Homo Albanicus

Pse parlamenti shqiptar është shfaqja më e ndjekur në vend?

19:02 - 13.04.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kushtetuta shqiptare, si shumë nga ato të vendeve demokratike, e lejon fjalën e lirë dhe madje ka dhe mekanizma që e ndih, por edhe e kufizon. Por a është e mundur në një vend pa traditë politike demokratike, fjala e lirë të ketë ndonjë rol të caktuar? Në shumë raste po, por ka raste kur dhuna që e ndjek artikulimin e Fjalës së Lirë mposht gjithçka. Dhe, shembujt që vinë sot nga vendet me demokraci si Shqipëria janë të dhimbshme. Fjala e lirë është shndërruar gati në një agresion verbal.




Nga ana tjetër, fjala e lirë e ka emancipuar shumë shoqërinë shqiptare, që me shumë vështirësi po përshtatet në demokraci pas gati 30 vitesh. Por ndërsa nga njëra anë kjo fjalë e lirë e ka përcjellë shoqërinë shqiptare në përballje me dialogë të vështirë emancipues; nga ana tjetër, një vektor i saj ka shkaktuar dëme të pariparueshme. Rrjetet sociale i kanë dhënë të drejtën kujtdo që me vetëm një pikë qasje në internet të shprehin mendime allosoj dhe madje të vjedhin vrer të paparë, duke krijuar opinione të gabuara për shumë individë dhe kauza interesante. Personazhe të ndryshme në kushte aninomati kanë kërkuar të identifikohen më shumë përmes valencës së fortë dhe therrëse të fjalës, por edhe kleçkave të saj. Kjo është keqkuptuar, po ashtu, nga shumë skifterë të internetit që jo vetëm ofendojnë gjithkënd…por edhe që sot e kanë kthyer në mjeshtëri manipulimin. Nuk po shtyhemi këtu, por rastet botërore janë të mbathura me shembuj pafund, që kanë ndryshuar rrjedha ndërkombëtare.

Gjenerali Carl von Clauseëitz, një nga teoricienët më të mirë ushtarakë të kohëve, e ka konsideruar luftën si një vazhdim i politikës por me mjete të tjera. Në fakt, pikëvështrimi i tij hapësira dhe përcaktimi shkonnin për ballafaqimet e popujve dhe kufijve. Veçse në kohën tonë dhe në gojën e politikanëve dhuna verbale, e projektuar në fushën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare dhe lokale ka kuotat më të larta dhe kanë sjellë luftëra. Kurse lufta dhe fjalori agresiv që artikulojnë politikanë dukshëm kërkon denigrimin e kundërshtarit për ta bindur atë t’i bindet qëllimit të tyre. Kjo mbetet remineshencë e kohëve kur Shqipëria administrohej nga të huajt dhe më vonë nga qeveritë e brishta të para Luftës, por edhe nga dora e fortë e komunistëve dhuna verbale është instrument identifikimi për të fortët. Fatkeqësisht, në shoqëri si ajo shqiptare, kjo konsiderohet si gjuha e të drejtit. E tillë ishte gjuha që parapriu ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. E dalë duarsh, gjuha e dhunës udhëhoqi kaosin që desh i çoi shqiptarët në fazën e parë të Luftës Civile. Duhet thënë se instinktit të shqiptarëve i voliti kjo pasi u solli ndërmend periudhat jo të pakta pa shtet, ku ligjin e bënte kaosi. Për bijtë e kaosit, siç jemi ne ballkanasit, kjo është koha më e mirë për të përfituar dhe për të larë hesapet dhe mbi të gjitha për të qetësuar vrundujt e shpirtit. Kjo lloj gjuhe vazhdon sot e kësaj dite dhe madje me frymë të paparë paedukate, që nga salla e parlamentit dhe në të gjitha fushat e jetës, që e tregon shoqërinë shqiptare jo thjesht të paemancipuar, por në faza primare zhvillimi. Rastet janë të pafundmë dhe të shtrira në të gjitha fashat e shoqërisë dhe deri në institucionet më të larta të vendit. Kjo dhunë verbale ka bllokuar procese dialogu dhe transparence, por edhe mohon çdo alternativë ndryshe.

