OPINION

Ja pse negociatat çelen sivjet!

07:45 - 19.04.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Padyshim që rekomandimi i Komisionit Evropian i mbështetur edhe nga shërbimi i tij i jashtëm për çeljen e negociatave me vendin tonë është hop i ri cilësor në procesin e pakthyeshëm të anëtarësimit në BE, por edhe hap i madh e i domosdoshëm, sepse pa këtë nismë me karakter politik dhe teknik nuk mund të vihet në lëvizje ky proces prej institucioneve të tjera dhe vendeve anëtare të BE-së.




Gjithashtu, ndonëse formalisht do të shprehet më vonë, qysh tani është mëse e sigurt edhe “Po”-ja e Parlamentit Evropian. Madje, në shumë raste në Bruksel, Tiranë dhe disa ditë më parë edhe në Strasburg kanë qenë drejtuesit, raporterët dhe komisionet e tij përkatëse që kanë nxitur komisionin në përshpejtimin e rekomandimit pa kushte.

Tani, me të drejtë, pas gëzimit dhe entuziazmit të ligjshëm kanë filluar hamendësimet dhe diskutimet se kur dhe si ky rekomandim do të çojë në hapin vijues. Analiza me pohimet e mëposhtme mbështeten edhe në përvojën diplomatike të 20 viteve të fundit dhe angazhimin e autorit me këtë dosje, sidomos gjatë punës në Berlin, Bruksel e tashmë si analist i pavarur.

Por, kryesorja, ato mbështeten siç mund të shihet më poshtë, në të paktën dhjetë akte dhe fakte, aktorë dhe faktorë madhorë, të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin.

Mbi këtë bazë, le ta themi qysh në fillim se negociatat me BE-në do të çelen me siguri sivjet, pak rëndësi ka, nëse për shkak të ndonjë nuance dhe formaliteti teknik të rastit, kjo do të ndodhë në shtator apo në dhjetor, e vetmja rezervë në këtë koeficient të lartë sigurie është ndonjë “ters” ose  surprizë e pakëndshme “alla shqiptarçe” gjatë këtyre  dy muajve të ardhshëm.

Më konkretisht, meqenëse të tria institucionet më të larta evropiane tashmë e kanë thënë fjalën e tyre, çelja e negociatave gjatë dy muajve të ardhshëm kërkon detyrimisht konsensusin e qeverive të 27 vendeve anëtare.

Puna e tyre po fillon qysh tani me njohjen dhe analizën e imtësishme të Rekomandimit të Komisionit Evropian në strukturat politike, diplomatike, ekonomike, të sigurisë/drejtësisë etj., në kryeqytetet e çdo vendi anëtar të BE-së. Pas kësaj, opinioni i tyre zyrtar me komentet, rezervat dhe vërejtjet e rastit do t’u nënshtrohet debateve dhe diskutimeve në të ashtuquajturin “format i Brukselit”, për të arritur, si zakonisht në një mendim unanim. Ky format përfshin grupet diplomatike të punës që mbulojnë Ballkanin Perëndimor (COWEB), Komitetin e Përhershëm të Ambasadorëve (COREPER), takimin e ministrave të Jashtëm dhe përfundon me  vendimin në Samitin e BE-së më 28 – 29 qershor. Sfidë jo e lehtë, por gjithsesi, me gjithë vështirësitë, gjërat janë më të mundshme se më parë për disa shkaqe dhe arsye.

Në aspektin vendimtar politik, ngjarja dhe motivimi më i madh që do t’i çelë negociatat sivjet dhe jo më vonë është Samiti i Posaçëm i BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor në mes të muajit maj në Sofje, nën Presidencën bullgare të BE-së. Nuk mund të kishte vend dhe moment më të gjetur se ky samit, i planifikuar jorastësisht në vijim të strategjisë së re të Komisionit Evropian që Junkcer e promovoi vetë në vendet e Ballkanit një muaj më parë, dhënies së rekomandimit, takimet me liderë të vendeve anëtare të BE-së etj.

Mbi bazën e Raportit të Komisionit Evropian, aty do të diskutohet paraprakisht dhe në parim, do të akomodohen pozicionet e të gjitha vendeve anëtare dhe do të propozohet vendimi përkatës pozitiv, ndërsa samiti i radhës i BE-së në muajin qershor do të vulosë Rekomandimin e Komisionit Evropian dhe çeljen e negociatave, aq më tepër që në korrik do të mblidhet dhe Samiti i Londrës në kuadrin e Procesit të Berlinit.

