BLUETOOTH

Emigen Cenaj: Fiori më tolerantja, edhe pse mban të gjithë përgjegjësinë

12:00 - 14.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Pamela Aliaj- Rrëfehet kërcimtari i “Boom”: Ja disa nga prapaskenat e emisionit investigativ. “Është mirë dhe keq të punosh me femrat, asnjë s’na merr seriozisht!”




Një nga gjërat që sollën ndryshe një nga emisionet investigative në Shqipëri, “Boom” në “Ora News” ishte sjellja e dy balerinëve meshkuj dhe dy prezantueseve femra. Por përveç kërcimeve të ndryshme lidhur me rrymat më të fundit të parapëlqyera nga publiku, kërcimtarët e “Boom” vijnë edhe ndryshe. Emigen Cenaj, koreografi dhe një nga kërcimtarët e “Boom” na rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” prapaskenat e emisionit investigativ. Ai gjithashtu ka folur për aspiratat e tij si kërcimtar dhe cilat kanë qenë disa nga propozimet e bëra së fundmi. “Si është të punosh i rrethuar nga femrat si Rozi dhe Fiori? A ndodhin shpesh debate mes tyre?”. Për më tepër lexoni intervistën e mëposhtme.

Si është të jesh balerin në “Boom”?

Si fillim, nuk mund të quhem thjesht balerin, sepse kërcej shumë rryma, përveç baletit. Unë jam kërcimtar. Dhe të jesh kërcimtar në “Boom” ka shumë aspekte pozitive. Qendra e vëmendjes, njerëz pozitivë rrotull dhe në përgjithësi më jep energji për të vazhduar ditën e ngarkuar që kam. Kur ndihesh rehat diku, do të rrish sa më shumë. Dhe këtë e vërteton fakti që unë vazhdova sezonin e dytë, edhe pse kisha oferta tjera!

Ku ka punuar më parë Emigeni?

Emigeni ç’a s’ka punuar. (qesh). Sepse familja ime udhëtoi drejt ishujve grekë kur unë isha vetëm 15 muajsh dhe kalova 18 vite të jetës sime andej. Po nëse po më pyet vetëm për punët që kanë të bëjnë me kërcimin, unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj si një ‘fitness dance instructor’ dhe animator nëpër mbrëmje latine në Tiranë. Por në Greqi kërcenim në rrugë për të nxjerrë kafen që do pinim më vonë me shokët ose për të blerë ndonjë gjë që na pëlqente. Dhe më beso, puna më e vështirë është të befasosh kalimtarin në rrugë që të të mbushë kapelën se sa njerëzit në një spektakël!

A keni pasur ndonjëherë debate me Albionin? Për çfarë ziheni më tepër?

Debate me Albionin (qesh)?! Duhet të njihni Albionin që të kuptoni që është e pamundur për të pasur një debat me të. Është shumë njeri i mirë dhe nuk të kundërshton asnjëherë. Zemrën e Albionit të kishin e shumta në këtë vend dhe do kishim të gjithë një ditë më të bukur. Albioni është nga njerëzit më punëtorë që kam njohur.

Kush është më i përpiktë?

Duhet të pranoj që më i përpiktë është Albioni dhe më i saktë me oraret (qesh).

A keni pasur oferta nga të tjera televizione? Cili ka qenë më interesant në çmim dhe sa?

Oferta të tjera kam pasur nga një spektakël vjet, por nuk bëhet fjalë për shtetin shqiptar, por për shtetin ku jam rritur. Çmimi ishte i arsyeshëm dhe prandaj për momentin nuk kam lëvizur, edhe pse atmosfera në “Boom” është shumë e mirë për të ikur.

Çfarë ndryshimi sheh Emigeni në skenë në publik me skenën e një emisioni në televizion? Kë parapëlqeni më tepër?

Emigeni në televizion është më i përmbajtur se normalisht. Skena me publik përpara më bën të shpërthej, të jap maksimumin. Më pëlqen të shikoj njerëzit e mahnitur dhe të kënaqur nga ajo që jap unë. Stili im është latin-reggaeton dhe hip-hop, kështu që është normale që shpërthimet t’i kem “Ace in the poket” (As-in në xhep).

Ku do t’ju pëlqente të punonit dhe sa afër synimit tuaj jeni?

Për momentin po gjej mënyrën për të ikur atje ku dua dhe jam në një rrugë shumë të mirë, në moshën e duhur. Kush nuk do donte të punonte në ishujt ekzotikë!

A ka pasur raste që keni pasur debat me drejtuesit? Për çfarë arsye?

Nuk mund ta quajmë debat, por që më kanë kritikuar për vonesën ndonjëherë, duke qenë se vij nga jashtë Tirane, sepse kam edhe një shtëpi në Shkodër ku shkoj e shoh njerëzit e mi.

Kush i bën koreografitë në “Boom”?

Që nga muaji tetor rolin e koreografit e kam marrë unë. Besoj se dhe Majlajdo më ka ndihmuar shumë që të arrij në këtë pikë dhe të zgjeroj njohuritë e mia në kërcim.

Do t’ju pëlqente të rinovonit kontratën me “Boom” apo do t’ju shohim diku tjetër sezonin që vjen?

Për momentin jam në “Boom”. Sezonin tjetër s’i dihet, mbase edhe nuk më gjen në Shqipëri. Siç thashë, jam në një rrugë të mirë, por edhe që nuk përjashtohet mundësia të jem pjesë e emisionit tonë me skuadrën ‘BOOM-bastike’.

Cila nga moderatoret është më tip sipas Emigenit?

Besoj që edhe publiku e ka vënë re që unë dhe Rozana bëjmë gallata shumë shpesh dhe ajo më ngacmon që kam ngel beqar. Kështu që do të thosha Rozana.

A ka debate shpesh mes të dyjave moderatoreve?

Ky sezon ka qenë shumë i qetë deri tani. S’ka debate. Madje shkojnë shumë mirë dhe kur Fiori me Rozin janë mirë, ne jemi shumë më mirë.

Kush toleron më tepër?

E do me kapitale? FIORI ka shumë përgjegjësi mbi shpatulla tani dhe prapë është shumë tolerante. Di t’i menaxhojë shumë mirë situatat.

A ka ndodhur që vetëm 5 minuta para nisjes së emisionit të kenë debatuar pastaj janë futur “on air”. Si kanë reaguar gjatë pauzave?

Zakonisht para emisionit mezi presim të fillojë. Në pauza ka më shumë gallata se sa komente.

Si është të punosh me femrat për Eugenin? Cila është puna më e parapëlqyer për ju?

Të punosh me femrat është diçka shumë e bukur dhe e keqe njëkohësisht. E bukur, sepse rrethohem me mbretëresha dhe jam si bleta në mjaltë. Kurse e keqe, sepse s’na merr asnjë femër seriozisht (qesh). Jeni shumë xheloze ju femrat! Unë faktikisht punoj ‘fitness dance instructor’ dhe animator në mbrëmje latine dhe kam gati 80 goca nëpër palestra, natën në klube dhe akoma më shumë çdo parti. Por kënga ime e preferuar s’është kot “Coolio” – “l ike girls”. Puna ime e preferuar është të jesh instruktor nëpër festivale kërcimi, instruktor internacional.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.