Intervista

Skandali në universitetin e Durrësit, 150 milionë lekë për luksin e zyrave

13:15 - 17.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Plot 150 milionë lekë të vjetra janë shpenzimet që janë përdorur për pajisjet e zyrave të titullarëve në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe asnjë financim për laboratorët.




Ndërkohë në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan rezulton se janë shpenzuar 3.1 milionë lekë të vjetra për një abonim vjetor televizori, në një kohë që studentëve nuk u ofrohet as internet falas brenda ambienteve të auditorëve. Këto shifra zbardhen nga monitorimi i organizatës rinore “Qëndresa qytetare”, e cila ka bërë një vëzhgim 6-mujor në dy institucionet e arsimit të lartë të sipërpërmendura si dhe në Universitetin e Tiranës.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Rigels Xhemollari zbardh problematikat më kryesore që janë konstatuar në lidhje me shpenzimet që bëhen nëpër këto universitete. Ai ngre alarmin se nga tarifat që studentët paguajnë, nuk janë bërë fare shpenzime apo investime për shkencën dhe arsimin, por vetëm për luksin e zyrave të titullarëve. Sipas Monitorimit të Autonomisë dhe Transparencës Financiare të Universiteteve Publike, Universiteti i Tiranës ka një problematikë më të madhe se dy të tjerët për shkak të konfliktit procedural mes Bordit të Administrimit dhe Rektorit, problem i cili ka sjellë pasoja financiare duke mos bërë asnjë investim për arsimin apo universitetet, madje për këtë shkak nuk është paguar as edhe 1 bursë e vetme për studentët ekselentë. Xhemollari i bën thirrje të gjithë studentëve e prindërve që të fillojnë të kërkojnë llogari për shpenzimet financiare në universitete.
“Qëndresa qytetare” ka bërë një monitorim mbi institucionet e arsimit të lartë. Për cilën periudhë është bërë studimi dhe cilat universitete përfshin?
Monitorimi është realizuar për periudhën shtator 2017 deri në mars të 2018-ës në tre universitete publike që janë: Universiteti i Tiranës, universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe ai i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Fokusi i monitorimit ka qenë menaxhimi i parave dhe mënyra se si këto institucione të arsimit të lartë i kanë shpenzuar paratë gjatë kësaj periudhe.


Cilat janë disa nga problematikat që keni konstatuar gjatë monitorimit?
Problematika kryesore me të cilën jemi përballur kanë qenë vlerat e larta të shpenzimeve të universiteteve për sigurinë e ndërtesave deri në 140 milionë lekë të vjetra në universitetin e Elbasanit. Ndërsa në Universitetin e Tiranës kemi konstatuar se plot 400 milionë lekë të vjetra janë shpenzuar për punonjësit e hequr padrejtësisht nga puna, të cilët janë dëmshpërblyer në bazë të vendimeve të gjykatës pasi kanë fituar gjyqin. Këto vendime të drejta pro punonjësve kanë ngarkuar me përgjegjësi UT-në që t’i paguajë këta punonjës të hequr pa të drejtë nga puna, gjë që nuk do të ndodhte nëse titullarët e universiteteve do të ishin më të përgjegjshëm. Këto lekë duhet të shkonin për investime, shumë më mirë sesa për dëmshpërblime për heqje të padrejta nga puna.
Ju thatë se 140 milionë lekë të vjetra janë përdorur për sigurinë e ndërtesave. A nuk është i nevojshëm një investim i tillë?
Së pari, godinat e universiteteve nuk kanë nevojë për siguri të lartë pasi nuk zotërojnë pajisje, madje as bankat nuk shpenzojnë kaq shumë për sigurinë dhe së dyti, nuk mund të paguash më shumë për sigurinë e pajisjeve sesa për vetë pajisjet.


Sa janë shumat e parave që ka marrë secili universitet nga tarifat e studimit që kanë paguar të rinjtë?
Ne i kemi kërkuar universiteteve këtë shifër, por informacioni është refuzuar dhe jemi në proces ankimimi tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Por dua të theksoj se edhe paratë që nuk vijnë nga tarifat e studentëve, vijnë nga prindërit e tyre nëpërmjet pagesës së taksave në buxhetin e shtetit.
Mund të na jepni disa fakte sesi ky buxhet ka shkuar për luksin e zyrave të titullarëve?
Po ju jap vetëm dy të dhëna domethënëse për të kuptuar më qartë disproporcionin mes shpenzimeve për luks dhe atyre për kërkim shkencor. Për periudhën e monitoruar, universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” ka paguar 150 milionë lekë të vjetra vetëm për pajisje zyrash për titullarët dhe asnjë lek për pajisje për laboratorët e studentëve. Nga ana tjetër, universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka paguar 3.1 milionë lekë të vjetra për një abonim vjetor televizori, ndërkohë që ky universitet nuk ofron minimalisht internet falas brenda auditorit për studentët. Përtej kësaj kjo vlerë e paguar tejkalon çdo vlerë konkurrenciale operatorësh televizivë që ka në treg.


Pas monitorimit, cili nga universitetet rezulton më problematik?
Universiteti i Tiranës ka një problematikë më të madhe se dy të tjerët për shkak të konfliktit procedural mes Bordit të Administrimit dhe Rektorit, problem i cili ka sjellë pasoja financiare duke mos bërë asnjë investim për arsimin apo universitetet, madje për këtë shkak nuk është paguar as edhe 1 bursë e vetme për studentët ekselentë.
Sa shpenzime janë bërë për kërkimin shkencor apo për sigurimin e kushteve më të mira për studentët?
Në periudhën e marrë në monitorim shtator 2017-mars 2018-të, në kategorinë shpenzime për studime dhe kërkime asnjëri nga tre universitetet nuk ka bërë shpenzime. Fakt që tregon se këto institucione pavarësisht se janë shumë të pasura për shkak të tarifave shumë të larta për studentët, rezultojnë më të varfrat për sa i përket investimeve që janë bërë në shkencë apo për arsimin.
Cila është thirrja juaj ndaj studentëve lidhur me këtë situatë?
Apeli im shkon te studentët dhe prindërit e tyre: të gjejnë motiv tek gjetjet e “Qëndresës qytetare” dhe le të shërbejë ky moment si fillimi i kërkesës së llogaridhënies dhe pjesëmarrjes studentore në vendimmarrjen financiare të universitetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.