Opinion-Komente

1% po bëhet edhe më i pasur dhe s’ka për t’u ndalur!

13:41 - 16.04.18 Will Martin

Një përqindëshi i më të pasurve të botës do të kontrollojnë rreth 2/3-tat e të gjithë pasurisë së globit deri në vitin 2030. Ky ishte thelbi i një raporti të hartuar nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve, organizmi i kërkimeve shkencore në Parlamentin britanik.

Elita globale kontrollon tashmë rreth 50 për qind të pasurisë anembanë botës, por kjo gjë do të rritet ndjeshëm, theksohet në studimin e publikuar e të porositur nga laburisti Liam Byrne.

Nëse trendet e para që prej krizës financiare të vitit 2008 do të vazhdojnë, nënvizohet në raport, i ashtuquajturi “njëpërqindëshi” do të kontrollojë deri në 64 për qind të pasurisë botërore brenda vetëm 12 vitesh.

Sipas “The Guardian”, që raportoi e para këto statistika, pasuria e një përqindëshit të më të pasurve “është rritur me një mesatare prej 6% në vit, shumë herë më shpejt sesa rritja prej 3% e pasurisë së 99 përqindëshit, apo pjesës tjetër të popullsisë botërore”, që prej krizës financiare.

Nëse ky trend vazhdon, atëherë një përqindëshi do të ketë një pasuri të përgjithshme prej 305 trilionë dollarësh, më shumë sesa dyfishi i 140 trilionë dollarëve që kontrollojnë aktualisht në vitin 2018.

“Nëse nuk ndërmarrin hapat për të rishkruar rregullat sesi funksionojnë ekonomitë tona, atëherë jemi të dënuar për një të ardhme që mbetet e pabarabartë në aspektin e të ardhurave”, shkruan komisioneri i raportit, Byrne. “Kjo gjë është moralisht e keqe dhe ekonomikisht shkatërrimtare, duke rrezikuar një shpërthim të ri paqëndrueshmërie, korrupsioni dhe varfërie”.

Vitin e kaluar, kredidhënësi zviceran “Credit Suisse” publikoi një raport, ku theksohej se më të pasurit e botës, ai një përqindshëm i familjeve apo individëve, zotërojnë qysh tani mbi gjysmën e pasurisë globale, e argumentonte gjithashtu se pabarazia po përkeqësohet edhe pas recesionit më të keq global prej thuajse një dekade, që prej viteve 1930.

“Gjysma e poshtme e të rriturve zotërojnë së bashku më pak se një për qind të pasurisë globale, ndërsa shtresa më e pasur (10%-ëshi i të rriturve) zotëron 88 për qind të aseteve botërore”, shkruhej në raportin e “Credit Suisse”.

E thënë ndryshe, “Një përqindëshi zotëron 50.1 për qind të pasurisë familjare në botë”./Will Martin – Business Insider

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *