OPINION

Pse Siria nuk është një luftë e amerikanëve?

07:20 - 18.04.18 Rigels Lenja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe njëherë tjetër Siria, u vu në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Dukej sikur, po ripërsëritej kriza e raketave në Kuba, e vitit 1962. Koalicioni Perëndimor i përbërë nga: Franca, Britania e Madhe dhe ShBA-të, dëshmoi që ka mundësinë t’i vendosë kufij të pakapërcyeshëm Asadit. Në praktikë, sulmi i aleatëve ishte jo vetëm i detyruar, por edhe një mundësi për të shmangur turpërimin. Jo më kot, u desh gati 1 javë që pas sulmit me armë kimike mbi Douma që fuqitë Perëndimore të vendosnin ku dhe kur do të sulmonin në Siri. Madje, fuqitë Perëndimore, kishin zgjedhur objektivat me aq shumë kujdes, sa të shmangnin bazat ku mendohet se ndodhen trupat ruse.




Sigurisht, Siria nuk është një vend me të njëjtat probleme si vendet e tjera të rajonit. Më mirë se kurrë amerikanët e dinin që Siria nuk është as një rast i njëjtë si Iraku apo Libia. Dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Siria, nuk është një luftë e amerikanëve.

Në një rezyme të thjeshtë, e ashtuquajtura ‘Pranvera arabe’, që ishte një sinonim i lëvizjes për më shumë liri dhe të drejta, në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, kjo lëvizje, që në disa vende mori forma të një revolucioni, nisi kryesisht në vitit 2011. Përjashtim nga të tjerët qe Siria, duke qenë një domino e fundit, pasi shenjat e para të manifestimeve për rrëzimin e regjimit, nisën në mars të vitit 2012.

Vendet me regjime autoritare apo edhe diktatoriale të rajonit, deri diku kishin një mbështetje dhe një bashkëpunim me fuqitë europiane. Si në rastin liderit Libian, Muamar Gaddafit me Francës, të Presidentit Egjiptian, Hosni Mubarak me Britanin apo liderit të Tunizisë, Abidine Ben Ali me Italinë dhe Francën, në të tria këto raste, ShBA-të, e kishin shumë të lehtë të ndërhynin apo edhe të ndikonin në largimin e liderve respektivë. Siria, nuk ishte një rast i ngjashëm. Së pari, po flasim për një regjim që quhet republikë, por në realitet është kthyer në republikë presidenciale autoritariste e trashëgueshme. Kjo pasi që nga viti i largët 1970, Siria është qeverisur nga familja al-Assad. Në periudhën 1970-2000, si President ishte Hafez al-Asad dhe me vdekjen e tij u pasua nga i biri që është dhe Presidenti aktual, Bashar al-Asad. Në gjithë këtë interval kohorë, Siria ka qenë një aleate e bindur e çdo direktive të Moskës. Kjo bënte, që ShBA-të duhet të matnin me shumë kujdes, çdo hap që hidhnin për të shmangur një përplasje me pasoja katastrofale me Rusinë për çështjen siriane.

Me dëshirë apo jo, ShBA-të e gjeten veten të përfshirë në këtë konflikt, i nisur si një revoltë e brendshme për më shumë pavarësi dhe liri. Por, që sot është kthyer në një luftë të ftohtë mes fuqive rajonale, duke thirrur në ndihmë dhe aleatët respektivë të tyret, ShBA-të apo Rusinë.

Pasojat gjeostrategjike

Largimi ose jo i Bashar al-Assad, nuk ishte vetëm një çështje e brendshme. Ajo ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme edhe për mbarë rajonin. Po cilat ishin fuqitë rajonale të interesuar për çështjen siriane? Që nga viti 1979, por veçanërisht në 10 vjeçarin e fundit, ka një përplasje të vazhdueshme mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Dy shtetet, që përfaqësojnë dy degë të ndryshme të Islamit, konkretisht Shite dhe Sunnite. Përplasja e tyre është jo për çështje religjionare, por mbi të gjitha se kush do jetë udhëheqësi i botës myslimane por veçanërisht i Lindje së Mesme. Irani, në rast të largimit të Sirisë nga zona e influencës së tij, do të humbiste dhe lidhjen me Hezbollahun, e dislokuar në Liban. Hezbollahu ka rëndësi të veçantë për Iranin në përplasjen e këtij të fundit me Izraelin.

Ndërhyrja Iraniane dhe e Hezbollahut në Siri, çoi te fraza lapidare “Armiku i armikut tim është miku im”, ku për herë të parë sauditët janë aleatë me izraelitët. Izraeli ndërmori sulme të ndryshme mbi territoret siriane, kryesisht të fokusuara kundër bazave të Hezbollahut, por pa kursyer edhe forcat siriane që i afroheshin Lartësive Golan (të kontrolluara nga Izraeli që prej luftës 6 ditore të vitit 1967).