Mirë, Samiti i Sofjes është ngjarja më e madhe politike dhe institucionale pas atij të Selanikut 15 vite më parë, ndaj prej tij priten vendime me data konkrete e të prekshme lidhur me zgjerimin e ardhshëm drejt Ballkanit Perëndimor. Të gjithë ata që janë marrë me diplomaci dhe sidomos me dosjet e BE-së e dinë mirë se një samit i tillë i rrallë dhe historik nuk mund të mjaftohet vetëm me fjalë dhe deklarime të përgjithshme, apo edhe vetëm me datën indikative për pranimin e mundshëm të Serbisë dhe Malit të Zi në BE, pa dhënë një datë të tillë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, si dhe perspektiva më të qarta për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën etj.. Sepse thjesht nuk shkon dhe nuk pranohet një diskriminim dhe kufizim i tillë, kur një vendi si Serbia vazhdon të mos i “hyjë gjemb në këmbë”, edhe pse për çështje kritike të politikës së jashtme dhe sigurisë nuk i është bashkuar BE-së, siç ka bërë Shqipëria. Për më tepër, se edhe gjatë këtyre muajve të fundit, me gjithë kusuret, Shqipëria ka bërë përparime të shumta që e kapërcejnë kufirin e “detyrave të shtëpisë”.

Ky argument politik dhe i sigurisë bëhet dhe më bindës dhe urgjent tani që në rajonin tonë po përshkallëzohen tentativat për një ndikim më të madh nga vende jashtë BE-së, duke rrezikuar parimet, vlerat, por edhe interesat e saj strategjike.

Po në këtë kuadër, në ndihmë të argumentit për çeljen sivjet të negociatave me vendin tonë vjen dhe fakti tjetër i rëndësishëm se 2019-ta do të jetë në të 27 vendet anëtare viti i zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian, të cilat kërkojnë qysh tani angazhimin evropian për përgatitje të shumta paraprake për hartimin e platformave madhore politike për reformimin tërësor të të gjitha strukturave dhe tipareve të BE-së.

Në këto kushte, mosçelja e këtyre negociatave do t’i shtynte ato për vitin 2020, ndoshta edhe më tej, duke shtuar lodhjen në vendet tona nga padurimi dhe pritshmëria e lartë, ndërkohë kritikët dhe euroskeptikët nuk është se do të pakësoheshin apo se do të pushonin akuzat e tyre. Mirëpo kjo do të ishte disfatë edhe për vetë BE-në në një rajon të nxehtë fare pranë tij, me rreziqe dhe kërcënime në rritje në disa fusha.

Dihet se shumica dërmuese e 27 vendeve anëtare e kanë shprehur, madje publikisht mbështetjen për çeljen e menjëhershme të këtyre negociatave. Vërtet ka tri apo katër vende anëtare dhe dashamirëse, ku shfaqen pjesërisht ende hezitime dhe rezerva për shkaqe tashmë të njohura, që kanë lidhje në radhë të parë me thellimin brenda BE-së dhe pastaj zgjerimin.

Megjithatë, veç vendimit politik, këto dukuri/qëndrime skeptike dhe hezituese do të zhvleftësohen me faktin/argumentin se nuk po kërkon  njeri ende anëtarësimin e ndonjë vendi nga rajoni ynë, të paktën deri në vitin 2025. Në fakt Komisioni Evropian, me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe shumicës mbizotëruese të vendeve anëtare kërkon në rastin tonë vetëm çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Një dallim i madh ky, që do të qetësojë skeptikët kudo, edhe te ne,  sepse anëtarësimi ynë i plotë në BE do të dojë shumë vite, kohë e mjaftueshme kjo për zgjidhjen e problemeve dhe plotësimin e deficiteve demokratike, ndaj “don’t worry”.

Në fakt, ky argument tani “ngjit” shumë më lehtë, sepse këtë vit, me ndonjë përjashtim fare të rrallë në vendet e BE-së nuk ka zgjedhje të reja parlamentare, siç pati vjet në Francë, Itali, Austri, Holandë, Gjermani dhe gjetkë, ku euroskeptikët “nuk të linin të bëje xhap”. Kësisoj, qeveritë dhe forcat e tyre politike janë të çliruara nga presioni zgjedhor populist dhe ekstremist, që veç “gam gameve” të njohura, nuk është se krijon ndonjë kosto zgjedhore për lidershipet e atyre vendeve.

