Rajoni

Ligji për gjuhën shqipe në Maqedoni edhe pa nënshkrimin e presidentit

15:38 - 18.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk është gjetur ende një mënyrë sesi të shpallet Ligji i Përdorimit të Gjuhëve në Maqedoni, në mënyrë që të vazhdojë të zbatohet nga institucionet e vendit.




Por, kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, thotë në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve (AA) se sistemi i një demokracie parlamentare parashikon edhe mundësitë alternative për rrugëdalje nga ky bllokim i ligjit.

Sikurse thekson Xhaferi, “Kushtetuta e vendit sanksionon mundësinë që kreu i shtetit, për projektligje të caktuara që votohen në Parlament, të ketë të drejtën e vetos për çështje të caktuara, por sipas tij, ajo nuk nënkupton që presidenti të ketë veto absolute”.

Ai rikujton se Kushtetuta e detyron presidentin e vendit që ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit në fjalë, dhe se ai sëbashku me kryetarin e parlamentit me të vërtetë janë dy persona që dekretojnë aktin, por “parlamenti ka kompetencat ligjvënëse dhe sipas logjikës kushtetuese dhe demokracisë parlamentare vullnetin e Parlamentit nuk mund ta cënojë asnjë institucion tjetër, pa marrë parasysh kompetencat e mundshme që ka në këtë drejtim.”

Xhaferi thekson se ligji mund t’i adresohet Gazetës Zyrtare edhe pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

“Për faktin që kreu i shtetit ka vetëm kompetencën e vetos për një kohë të caktuar, kjo nënkupton që kreu i shtetit me vendimet e tij nuk mund të cënojë punën e parlamentit, dhe në këtë drejtim mendoj se rrugëdalja është që ligji pa nënshkrimin e kreut të shtetit t’i adresohet Gazetës Zyrtare, që ajo ta nxjerrë ligjin dhe pas kësaj të mund të vihen në funksion institucionet e tjera kushtetuese që kanë kompetenca kundrejt dilemave që ka kreu i shtetit për ligjin”, u shpreh Xhaferi.

Ligji i Përdorimit të Gjuhëve parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë dhe shqipja, e cila flitet nga 20 përqind e qytetarëve të Maqedonisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.