Arabia Saudite, e ndodhur në një konflikt pothuajse direkt me Iranin, jo vetëm në Siri, por edhe në Jemen, mbështeti grupet opozitare të grupuara si Ushtria e Lirë Siriane. Së bashku me suditët, u bashkuan dhe disa mbretëri të Gjirit si Kuvajti, Bahrei dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Angazhimi i Iranit, nuk u prit mirë nga Uashingtoni, pasi tregonte qartë se tashmë Irani po kërkonte të dilte jashtë kufijve të saj për të rritur influencat e tij. SHBA-të, aktualisht kanë në Irak rreth 2000 forca ushtarake dhe bombardimi i parë u krye në shtator 2014, kundër forcave ekstremiste të njohur si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS), pra dy vite pas fillimit të luftës civile. Dukshëm, kjo do kishte qenë mundësia ideale e ShBA-ve për të shkatërruar edhe forcat e Assadit. ShBA-të, ngurruan pasi i druheshin një shpërbërjeje të plotë të Sirisë si në rastin e Libisë. Shpërbërje e cila do kishte çuar në rritjen e pushtetit të forcave radikaliste dhe automatikisht, në një eksod biblik të sirianëve në drejtim të Europës. Kërcënimet e vazhdueshme të Presidentit Obama, se do ta ndëshkonte Assadin në rast të kalimit të vijës së kuqe, referuar përdorimit të armëve kimike dhe bakteriologjike, nuk ndodhën kurrë, megjithëse presidenti sirian e kaloi vijën e kuqe me qindra herë.

Sulmet do ndodhin vetëm 7 prill 2017 në bazën ajrore Shyrat, të ndërmarrë nga administrata Trump dhe të rindërmarra në 14 prill 2018, si ndëshkim ndaj përdorimit të armëve kimike në 7 prill në Douma.

Ndërkohë, Siria krijoi dhe një hendek tjetër, kësaj here brenda, aleancës së NATO-s, ku Turqia nuk pranon faktin se ShBA-të, po mbështesnin peshmergat kurde, në territoret në veri të lumit Eufrat. Mundësia që këta të fundit të krijoj një shtet në këto zona, tremb Turqinë, pasi ajo ka rreth 18 milionë kurdë. Që automatikisht do të kërkonin bashkimin me kurdët e Sirisë dhe Irakut, në rast të krijimit të një shteti të tyrin. Kjo ka bërë që Stambolli të jetë më pranë me Teheranin dhe Moskës së sa me Uashingtonin dhe Brukselin.

Rusia është një faktor kyç në luftën siriane. Ndërhyrja e saj në vitin 2015, ishte jetike për vazhdueshmërinë e regjimit të Damaskut. Kjo pasi garantoi se forcat amerikane nuk mund më të ndërmerrnin një sulm frontal kundër forcave të presidentit Assad, ndërkohë, pak nga pak, Damasku rivuri në kontroll më shumë se 65% të territorit, duke eliminuar pothuajse fare opozitën e moderuar siriane. Rusia, e ka substancializuar qëndrimin e Sirisë në hemisferën e saj të influencës. Kjo pasi Tartus është baza e fundit Ruse në Detin Mesdhe. Ndërkohë, humbja e Sirisë, do ta kthente Rusinë në një shtet pa asnjë aleat në Lindjen e Mesme.

Kur mund të përfundojë  lufta

Aktualisht në Siri ka dy forca kryesore lokale, regjimi i Assadit që kontrollon 65% të territoret dhe qytetet kryesore si: Alepo, Damasku, Homs dhe Hama. Ndërsa në veri të Lumit Eufratit janë territoret kurde. Opozita e moderuar ka shumë pak zona në kontroll që sipas gjasave është çështje kohe para se Assad t’i kontrollojë. Ndërkohë ISIS, kontrollon disa territore shkretinore në kufi me Irakun. Duket e vështirë të ketë një fund të afërt të konfliktit aq më shumë kur forcat që po përballen në terren kanë energji për të luftuar dhe burime kolosale armatimesh dhe parash. Duke mos harruar se konflikti ai ka të involvuar fuqitë kryesore rajonale, Rusinë dhe një superfuqi botërore si ShBA-të. Lufta ka pasur një kosto katastrofale për popullsinë. Numërohen më shumë se 450.000 viktima, rreth 13.8 milion njerëz janë shpërngulur, ku rreth gjysma kanë emigruar jashtë vendit. Qytete të tëra janë kthyer në gërmadha dhe do të duhen vite të tëra të rigjenerohen. Palët ndërluftuese kanë shpenzuar me bilionë$ si pjesë e kësaj beteje. Sipas kalkulimeve rezulton se së paku Rusia, shpenzon rreth 3 milionë$ në ditë, kurse ShBA afërsisht rreth 10 milionë$. Mes së gjithash, ky konflikt solli në skenë dhe format më mesjetare dhe çnjerëzore të dhunës dhe vrasje, të kryera kryesisht nga militantët e ISIS.

*Studiues.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.