Fakt domethënës mbështetës është “stazhi” katërvjeçar që ka kryer vendi ynë lidhur me zbatimin e përparësive dhe përgjegjësive të njohura pas vitit 2014, kur iu dha statusi kandidat dhe dy vjet pas vendimit për çeljen e tyre, me kusht që të zbatonim reformat në pesë fushat e njohura. Këto të fundit sipas skanimeve të sofistikuara teknike të BE-së, pa mohuar problemet, po ecin përgjithësisht mirë, me gjithë pengesat dhe vështirësitë që po hasen. Ndaj, si i thonë fjalës, tani “e treta, e vërteta”.

Tjetër faktor inkurajues që merret shënim, me gjithë “gër-vëret” dhe “cic-micet” politike të deritanishme është konsensusi i opozitës, si rrugë e duhur për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që preken dhe në Rekomandimin e Komisionit Evropian.

Argument i fortë për të qetësuar publikun dhe sidomos “të pabindurit” në ndonjë vend është se krahas “kulaçit”, BE-ja ka në dorë dhe “kërbaçin” ose ka “edhe gurin, edhe arrën”, çka do të thotë që nëse gjendja dhe dinamika me fillimin e dy kapitujve të parë mbi drejtësinë ose edhe më tej nuk do të ecin sipas parashikimeve dhe premtimeve, atëherë BE-ja dhe secili vend anëtar mund të kërkojë bllokimin ose pezullimin e negociatave në çdo çast, siç edhe ka ndodhur me Serbinë dhe Malin e Zi. Këtë ka parasysh Komisioni Evropian me “qasjen e përforcuar” apo dhe Mogherini kur tërhoqi vëmendjen në Tiranë ndaj pritshmërive për rezultateve të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformës së gjyqësorit etj. Mirëpo, bllokimi/ndërprerja e përkohshme e negociatave do të ishte një sinjal dhe mesazh politik me pasoja elektorale për këdo qeveri.

Faktor tjetër me efekt, sidomos për ndonjë nga vendet hezituese është se mosçelja dhe shtyrja e këtyre negociatave nuk do të sillte ndonjë rrjedhojë më të mirë as për reformat e BE-së dhe as për dukuritë e azilit, emigracionit, sigurisë, trafiqeve të paligjshme, etj. Shkurt, ajo është alternativë jo produktive, me kosto shumë më të madhe dhe që nuk të çon kurrkund.

Së fundi, çelja sivjet e negociatave të anëtarësimit më BE-në është padyshim një arritje e madhe, por gjithsesi e vonuar dhe me plot të panjohura përpara. Ndaj, në vend të fanfarave dhe shampanjës së ngazëllimit, apo nxitimit për parashikime të parakohshme dhe të panevojshme për datën e anëtarësimit në BE, është më e udhës që të bëhen analiza të thella dhe tërësore. Mbi këtë bazë të përcaktohen masat që negociatat të ecin sa më mirë e pa pengesa, në një klimë politike sa më konsensuale dhe demokratike, që ato të përfundojnë pa ndërprerje dhe në afatet më optimale.

Në këtë proces të gjatë dhe të gjithanshëm, krahas politikës, aktorëve dhe faktorëve të tjerë madhorë, si deri më tani ka rolin e vet të madh bashkërendues Ministria jonë e Evropës dhe e Punëve të Jashtme me ambasadat në vendet anëtare dhe veçanërisht me Misionin tonë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel. Ky i fundit ka grumbulluar një përvojë të madhe e të dobishme në demarshet me rastin e negociatave këto vitet e fundit. Këtu është vendi të përmendim meritën e politikës dhe e drejtuesve më të lartë të diplomacisë sonë, që veç të tjerash, e kanë mbështetur dhe kompletuar këtë përfaqësi tejet të rëndësishme me diplomatë dhe ekspertë të kualifikuar dhe të përkushtuar, që nuk njohin orar, me gjithë detyrimet familjare.

Ndaj, nuk ishte as rastësi dhe as thjesht mirësjellje, që gjatë një takimi para tri javësh në Bruksel, në prani të presidentit të Parlamentit Evropian, përfaqësueses së lartë për Politikën e Jashtme, të disa europarlamentarëve të rëndësishëm, zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, të kryeministrit dhe ministrit tonë të Jashtëm, moderatori i takimit, zv.presidenti i Europarlamentit, David Sassoli i ftoi të pranishmit të përshëndetnin dhe duartrokitnin gjatë për titullaren “kompetente, energjike dhe të kudondodhur të këtij misioni, zonjën Suela Janina, për kontributin, lidhjet dhe bashkëpunimin e saj me të gjitha institucionet më të larta evropiane”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.