Përtej shakasë, mundohem të bëj një balancë të mirë.

U bëre shumë vite në “Vizion Plus” dhe mund të themi me plot gojë që tashmë është shtëpia jote, a ke menduar ta ndërrosh me ndonjë televizion tjetër?
Unë kam rreth 9 vite që punoj në “Vizion” dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj familjeje. Për momentin nuk mendoj ta ndërroj, pasi ndihem shumë mirë këtu ku jam dhe për punën që bëj, por jetës nuk i dihet.


Të shohim shumë aktiv në rrjete sociale me video që janë bërë virale, është diçka që e mendon apo spontane dhe pse imiton vetëm femrat?
Jam relativisht aktiv në rrjete sociale. Më pëlqen që videot e mia janë bërë të famshme, pasi i kam bërë me shumë sinqeritet dhe dashuri. Kam parë si funksionon realiteti këtu në Shqipëri dhe kam mënyrën time të të bërit humor nëpërmjet videove. Imitoj më shumë femrat sepse janë fenomenale, bëjnë gjëra të çuditshme. Është fantastike të imitosh femrat, por prapë jam mashkull, kjo është e sigurt.(qesh)

Egi, ti je i martuar prej pak kohësh, ndërkohë jeton edhe me nënën, na trego pak si është marrëdhënia në shtëpinë tuaj, kryesisht mes nënës dhe gruas? Sa i lumtur je për faktin që ke vëmendjen e dy femrave më të rëndësishme për ty?
U bë 1 vit e gjysmë që jam i martuar dhe jam shumë i lumtur për këtë. Përsa i përket marrëdhënies në tresh që ne kemi, pasi jetoj me bashkëshorten dhe mamanë, të garantoj që kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Është një trinom fantastik dhe jam shumë i lumtur dhe falënderues ndaj Zotit që kam vëmendjen e dy femrave më të rëndësishme të jetës sime.

Ermali, miku juaj më i mirë u bë baba për herë të dytë para pak ditësh, po ti kur ke ndërmend?
Po, e vërtetë që Ermali është bërë baba para dy javëve dhe ne shpresojmë që të bëhemi shumë shpejt prindër.

Meqë jemi tek familja, sa ju ka mbështetur bashkëshortja në punën tuaj? A të jep ide për videot që bën?
Përsa u përket videove që unë realizoj, patjetër që kam edhe aprovimin e familjes sime dhe kjo është gjë e rëndësishme, sepse u marr leje atyre para se t’i realizoj dhe patjetër që bashkëshortja më mbështet në çdo gjë që bëj dhe është ajo që më filmon në video. Sigurisht më japin dhe ide, por kryesisht idetë i kam spontane.

Para pak vitesh ke qenë profesor tek Liceu Artistik, si ishte si eksperiencë dhe a mendon t’i kthehesh mësimdhënies?
Ka qenë një eksperience fantastike. Është një dashuri e veçantë të japësh mësim sidomos për muzikë, pasi unë kam përfunduar studimet e larta për muzikë, trompë. Kam pasur nxënës shumë të mirë, të cilët i takoj shpesh dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me ta. Për momentin jo, pasi kam disa obligime të tjera, por në një të ardhme do më pëlqente, pasi është dashuri më vete.

U bënë disa vite që nuk jeton më midis nesh, Dr. Flori, një mik i ngushtë i juaji. Si e kujton dhe kush ishte ai për ty?
Konsiderata ime për Dr. Florin gjatë gjithë kohës që ai jetoi, sidomos gjatë kohës që ne ishim bashkë ka qenë me notën maksimale, 10. Dr Flori, djalë i shkëlqyer, i sinqertë dhe plot botë. E kemi dashur shumë njëri-tjetrin. Kemi ndenjur rregullisht bashkë dhe kam kujtimet më të mira me të. Ka qenë një kohë fantastike për aq kohë që ne kemi jetuar bashke. Sa herë që e kujtoj, e bëj me nostalgji dhe emocion të veçantë.

Djemtë e “Apartamentit” janë koleg dhe miq për ty, sa ju ndihmon kjo në punë?
Djemtë dhe vajzat e “Apartamentit” janë kolegë dhe miq shumë të mirë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë si në punë, edhe jashtë saj. Kjo gjë personalisht më ka ndihmuar, pasi e kam më të thjeshtë të bej gjërat pa u sforcuar dhe përpjekur shumë.

Për të gjithë ata që nuk i njohin pasionet e tua, mund të na tregosh diçka?
Pasionet e mija jashtë aktrimit dhe muzikës janë udhëtimet, hiking, ecje në mal dhe peshkimi. Jam natyrë shumë sportive. Më pëlqen të shijoj natyrën dhe të bëj një jetë shumë të thjeshtë.

Çfarë është diçka që do doje ta ndryshoje tek vetja?
Nuk do doja të ndryshoja asgjë tek vetja, përkundrazi është Zoti, ai që më udhëheq në jetën time dhe ai që më përmirëson çdo ditë të saj. Faleminderit Zotit për jetën që më ka dhuruar dhe ia rikthej të gjithën dhe çdo talent timin Atij. Faleminderit Zot që je i gjallë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.