Rajoni

Një darkë me fjalë të përzemërta -Liderët e Ballkanit dhe Mogherini

15:21 - 19.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Maqedonia përgëzohet nga BE. Jeni në rrugë të drejtë tha në Shkup përfaqësuesja e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, por puna duhet të vazhdojë. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Haradinaj u takua me Zaev. Përfaqësuesja e lartë e BE për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë të BE-së dhe zëvendës kryetare e Komisionit Evropian Federika Mogerini, u shpreh para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë se arritjet e vendit vitin e kaluar ishin impresive.




Sipas saj vendi është në rrugë të drejtë por duhet të vazhdojë të punojë edhe më shumë për të arritur të hyjë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

“Jeni në rrugën e drejtë. Kjo është arritje jo vetëm e qeverisë por e të gjitha institucionet e vendit. Jam e sigurt se në të ardhmen do të ketë edhe arritje tjera. Ne duhet t’ju falënderojmë për atë që arritët ta bëni. Këto janë rezultate të përbashkëta edhe të qeverisë edhe të opozitës” është shprehur përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini, në fjalimin para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

Mogerini në mënyrë metaforike rrugëtimin për anëtarësim në BE e krahasoi me një lojë e cila kalon në nivele të ndryshme dhe në secilin nivel duhet të punohet edhe më shumë për të kaluar në tjetrin. Ajo theksoi që vendi duhet t’i mbajë të qarta aspiratat e saj dhe të vazhdojë të investoj për t’i arritur ato. “Investoni në unitetet, investoni në institucionet demokratike, investoni në talentet e njerëzve sidomos të të rinjve kreativë, investoni në aspiratat dhe dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e BE-së. Është koha të filloni të vraponi bashkë me fqinjët tuaj dhe jam e sigurt se bashkë do të shkoni shumë larg”, ka thënë Mogerini.

Darkë e përbashkët e kryeministrave të Ballkanit Perendimor

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev së bashku me përfaqësusen e lartë të BE-së Mogerini në mbrëmjen e së mërkurës u ulën në një darkë të përbashkët me liderët e shteteve të Ballkanit Përendimor për të diskutuar mbi sfidat dhe prespektivat e Ballkanit Perëndirmor në rrugëtimin euro-atlantik. Në darkën e përbashkët joformale kanë qenë të pranishëm kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, Edi Rama, Ana Brnabiq, Ramush Haradinaj, Dushko Markoviq dhe Deniz Zvizdiq.

Kryeministrat edhe një herë vërtetuan angazhimin e tyre të sinqertë për implementimin e plotë të reformave në vendet e tyre, me qëllim të përshpejtimit të proceseve për antarësim në BE.

Kryeministrat e Ballkanit perendimor, theksuan përcaktimin e tyre për përforcim të bashkëpunimit dhe fqinjësinë e mirë si dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal. Ata u dakorduan se 2018 është viti historik për vendet e rajonit, të cilave u hapet mundësia e madhe për të bërë hapa të mëdhenj drejt integrimin Euroatlantik

Takimi Zaev-Haradinaj

Kosova është e interesuar të ketë raporte të mira me fqinjët e saj dhe Maqedonia është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndër shtetëror, kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në kuadër të samitit digjital që po mbahet në Shkup. Nismat rajonale, projektet infrastrukturore, bashkëpunimi politik dhe diplomatik, partneriteti ekonomik, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

Kryeministri Haradinaj, përmendi edhe rëndësinë që Kosova dhe Maqedonia kanë në menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjen e roamingut, marrëveshjet e tjera tregtare dhe projektet infrastrukturore. “Maqedonia ka treguar një partneritet korrekt në raport me Kosovën dhe ka shënuar progres të madh në përfshirjen e shqiptarëve. Si Kosovë jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë partneritet, për të mirën e qytetarëve tonë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Të dy kryeministrat u dakorduan që në takimin e parë të dy qeverive, i cili po përgatitet, të përafrojnë agjendat e tyre të përbashkëta politike dhe ekonomike, duke përgatitur një numër marrëveshjesh bilaterale dhe duke u fokusuar në zhvillimin e marrëveshjeve ekzistuese./DW

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.