Njëzetë e një vjet pas katrahurës së vitit ‘97, Shqipëria miratoi në parlament Kodin Etik me votat e dy palëve dhe vetëm pak ditë më vonë, sikur ky dokument të mos kish ekzistuar  ndonjëherë, palët u kthyen në një sherr të pafundmë dhe më shumë se banal. Për të kuptuar rrezikshmërinë e tij duhet sqaruar se ky sherr ka një nivel normaliteti në vend dhe është e pamundur të ndjekësh parlamentin shqiptar pa klithma dhe ofendime dhe prej javësh dhe pa qasjen fizike. Sikur të mos jenë pjesë e institucionit më të lartë të vendit, deputetë të ndryshëm kërkojnë që të preken dhe ofendojnë. Publiku shqiptar që i ndjek është ai që pret alternativat e integrimit evropian që u jepen për çdo ditë, kurse aktualiteti prej këtyre fjalëve dhe sjelljeve u dikton mungesën e perspektivës ekonomike, fakt që bën që tensioni në vend të mbahet konstant dhe krejtësisht i ligjëruar. Kur zihen të mëdhenjtë, po ne ç’jemi!-është normale të dëgjohet në vendin tonë.

Në ligj ka dënime për gjuhën e urrejtjes , e cila konsiderohet si vepër penale, por në realitet gjëra të tilla nuk zbatohen. Ky fakt bën që ata që ofendohen të jenë të përulur kurse agresorët e fjalës të vazhdojnë të ofendojnë njësoj dhe matje me tone të larta. Këtë e shikon në gjuhën e kryeministrit aktual Rama, në atë të ish-kryeministrit Bersha, në të gjithë gjuhët e kryetarëve të grupeve dhe partive parlamentare. Je personalitet politik në Shqipëri nëse di të ofendosh, ndryshe je një qyqar…

Shqipëria është në dekadat e para të demokracisë moderne por bota, që i ka kaluar në shekuj të mëparshëm disa stade, ka fiksuar deri përcaktimin e llojit të institucionalizimit të dhunës. Që do të thotë se dhuna ka rrënjë të thellë, për të cilën duhet më shumë se punë institucionale, duke një frymë kombëtare dhe mbi të gjitha revolucion në arsimimin e njerëzve.

Shqipëria vazhdon inercinë e komunizmit dhe mbi të gjitha në Shqipëri nuk është duke u zhvilluar kapitalizmi i duhur, ku për fat të keq ligjet e tregut nuk kanë vend. Nëse funksionet e kësaj do të ishin ashtu si duhet, pra të ekzistonin mekanizmit e dënimit, konkurrenca e lirë ku të mbizotëronte nevoja dhe jo interesi nepotik dhe tribal, vendi do të kishte zhvillim tjetër. Atë nivel, ku retorika e urrejtjes dhe përdorimi i dhunës verbale do etiketoheshin direkt si minuse dhe përjashtimorë. Por për këtë s’kanë veshë politikanët shqiptarë, që kapitalizmin shqiptar po e trajtojnë si post-socializëm. Atyre u duhet parlamenti si shfaqje, audienca e të cilës e ka kaluar mbase dhe atë të emisioneve humoristike më të ndjekura në vend.

Shqipëria duket se do të emancipohet realisht, kur parlamenti i saj të mos e shikojnë më njerëzit. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. sepse cfaqja ne parlament eshte kulmi i zhvillimit dhe intelektit te popullit albanistanez nga bijte e zgjedhur te tije te cilet jane ajka e ketij populli gjytrym (fut brenda dhe mediat kazan)te cilat vec nuk mund ti leme se do i japim nje cap buke

    Përgjigju ↓